Arbëri

Haxhiu: Ka deputetë nga opozita që do të votonin pro në një votim të fshehtë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ka deputetë prej partive të tjera që do të votonin pro që Haxhiu të zgjidhej kryetare e Kuvendit, por kjo sipas saj, do të bëhej në një votim të fshehtë.

Ajo ka deklaruar në “Konfront” të KTV-së se ka pasur komunikime me deputetë të tjerë për një çështje të tillë, por refuzoi t’i tregonte cilët.

“Ne kemi pasur disa komunikime me deputetë të ndryshëm, edhe në Kuvend ka komunikime...Nuk do i quaja pazare, por diskutime. Është e vërtetë që disa prej tyre, me ata që diskutojmë, e konsiderojmë që janë të shqetësuar (me këtë bllokim v.j.). S’marr të drejtën që të flas nëse ata nuk flasin vetë. Ne s’kemi marrëveshje e as s’kemi pasur”, ka deklaruar Haxhiu.

Ministrja në detyrë ka shtuar se ka dëgjuar skenarë të ndryshëm gjatë kësaj periudhe.


Haxhiu: Kuvendi në bllokadë për fajin e opozitës, nuk di çfarë do

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka akuzuar opozitën për ngërçin në Kuvend të Kosovës. Madje ajo ka thënë se nuk mund ta kuptojë se “çfarë do opozita”.

Të premten, Kuvendi do të mblidhet për herën e 20-të në përpjekje për konstituim të legjislaturës së nëntë. Konstituimi konsiderohet i mbyllur kur të votohet kryeparlamentari. Haxhiu në votimet e para nuk mori më shumë se 57 vota, ndërsa ka disa seanca qëkur VV-ja ka provuar të bëhet votim i fshehtë, por kjo kërkesë s’po merr mbështetjen e partive të tjera.  

Nga opozita kanë thënë se nuk e shohin emrin e Haxhiut si të duhur për kryeparlamentare, ndërsa sipas deputetes së zgjedhur ndryshimi i fjalëve nga opozita  tregon “tendencë për të bllokuar konstituimin”.

“Gjithçka që është varur nga ne, ne e kemi bërë. Vota për nuk është bllokuese, por jemi në situatë të tillë ku Kuvendi s’është konstituuar sepse opozita në vazhdimësi ka deklarime të ndryshme. S’e kam shumë të qartë se cila është kërkesa reale e opozitës. Fillimisht kanë thënë se nuk e duam Albulena Haxhiun. LDK-ja as Albulenën as 47 deputetët tjerë. Ka pasur deputetë të saj që kanë thënë jo Albulenën por dikë tjetër. AAK-ja ka propozuar emra të përveçëm e PDK-ja fillimisht jo Albulenën e tash asnjë nga kabineti qeveritar. Duket se ka një tendencë për të bllokuar konstituimin për të mundësuar Qeverinë Kurti 3. Jemi të brengosur me mungesën e përgjegjësisë që po ndodh për momentin në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së të enjten.


Krasniqi: VV-ja asnjëherë s'e ka votuar kryeparlamentarin kur s'ka qenë në pushtet

Redaktori në Grupin KOHA, Besnik Krasniqi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk e ka votuar kryeparlamentarin gjatë kohës sa nuk ishte në pushtet. 

Përballë të propozuarës së Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, të enjten në “Konfront” të KTV-së, ai e pyeti atë se pse tani opozita duhet ta votojë atë?

“Nëse ne i referohemi proceseve të mëparshme zgjedhore do të shohim se Vetëvendosja thuajse asnjëherë nuk ka participuar në votimin e kryeparlamentarit kur nuk ka qenë pjesë e pushtetit. Ideja është që kjo; çfarë ka ndërruar? Pse është ky ndërrim rolesh, pse nuk vraponi fort pas parimeve. Një parim tetë vjet më parë ka qenë që vota e deputetit është e lirë dhe është e paprekshme, është parim në demokraci, pse tash duhet thënë se ky është kandidati dhe opozita duhet ta votojë?”, ka thënë ai. 

Haxhiu në përgjigjen e saj përmendi dy çështje, duke thënë se atëkohë nuk nevojitej vota e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa tani ekziston një rrethanë tjetër.

“E kemi shpjeguar edhe këtë situatë, në atë kohë nuk është se kanë pasur nevojë për votën e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk është varur, tani situata është që nevojitet vota e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. E dyta është Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014. Nuk mund ta kthej kohën dhe të jap mendim se çfarë do të bënim në atë kohë, por meqë kanë pasur marrëveshje subjektet tjera në atë kohë, nuk është se kanë pasur nevojë për Lëvizjen Vetëvendosje, prandaj kemi pasur qëndrim të tillë. Tani jemi në një rrethanë tjetër dhe besoj se është mjaft e rëndësishme që të dalim nga kjo situatë”, ka thënë ajo.