Kryetari i Klubit të Bizneseve, Ilir Ibrahimi, ka thënë se nëse nuk ka reflektim nga Qeveria lidhur me kërkesën e bizneseve për daljen në treg të hapur të energjisë, do të ketë hapa më radikalë se ai i sotmi – protesta me bllokimin e hyrjeve kryesore për në Prishtinë.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Ibrahimi ka thënë se gjenden para një situate jetike, gjë të cilën qeveria në detyrë, sipas tij, nuk po e kupton.
“Nëse nuk ka reflektim nga Qeveria, do të ketë gjithsesi hapa më radikalë sepse jemi para një situate radikale. Kjo është një situatë jetë a vdekje. Nuk po e kuptojnë edhe këta që gjendemi para një situate nëse do të mbijetosh apo jo”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka shtuar se ekzekutivi në detyrë po e shkatërron me vetëdije ekonominë.
“Nëse vetëm me 35 milionë mund të kalojë këtë krizë të madhe, e cila do ta evitonte shkatërrimin e ekonomisë, unë nuk e kuptoj pse nuk merret një vendim i tillë? Nuk janë paratë e tij. As të kryeministrit e as të ministres, këto janë para të taksapaguesve. Nuk e kuptoj qëndrimin e tyre. Kjo nuk ka kurrfarë kuptimi – që ta shkatërrosh me vetëdije ekonominë, nuk e di se si”, është shprehur Ibrahimi.
Ai ka deklaruar se ofertë për furnizimin me energji ka pasur vetëm nga KESCO.
“Gjatë 3 muajve të fundit ne kemi bërë kërkesa për të na bërë oferta për furnizim, nuk ka pasur oferta nga asnjëri furnizues. Nuk mund të dalë ministrja sot, dy ditë para daljes në tregun e lirë dhe të na tregojë se sa furnizues janë sepse ne po bisedojmë tash e tre muaj për këtë punë. Pse nuk ka dalë me bizneset që t’i përgatisë ato sepse është përgjegjësi e saj jo e odave ekonomike që t’i përgatis bizneset. Oferta deri tani ka bërë vetëm KESCO. Ne më 1 qershor do të futemi në treg të lirë, nuk ka asnjë kontratë të nënshkruar dhe sipas ligjit, nëse nuk ka kontrata, furnizuesi i fundit është KEK-u për dy muaj, mirëpo çmime të tregut të lirë, pas dy muajsh je në dorë të Zotit”, ka thënë ai.