Pavarësisht iniciativës së Gjermanisë për negociata të balancuara që e mundësojnë shmangien e tensioneve dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë shfaqur njëanshmëri kur vije puna te kompromiset që kërkohen prej palëve. Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime të njëanshme, teksa ka lavdëruar Serbinë për lëshimet e bëra në dialog
Diskutime konfidenciale i ka kualifikuar Gjermania propozimet e hedhura në tryezën e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të nismës franko-gjermane.
Në një përgjigje për KOHËN, nga Zyra për Media e Qeverisë Gjermane kanë thënë se angazhimi është që çështjet të trajtohen në mënyrë vendimtare dhe të shpejtë. Nga Qeveria në Gjermanisë nuk janë dhënë hollësi mbi propozimin, i cili kanë thënë të jetë diskutuar në konfidencialitet.
“Është bindje e fortë jona se çështjet politike lidhur me rrugën drejt normalizimit të plotë duhet të trajtohen në mënyrë më vendimtare dhe të shpejtë, ashtu që të mos ketë vend për përshkallëzim në terren. Në takimet e fundit të nivelit të lartë kjo është theksuar dhe propozimet për këtë qëllim janë diskutuar në mënyrë konfidenciale. Këto diskutime janë duke vazhduar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Qeverisë gjermane.
Iniciativa fillimisht është bërë publike nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai ka thënë se propozimi nga Gjermania dhe Franca nënkupton ulëse për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të Serbisë në BE. Nismën e ka konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti, porse ka thënë se propozimet janë vetëm test për palët që nuk mund të hidhen në publik.
Ndonëse pa dhënë detaje shtesë lidhur me përmbajtjen e propozimit, edhe presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ajo është serioze.
“Çdo iniciativë e partnerëve tanë është serioze. Iniciativa është që të intensifikohet procesi i dialogut dhe natyrisht si Franca, si Gjermania, kanë qenë historikisht partnere, aleate dhe mbështetëse të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani të martën.
Për propozimin është deklaruar edhe ambasadori amerikan në Serbi, Chrisptoher Hill.
“Sigurisht që kemi pasur diskutime të gjera me Bashkimin Evropian lidhur me të. E dimë që BE-ja ka zhvilluar diskutime të gjera me udhëheqësit këtu në Beograd dhe në Prishtinë. Nuk do të doja të hyja në detaje sepse ka diskutime të mëtejme që duhet të bëhen. Por, ne e mirëpresim interesimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së për ta adresuar këtë çështje dhe pasqyrimin e tyre në mënyrë që të ecet përpara”, ka deklaruar Hill. Por një zyrtar i lartë i BE-së e ka hedhur topin në anën e Kosovës, kur vije puna tek lëshimet që duhen bërë në dialog.
Në prezantim të raportit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka kërkuar më shumë konstruktivitet te Kosova në dialog, ndërsa te Serbia nuk e ka përmendur këtë çështje.
I pyetur nga eurodeputeti, Lukas Mandl, se përse po thuhet që Kosova të bëjë lëvizje në dialog e Serbia jo, Varhelyi ka sqaruar se duhet që të angazhohen të dyja palët, porse ka pasur kritika vetëm për Kosovën.
“Së fundi kemi parë që Serbia po bën lëvizje para në dialog, po bën lëshime, si çështja e letërnjoftimeve gjatë verës, që ishte përmirësim i rëndësishëm në dialog. Kemi parë veprime të njëanshme nga Qeveria e Kosovës, para kësaj. Ajo që është e nevojshme, të dyja palët të angazhohen pa veprime të njëanshme e dialogu të sjellë më në fund rezultat”, ka theksuar Varhelyi.
Angazhim diplomatik për t’i shtyri palët drejt një marrëveshjeje finale ka edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, të martën ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës Kurti dhe presidentin serb Vuçiq.
Blinkeni ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për rëndësinë e partneritetit bilateral dhe për angazhimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
“Pata bisedë të mirë sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Diskutuam për rëndësinë e partneritetit tonë bilateral dhe angazhimet e Kosovës drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik. Po ashtu e kam falënderuar Kosovën për përkrahjen e palëkundur për Ukrainën”, ka shkruar Blinken në “Twitter”.
Kurti ka thënë se me Blinkenin është diskutuar për marrëdhëniet Kosovë–Serbi dhe për nevojën për të intensifikuar procesin e dialogut drejt arritjes së një marrëveshje, me njohjen e ndërsjellë në qendër.
Por në Departamentin Amerikan të Shtetit kanë përmendur edhe një çështje tjetër që ka qenë në fokusin e bisedimeve të Blinkenit me Kurtin e Vuçiqin.
Ned Price, zëdhënës i Departamentit amerikan të shtetit, ka thënë se angazhimi i Sekretarit po bëhet me qëllimin që të mos ketë shpërndarje të konfliktit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe që të rritet mbështetja për Ukrainën.
“Sekretari po planifikonte t'u thoshte të dyja vendeve rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës, rëndësinë e qëndrimit me partnerët tanë ukrainas përballë këtij agresioni rus. Kjo është një pjesë e botës që i di më mirë se shumica tjetër pasojat e agresionit rus. Është një pjesë e botës që ka qenë një partner kyç për t'iu afruar partnerëve tanë ukrainas ndihmën që u nevojitet”, ka thënë Price në konferencën e rregullt për media.
Në tetor është paralajmëruar të zhvillohet një takim i nivelit të lartë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, por ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk e ka konfirmuar ende datën e takimit.
Takimi i fundit mes dy liderëve është zhvilluar më 18 gusht, pas paralajmërimeve për tensione në pritje të zbatimit të vendimeve të qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targa dhe letërnjoftime. Derisa për dokumentin hyrje-dalje në pikat kufitare është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos i pajisë qytetarët me letra të tilla, afati i qeverisë për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS skadon më 31 tetor. Serbia ka përmendur edhe mundësinë e rikthimit të tensioneve në kundërshtim të këtij vendimi, teksa emisari Lajçak ka përsëritur disa herë se është duke u bërë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje edhe për targat.