Arbëri

Kushtetuesja: Votimi për kryetar të jetë i hapur, kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm 3 herë

Kuvendi i Kosovë seanca e natës 26 korrik

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim. 

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me  Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës - procedimi i votimit të kryeparlamentarit. 

"TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë", thuhet në njoftimin për vendimin e Kushtetueses.

Gjykata ka urdhëruar të gjithë deputetët që të marrin pjesë në seancën e ardhshme konstituive, ashtu si edhe në votim. 

"TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë", thuhet në njoftim.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Vendimi i plotë: