Arbëri

Haxhiu: Nuk është e qartë se çfarë do opozita

Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka të qartë se çfarë do – të konstituohet Kuvendi i Kosovës e më pas të procedohet me formimin e qeverisë së re. 

Por, ajo ka thënë se opozita nuk po di se çfarë do. 

“Nuk është e qartë se çfarë do opozita. Në vazhdimësi, siç e keni parë, ka qëndrime të ndryshme. E qartë se ata kanë preferenca, emra të përveçme. Por, ne bazohemi në të drejta kushtetuese e të drejtat kushtetuese vlejnë më tepër se çfarëdo preference. I takon Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit. Për VV-në me rëndësi të votohet Komisioni, të konstituohet Kuvendi e të hapet rruga për formimin e qeverisë”, ka thënë Haxhiu, pas dështimit të 19-të për konstituim të Kuvendit. 

Haxhiu po propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, por nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t'u zgjedhur.

Ajo ka thënë se VV-ja ka qenë e qartë se nuk do ta ndryshojë propozimin për kryetar të Kuvendit. 

“Nëse vazhdojmë me preferenca siç do opozita, atëherë do të kemi kryetar që i pëlqen opozitës, dhe nënkryetarë që i pëlqejnë pozitës. Nuk jemi për t’i pëlqyer njëri-tjetrit. Jemi parti politike dhe duhet të sillemi sipas rregullave kushtetuese. Situata është e qartë. Qëndrimi i Vetëvendosjes dihet. Ka tashmë plan për të penguar konstituimin e Kuvendit, por mendoj se është vendim i gabuar. Qytetarët presin nga ne ta konstituojmë Kuvendin e ta formojmë qeverinë”, ka thënë Haxhiu. 

 

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosovës

Dështon përpjekja e 19-të për konstituim