Arbëri

Kallas përmbledh vizitën në Ballkan: Në Kosovë, të formohet sa më shpejt Qeveria

Kaja Kallas - 22 maj

Foto: Driton Paçarada

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, në rrjete sociale ka përmbledhur shkurt mesazhet që ka përcjellë në vizitën në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut ditëve të fundit.

“Ballkani Perëndimor është i rëndësisë strategjike për BE-në. Zgjerimi në këtë rajon është projekti jonë më i rëndësishëm gjeopolitik dhe po ashtu edhe prioritet personal për mua”, ka shkruar ajo në Instagram.

Sa i përket qëndrimit në Kosovë, ajo ka thënë se mesazhi i saj ka qenë që të formohet qeveria sa më shpejt.

“I kam inkurajuar të gjitha partitë në Kosovë të tejkalojnë ngërçin politik dhe të formojnë shpejt një qeveri. Udhëheqësit duhet t’i lënë anash ndarjet dhe ta prioritizojnë të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar ajo.

Sa i përket Serbisë, Kallas ka thënë se mesazhi i saj aty ka qenë i qartë.

“Unë dua ta shoh Serbinë tek avancon drejt BE-së. Për këtë, udhëheqësit politikë duhet t’i zbatojnë reformat e nevojshme dhe ta sqarojnë drejtimin strategjik. Kjo bëhet më së miri duke rikthyer besimin dhe duke iu përmbajtur parimeve demokratike”, ka thënë ajo për Serbinë.

Për Maqedoninë, ajo ka kujtuar se ky është shteti i parë që përfiton nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. “I takon familjes tonë evropiane. Tani është kyçe të vazhdohet në rrugën drejt BE-së”, ka shtuar ajo.

Gjatë vizitës në Kosovë, Kallas takoi udhëheqësit e Qeverisë në detyrë dhe të partive që deri tash ishin në opozitë. Në një konferencë për media, ajo pati konfirmuar se Marrëveshja e Ohrit mbetet në fuqi, teksa ka kërkuar nga Kosova e Serbia ta vënë në zbatim. Ajo ka bërë të ditur po ashtu se BE-ja ka filluar heqjen graduale të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, porse ka theksuar se ky proces është i kushtëzuar me ruajtjen e qetësisë në veriun e banuar kryesisht me serbë.

E Kosova tash e tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, vazhdon të mos ketë Kuvend të konstituuar e qeveri të zgjedhur. Kuvendi në 20 seanca nuk ka arritur ta zgjedhë kryeparlamentarin e ri për t’i hapur rrugë nisjes së afateve për Qeverinë e re.