Arbëri

Ish-Qeverisë Mustafa i ishte propozuar tërheqja nga Marrëveshja e Brukselit [dokument]

Vështirësitë për ta zbatuar Marrëveshjen e Asociacionit duke inkorporuar marrëveshjet e Brukselit, si dhe Aktgjykimin e Kushtetueses kishin bërë që Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Mustafa të kërkonte sqarime shtesë. Një prej propozimeve ka qenë edhe anulimi i Marrëveshjes së 19 prillit, e cila në gjashtë pikat e para flet për Asociacionin. Pas Draft-statutit, KOHA për herë të parë publikon dekretin e Qeverisë për Asociacionin, si dhe sqarimet mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Paqartësi të shumta i janë atribuuar Aktgjykimit të Kushtetueses përkitazi me Marrëveshjen e parimeve të vitit 2015 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kushtetuesja pati gjetur shkelje në të gjitha nenet e Marrëveshjes, por nuk e kishte hedhur poshtë atë, duke rekomanduar që përmirësimet të bëheshin me rastin e draftimit të Statutit. Zgjidhja nuk ishte ofruar as pas sqarimeve shtesë të kërkuara nga ish-kryeministri Isa Mustafa prej ekspertëve të Kushtetutës. Përfundimisht, prezantimi i Statutit në Bruksel nuk është bërë asnjëherë për shkak të refuzimit serb që nuk do Asociacion sipas Kushtetutës së Kosovës.

Pas Draft-statutit KOHA për herë të parë publikon edhe dekretin që ishte përgatitur për llogari të ekzekutivit nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, si dhe sqarimet shtesë të Aktgjykimit të Kushtetueses.

Vendimi për Asociacionin përmban katër pika në të cilat përshkruhen: forma, struktura, përmbajtja dhe modeli.

Miratohet “Statuti i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë” në vijim të implementimit të Ligjit nr. 44/L 099 mbi ratifikimin e Marrëveshjes së parë, ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në qershor të vitit 2013”, shkruan në pikën 1 të vendimit.

Pika pasuese, ajo për strukturën, thotë se Asociacioni/Bashkësia do të modelohet sipas të njëjtës bazë, si dhe Statuti i Asociacionit të Komunave të Kosovës, duke pasur një kryetar, nënkryetarin, Kuvendin, Këshillin, si dhe organet e tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave të përcaktuara me ligj e në pajtim me Kushtetutën.

“Statuti i Asociacionit/Bashkësisë nga pika I e këtij vendimi do të reflektojë në tërësi përmbajtjen e dispozitave të nenit 3.1 [Barazia Para Ligjit], nenit 79 [Nisma Legjislative], nenit 81 [Legjislacioni me Interes Vital], nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], nenit 101 [Shërbimi Civil], neni 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], neneve 123 dhe 124 nga Kapitulli X [Qeverisja Lokale dhe Organizimi Territorial], nenit 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës], Kapitullit II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe , së fundi, të Kapitullit III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtareve të Tyre] të Kushtetutës së Kosovës”, shkruan në pikën 3.

Sa i përket modelit, “ai duhet të marrë parasysh në tërësi arsyetimin dhe konkluzionet e Aktgjykimit KO 130/15 të datës 23 dhjetor 2015 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës , si dhe detyrimet ndërkombëtare të marra nga organet kompetente të Republikës së Kosovës”.

Opsionet për zbatimin e vendimit

Duke analizuar pjesën operative të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese janë vlerësuar vështirë të kuptueshme detyrimet e institucioneve relevante të Kosovës sa i përket formimit të Asociacionit, sepse, siç thuhet në sqarimet shtesë, nuk është e qartë se si do të zbatohet Aktgjykimi. Në paragrafin 116 të Kushtetueses thuhet vetëm se “arsyetimi dhe konkluzionet duhet të shërbejnë si bazë për elaborimin e aktit juridik dhe Statutit”.

“Si mund të merren parasysh kur asnjë pjesë e arsyetimit e as pjesa operative nuk përcaktojnë qartë caqet e mospërputhjes me Kushtetutën të Marrëveshjes mbi parimet të datës 25 gusht 2015?! Për më tepër, kjo marrëveshje mbi parimet është akoma në fuqi dhe nuk është anuluar, sepse në aspektin ndërkombëtar çdo nënshkrim i shefit të shtetit, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm e obligon shtetin. Kjo gjendje e krijuar tani me këtë Aktgjykim përbën një paradoks më vete”, shkruan në dokumentin që për autor ka ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

“Gjykata thotë që Asociacioni mund të themelohet në bazë të Marrëveshjes së Parë, por parimet e këtij asociacioni që janë negociuar në Bruksel mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së më datën 25 gusht dhe që janë bazë e hartimit të Statutit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. Këtu është një dilemë për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk e ka arsyetuar se si ndikon kjo në raport me detyrimet ndërkombëtare që dalin nga negociatat në Bruksel. E, megjithatë, në Aktgjykimin KO 130/15 është në vlerësimin e Marrëveshjes së Parë, një gjë për të cilën Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 95/13. Gjithashtu, në bazë të këtij aktgjykimi është e qartë që Gjykata Kushtetuese nuk e ka rolin e një gjykate ndërkombëtare që mund t’i prishë marrëveshjet ndërkombëtare”, shkruan në dokument.

Më tej shkruan se Gjykata nuk e ka qartësuar se si hartohet Statuti i Asociacionit në mënyrë që i njëjti të jetë në pajtim me “frymën e Kushtetutës”, për arsyeje se nuk e ka arsyetuar se si Parimet e Asociacionit nuk janë tërësisht në pajtim me Kushtetutën.

“Gjykata Kushtetuese nuk e ka cekur se cilat pjesë nga formulimi i Parimeve të Asociacionit janë në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës dhe pse janë në kundërshtim me të. Gjykata Kushtetuese vetëm iu ka referuar disa dispozitave kushtetuese dhe ka thënë që ato dispozita duhet të merren parasysh”.

Aty janë propozuar edhe tri mundësi si të procedohet tutje.

Duke marrë parasysh dilemat rreth mënyrës së zbatimit të Aktgjykimit, propozimi i parë për kryeministrin ka qenë votimi i një kërkese në Qeveri me të cilën kërkohen sqarime shtesë nga Gjykata Kushtetuese.

Kurse propozim-pyetjet për t’i ngritur në Kushtetuese kanë qenë: “a janë draft-akti juridik, draft-statuti dhe draft-amendamentet në pajtim me arsyetimin dhe konkluzionet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të KO 130/15 të datës 23 dhjetor 2015?”; Me çka duhet të plotësohen parimet e nënshkruara në Bruksel në mënyrë që të harmonizohen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese?; Cilat pjesë duhet të hiqen nga parimet, pra pjesët të cilat assesi nuk guxojnë të implementohen?; Cili duhet të jetë STATUSI i Asociacionit?; Vendimi nuk jep përgjigje tek ndërmarrjet publike: si të veprohet?; Dhe, Si të interpretohet komenti i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me fjalën “overview”, janë propozim-pyetjet.

Propozimi i dytë ka qenë kërkesa për anulimin e Marrëveshjes së Parë, “sepse në esencë ajo ka qenë objekt shqyrtimi i Gjykatës për Aktgjykimin KO 130-15, duke ndjekur procedurat e njëjta kushtetuese si për lidhjen e saj, siç përcaktohet qartë në nenin 18.4 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] i Kushtetutës. Kjo është punë sizifi dhe me shumë rrezik për Kosovën dhe për interesat e saj euroatlantike”.

Kurse opsioni i fundit i propozuar ka qenë të shkohet paragraf për paragraf me rastin e hartimit të tekstit të Statutit e pastaj Gjykata në fund ta japë vlerësimin.

Fakti se Gjykata flet për Marrëveshjen e Parë dhe bën analizën e saj, siç thuhet në dokument, lë të kuptohet se ka një hile.

“Gjykata flet për Marrëveshjen e Parë dhe bën analizën e saj. Në fakt, gjatë tërë Aktgjykimit, Gjykata e përdor si bazë juridike Marrëveshjen e Parë, sikur ajo të ishte vetë teksti i Kushtetutës së Kosovës. Marrëveshja e Parë ka fuqi më të madhe se ligji dhe përbën detyrim ndërkombëtar të Kosovës, asgjë më shumë. Kjo, siç bëhet këtu lë të kuptohet se ka një hile nga Gjykata, meqë kjo analizë e amniston Marrëveshjen e Parë në tërësi, siç vërehet qartë nga çdo vend ku analizohet kjo marrëveshje, duke e paraqitur Marrëveshjen e Parimeve si veprim ultra vires (jashtë autorizimit të nënshkruesit të saj) dhe në mënyrë implicite si një veprim antikushtetues, gjë që në fakt nuk është kështu”, shkruan në sqarim.

Është kontestuar edhe paragrafi i Kushtetueses sipas të cilit çdokush që merr pagë nga buxheti cilësohet shërbyes civil.

“E kanë shumë gabim që e cilësojnë shërbyes civil çdokënd që merr para nga buxheti i Kosovës, sepse në një rast të tillë NGO-të e ndryshme që kanë grante të buxhetit të Kosovës do të ishin objekt kontrolli qeveritar administrativ. Përveç kësaj, edhe termi shërbyes civil nuk asocion vetëm në Qeveri, sepse ka segmente të shumta që janë shërbyes civilë e që nuk janë Qeveri. Kështu, ta zëmë, administrata e universiteteve publike, e agjencive të pavarura, e Gjykatës Kushtetuese dhe kështu me radhë janë shërbyes civilë deri në masë të caktuar e megjithatë nuk janë qeveritarë”, shkruan në letër.

“Kushtetuesja i dha kompetenca shtesë vetes”

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata pa të drejtë i ka dhënë kompetencë vetes për të ushtruar kontroll kushtetues ndaj aktit juridik të Qeverisë, Statutit dhe amendamenteve eventuale të tij.

“Kjo kompetencë e Gjykatës nuk ekziston sot për sot në Kushtetutën e Kosovës. Gjykata nuk e ka sqaruar si dhe ku bazohet kjo kompetencë e saj. E vetmja mundësi, po supozoj dhe ma merr mendja, duhet të jetë Marrëveshja e Parë, sepse vetëm ajo dhe asnjë tekst tjetër ka fuqinë e ligjit, kurse sipas nenit 113. 10 [Juridikisioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës “juridiksioni shtesë mund të rregullohet me ligj”. Për kryeministrin kjo nënkupton se aktin juridik, Statutin dhe amendamentet eventuale të tij duhet t’i dërgojë në kohën sa ato kanë formën e draftit, sepse ndryshe nuk shoh si mund të interpretohet pika 6 e paragrafit 189 të Aktgjykimit”, shkruan aty.

Këto dokumente publikohen për herë të parë në një media, që prej nisjes së angazhimeve për themelimin e Asociacionit. Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se sqarimet shtesë ishin të domosdoshme për shkak të mungesës së qartësisë se si të procedohet me themelimin e Asociacionit.

“Aktgjykimi kishte paqartësitë e veta, sepse thoshte që statusi juridik i këtij asociacioni duhet të jetë sikurse i asociacioneve tjera. Që në fakt ka dallime, sepse Marrëveshja e Parë i jep të drejtë Asociacionit të ketë pamje të plotë ( ose kontroll të plotë) mbi arsimin, shëndetësinë dhe disa fusha tjera, që nuk e kanë asociacionet e tjera”, ka thënë Mustafa për KOHËN.

Versioni i Draft-statutit të publikuar nga KOHA nuk është ngritur për diskutim asnjëherë në Bruksel, për shkak të refuzimit të serbëve. Mustafa ka treguar tri takimet me përfaqësuesit serbë në zyrën e tij së bashku me përfaqësuesit e SHBA-së, të BE-së dhe të OSBE-së, por të cilët nuk treguan interesim që të punojnë në Statut sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Prandaj nuk është përgatitur asnjë version për Brukselin”, ka thënë ai.

Enver Hasani, që është profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se hartimi i dokumenteve i ishte kërkuar nga ish-kryeministri Mustafa.

“Pjesa e parë është Statuti i Asociacionit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai është dashur të jetë një draft për bisedime me palën serbe dhe është Draft-vendimi i Qeverisë me të cilin fuqizohet Statuti siç është paraparë në Marrëveshjen e Vjenës për themelimin e Asociacionit. Ky dokumenti i dytë është disa faqesh dhe e shpjegon se çka është esenca e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin dhe si duhet të zbatohet”, ka thënë ai.

Asociacioni vazhdon të jetë kërkesa kryesore e serbëve, tetë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ku gjashtë pikat e para të saj flasin për themelimin e këtij mekanizmi. Por aktualisht Qeveria e Kosovës udhëhiqet nga subjekti që më së shumti ka kundërshtuar Asociacionin, duke e cilësuar si rrezik për krijimin e një pushteti të mesëm, që i jep llogari Beogradit.

BE-ja thotë se aktgjykimi i Kushtetueses është keqinterpretuar

Themelimi i Asociacionit vazhdon të jetë edhe kërkesë e Bashkimit Evropian, duke rikujtuar se Kosova ka marrë obligime në Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013, si dhe Marrëveshjen e parimeve të Asociacionit më 2015.

KOHA ka pyetur në Zyrën për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë në BE nëse kanë qenë në dijeni për Draft-statutin ose ndonjë dokument tjetër rreth Asociacionit. Por zëdhënësi Peter Stano vetëm ka rikujtuar obligimet “ndërkombëtare” të Kosovës teksa ka shtuar se aktgjykimi i Kushtetueses për Asociacionin shpesh është keqkuptuar.

“Kosova ka hyrë në një marrëveshje për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe. Kjo marrëveshje u finalizua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është tërhequr. Në fakt, Marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat (2/3). Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për ta zbatuar këtë marrëveshje”, ka thënë Stano.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 lidhur me Asociacionin/Bashkësinë zakonisht është keqinterpretuar. Gjykata kurrë nuk ka thënë që Asociacioni/Bashkësia nuk mund të themelohet.

Prandaj, ne presim që Kosova të respektojë angazhimet e ndërmarra në dialog”.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Bashkimit Evropian, kryeministri Albin Kurti pati thënë më herët se mund të ketë Asociacion të Komunave të Bjeshkës së Rugovës apo maleve të Sharrit, por jo asociacion njëetnik.

Qeveria nuk e ka publikuar ende programin Qeverisës, rrjedhimisht as Platformën dhe Strategjinë e Dialogut.

{gallery}