Në shenjë proteste për ndalimin e zyrtarëve të saj, drejtuesit e partisë Liberale Serbe kanë protestuar në vendkalimin kufitar Kosovë-Seri në Merdare.
Kreu i kësaj partie, Sllobodan Petroviq, së bashku me disa anëtarë të tjerë kanë kaluar kufirin në Merdare, për të kuptuar më shumë rreth këtyre ndalesave.
Kreu i partisë së Pavarur Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq, ka thënë se kjo protestë po bëhet pasi autoritetet serbe dje kanë ndaluar Srgjan Jovanoviqin, anëtar i Bordit të partisë së tij dhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Këto ndalesa të anëtarëve të SLS-së, sipas tij, janë krejtësisht politike.
“Mbrëmë ishte hera e 7-të që e kanë ndaluar Srgjan Jovanovic. Mesazhi që dëshirojmë të dërgojmë nga këtu është se të gjithë e dinë që kjo që po ndodh me ne lidhet krejtësisht me arsye politike. Ne sot, zyrtarët në këtë pikë kufitare deshëm t’i pyesim a jemi ne kriminelë, a ka ndonjë hetim ndaj nesh e ne nuk jemi të njoftuar për këtë. Edhe njëherë e theksojmë se kjo nuk do të na tërheqë prej rrugës në të cilën jemi dhe nuk na frikësojnë por kjo është përulje para së gjithash për popullin serb. Kjo situatë ka kaluar çdo kufi”, ka thënë Petroviq.
Një ditë më parë, policia serbe ndaloi për të 7-ën herë radhazi anëtarin e kësaj partie, njëherësh këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, Srgjan Jovanoviq.
Marrja në pyetje, sipas Jovaovniqit, ishte pothuajse e njëjtë për të gjithë anëtarët.
"Pyetja e tyre ka qenë e njëjtë për të gjithë, çka bëni në Qeveri të Kosovës, me çka merreni, pse jeni pjesë e SLS-së pse nuk kaloni në Listën Serbe, të gjitha pyetjet kanë qenë të njëjta për të gjithë në", ka thënë Jovanoviq.
Por, kalimi në këmbë i anëtarëve të kësaj partie ka bërë që të krijohen kolona të gjata në këtë pikë kufitare.
E, lidhur me këto ndalesa të zyrtarëve serbë, ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj i cili i ka quajtur të papranueshme këto ndalesa.
Haradinaj ka paralajmëruar edhe kundër-masa në raport me zyrtarët serbë të cilët vizitojnë Kosovën.