Zgjedhja e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara do të jetë përcaktuese edhe për kursin që Shtëpia e Bardhë do ta ndjekë në raport me Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Derisa rezultati po vazhdon të jetë i ngushtë, analisti politik në Këshillin për Demokratizim, me seli në Berlin dhe Bruksel, Bodo Weber, ka folur për “Kohën Ditore” rreth qasjes që priten ta aplikojnë varësisht se cili prej kandidatëve do të fitojë - Joe Biden apo Donald Trump.
“Politika e administratës së Trumpit në Ballkanin Perëndimor nënkupton përçarje, keqpërdorim të rajonit për një politikë të jashtme dhe të sigurisë jokoherente, të paparashikueshme, që ka humbur bazat e saj dhe vlerat demokratike liberale”, ka thënë Weber. “Bideni angazhohet për bashkëpunimin transatlantik bazuar në vlera të përbashkëta dhe e kupton mirëfilli rëndësinë politike të rajonit dhe rëndësinë e historisë së tij”.
Edhe pse Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizimin ekonomik më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, nën ndërmjetësimin e presidentit Trump, ajo është konsideruar e pamjaftueshme për t’i zgjidhur problemet mes dy vendeve. Ashtu sikurse titulli i Marrëveshjes, edhe çështjet për të cilat arritën pajtim Kosova e Serbia janë kryesisht ekonomike.
Weber nuk pret më shumë se kjo marrëveshje nëse në krye të Shtëpisë më të fuqishme në botë rikonfirmohet republikani Trump. Sipas tij, qëllimi i Trumpit ishte që fotografinë e ceremonisë ta përdorë si një mjet për fushatën e tij, kurse Grenelli mori një shtytje në karrierë që do të materializohet me një pozitë të lartë në administratën e ardhshme, nëse Trumpi fiton.
“Asnjëri prej tyre nuk ka një interes të mirëfilltë në këtë çështje, as njohuri themelore për vendet (Kosovën dhe Serbinë) dhe mosmarrëveshjes së tyre. Ata nuk qëndrojnë pas vlerave liberale demokratike që duhet të jenë baza e çdo marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse. Dhe botëkuptimi i tyre është etnonacionalist, madje edhe më i keq, racist, siç demonstrohet në komentet e Trumpit për ‘një komb tjetër mysliman që ka njohur Izraelin’ dhe komentet e Grenellit mbi kombet e çmendura të Ballkanit që kanë dy emra për liqenin Ujmani/Gazivodë”, ka vlerësuar Weber. Si të tillë, dy zyrtarët e lartë amerikan, analisti Weber i sheh pjesë të problemit e jo të zgjidhjes.
“Më e mira që ne do të mund të prisnim nga një administratë e dytë Trump është që Grenelli (dhe Trumpi) të qëndrojnë larg Ballkanit Perëndimor, duke ia lënë rajonin Departamentit të Shtetit, dhe kështu të shpresojmë për një performancë më të koordinuar BE-SHBA”, ka theksuar Weber.
Sa i përket Bidenit, gjermani vlerëson se me të do të kishte një rindërtim të bashkëpunimit transatlantik.
“Nëse Bideni fiton, ne do t’i kthehemi një bashkëpunimi të ngushtë dhe do t’u jepej fund veprimeve të njëanshme të SHBA-së. Unë do të prisja që një administratë Biden t’i përmbahej kërkesës së dy administratave të mëparshme për angazhim më të madh global të BE-së, duke pranuar rolin udhëheqës perëndimor të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Weber.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë udhëheqje më proaktive sa i përket rolit të BE-së. Vetëm në këtë mënyrë, siç ka thënë ai, do të rivendoseshin vërtet negociatat për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas Weberit, kjo bëhet duke u kthyer në kornizën origjinale të dialogut politik, “do të thotë parimet e tij themelore - se koha e ndryshimeve të kufijve në Ballkan është e tejkaluar, dhe se Serbia duhet të zhvendoset (prapa) në një politikë që bazohet në realitet dhe ta pranojë se ka humbur prej kohësh Kosovën në mënyrë që të mbetet ose në të bëhet një partner i vërtetë i Perëndimit”.
Kosova, pjesë e diskursit të fushatës amerikane
Kosova ka qenë referencë edhe në fushatën mes dy kandidatëve.
Presidenti Trump e ka prezantuar si trofe diplomatik ndërmjetësimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në zyrën ovale. Në disa raste ai e ka përsëritur se për 20 minuta arriti t’i ndalë gjakderdhjet mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Kosova dhe Serbia, ata po vriten për shumë vjet, thjesht po vriten mes vete. Janë disi si izraelitët dhe palestinezët”, kishte krahasuar ai, duke përmendur edhe dallimet fetare. “Kështu që iu thashë: ‘Dëgjoni, të bëjmë marrëveshje, marrëveshje ekonomike. Erdhën në zyrën time, Zyrën Ovale, për të nënshkruar dhe ata po e përqafonin njëri-tjetrin... ishte gjë e bukur ta shihje, shpëtuam aq jetë”, kishte deklaruar Trumpi.
Edhe pse marrëveshja e zotimeve u quajt historike nga presidenti Trump dhe delegacioni kosovar, ajo nuk e ka elementin kryesor të cilin e kishin proklamuar në vazhdimësi kryeministri Hoti e presidenti Thaçi. Delegacioni kosovar i udhëhequr nga Hoti ishte zmbrapsur nga përcaktimi që marrëveshja me Serbinë ta ketë edhe “njohjen e ndërsjellë”. Kjo ka ndodhur pavarësisht faktit se në draftin fillestar ishte përfshirë edhe “njohja e ndërsjellë” dhe emërtimi “Republika e Kosovës”, por që janë hequr në marrëveshjen finale. Hapja e linjave ajrore, hekurudhore e rrugore, si dhe integrimi i Kosovës në zonën e Mini-Schengenit Ballkanik, pas disa vjetësh refuzim - janë pikat mbi të cilat kanë vënë firmën Kosova e Serbia.
Po ashtu marrëveshja nuk u nënshkrua në “Kopshtin e trëndafilave”, që është sinonim për marrëveshjet historike të cilat ndërmjetësohen nga amerikanët. Atë ua kishte premtuar presidenti amerikan Trump në vitin 2018 presidentëve Thaçi-Vuçiq, nëpërmjet letrës që i inkurajonte palët të shkonin drejt marrëveshjes së paqes.
Për Trumpin u angazhua të mbledhë vota edhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell duke takuar komunitetin serb, ndërkaq votën shqiptarëve ua kishte kërkuar nëpërmjet një videomesazhi.
Kurse kandidati demokrat, Joe Biden, përmes një deklarate u është drejtuar shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, duke e përsëritur se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Ai e ka kritikuar politikën e “pabalancuar” të Trumpit ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Në letrën e dërguar nga Komiteti shqiptaro-amerikan, Biden është zotuar se do ta mbështesë dënimin e krimeve në Kosovë dhe do të kërkojë drejtësi për të zhdukurit. Këtu përmenden edhe vëllezërit Bytyqi.
Bideni ka premtuar anulim të qasjes së Administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, “duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes tyre dhe duhet punuar drejt një bashkëpunimi më të madh.
“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese - të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, thuhet në deklaratën e Bidenit.
Mes tjerash, Bideni përmend edhe shkrimtarin e publicistin Veton Surroi.
“Ai ka qenë njeriu të cilit i kemi telefonuar në Uashington edhe në fillim të viteve ‘90...", thuhet në deklaratën e Bidenit.
Angazhimi i Bidenit
Historiku i angazhimit të Bidenit për Ballkanin dhe Kosovën është i hershëm. Pas një vizite në vitin 1993 në Bosnjë-Hercegovinë, Bideni ishte pozicionuar kundër luftimeve atje, duke e akuzuar madje presidentin Cinton se po i anashkalonte vrasjet e myslimanëve të Bosnjës.
Sa i përket Kosovës, intensitet veprimeve iu dha në fund të viteve ‘90.
Duke qenë senator demokrat nga shteti i Delawares, në vitin 1999, Bideni inicioi një rezolutë për kauzën e Kosovës. Nëpërmjet saj do të kërkohej autorizimi i presidentit të atëhershëm, Bill Clinton, për nisjen e një operacioni të menjëhershëm ajror kundër Republikës Federale të Jugosllavisë. Bideni e vazhdoi përkrahjen për Kosovën edhe pas përfundimit të luftës, duke kërkuar zbardhjen e krimeve serbe.
Ndërkaq në vizitën e vitit 2016 si zëvendëspresident i SHBA-së, Bideni kishte folur rreth 20 minuta për lidhjen e veçantë me Kosovën dhe nderimin që i është bërë familjes së tij.
Kishte vijuar me porosi për dialogun që Kosova duhet ta zhvillojë me fqinjët, veçmas me Serbinë, zhvillimin ekonomik, luftimin e terrorizmit dhe korrupsionit. Ishte shfaqur i drejtpërdrejtë në kërkesën që të akuzuarit të mos jenë pjesë e institucioneve publike.
Por lidershipi i vendit, që jo rrallë deklarohet se i dëgjon këshillat e udhëheqësve amerikanë, jo gjithherë e ka ndjekur këtë kurs. Bideni kishte zbarkuar në Kosovë për të kërkuar edhe ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, e cila pati shkaktuar përplasje mes partive në pushtet dhe opozitë. Por marrëveshja do të ratifikohej vetëm dy vjet më vonë dhe pasi në pushtet erdhën ata që e kundërshtuan atë sa ishin në opozitë - AAK-ja e Nisma.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është politikani i vetëm në vend që haptas e mbështeti kandidaturën e Bidenit, duke ua kërkuar votën shqiptarëve në ShBA për llogari të demokratit.
Përkrahjen e Bidenit për Kosovën e kishte mirëpritur ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie. Sipas tij, me Bidenin do të rikthehet politika e balancuar e SHBA-së karshi Kosovës, duke u bazuar në interesat e sigurisë nacionale të SHBA-së në Ballkan.