Njohësit e çështjeve politike kërkojnë që Lista Serbe të mos e determinojë procesin e ri zgjedhor në veri, me kushtëzimin e saj që të marrë pjesë në zgjedhje pas dorëheqjeve të kryetarëve. Gatishmërinë e këtij subjekti politik, ata e shohin si lojë për ta relativizuar problemin që Beogradi është duke e shkaktuar në veri tash e një kohë.
Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk do të mund të jenë ligjore nëse për caktimin e tyre, pyetet gatishmëria e Listës Serbe për pjesëmarrje, thanë të shtunën njohës të çështjeve politike.
Pas kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Lista Serbe një ditë më parë shprehu gatishmëri për të marrë pjesë në zgjedhje e jashtëzakonshme, por me kushtin që paraprakisht kryetarët aktualë të të të katër komunave të veriut të largohen me dorëheqje.
Analisti politik, Branislav Kërstiq, ka thënë se Qeveria duhet të ofrojë oferta të tjera për ta zgjidhur ngërçin politik sepse, sipas tij, nuk do të ishte demokratike të marrë pjesë një subjekt politik i cili vendos për veriorët, nëse duhet ose jo të marrin pjesë në zgjedhje.
“Nga Qeveria duhet të vijnë oferta për një zgjidhje konkrete. Sepse, zgjedhjet nuk janë ligjore nëse edhe qeveria vetë pranon se në veri ekzistojnë disa grupe që me presion dhe shantazh janë duke udhëhequr njerëzit të votojnë ose të bojkotojë. Domethënë ne jemi në problem”, ka thënë Kërstiq.
E profesori i Juridikut, Mazllum Baraliu, ka theksuar se gatishmëria që ka shprehur Lista Serbe është lojë e Beogradit për ta relativizuar kaosin që ka shkaktuar në veri, sidomos gjatë kohëve të fundit me sulmin e armatosur të grupit paraushtarak në Banjskë.
Ai ka theksuar se Qeveria nuk duhet t’i nënshtrohet një kërkese potenciale nga ndërkombëtarët për largimin e kryetarëve me dorëheqje.
“Kjo deklaratë ose kinse gatishmëri e Listës Serbe, nuk është asgjë tjetër përveçse vazhdim i lojës së Beogradit, përmes Listës Serbe në relacion për qëllimet e tyre destruktive tani kinse për të qetësuar gjakrat”, ka thënë Baraliu. “Në këtë situatë definitivisht nuk mundemi ne të bëjmë lëshime të radhës, t’i detyrojmë njerëzit që janë zgjedhur në mënyrë demokratike t’u themi jepni dorëheqje”.
Njëra prej rrugëve të reja për zgjedhje të parakohshme, që ka miratuar qeveria është Udhëzimi Administrativ, që mundëson largimin e autoriteteve lokale, nëpërmjet peticionit. Bazuar në të, inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës mund ta bëjë secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse. Por kërkesa duhet mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, në mënyrë që të organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës.
Sipas udhëzimit, nëse shumica e votueseve të komunës përkatëse nga lista përfundimtare e votuesve, 50+1 për qind votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni.
Shpallja e zgjedhjeve të reja në veri është një nga kërkesat e ndërkombëtarëve. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi e as në Zyrën e kryeministrit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me hapat e ardhshëm në funksion të organizimit të zgjedhjeve të reja në veri.