Arbëri

Gjarpërimi i Thaçit

Foto: Alban Bujari / Koha

Në Kosovë është një politikan që dy dekada më parë është dënuar për terrorizëm nga një gjykatë e Serbisë, por ky shtet e sheh partner kryesor për dialog; ka shtyrë formimin e një gjykate për krime, që supozohet të jenë kryer nga ushtarë të UÇK-së, dhe vetë është kthyer në viktimë të parë të saj; si dhe ka qenë prej eksponentëve kryesorë të kryengritjes për çlirim nga Serbia e edhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por populli tani do që të çlirohet nga ai.

Është presidenti Hashim Thaçi që, këtë javë, dha sinjale se mund të dorëhiqet, shkruan KOHA.

Dorëheqja e mundshme do të nënkuptonte që Thaçi të mos e çonte në fund asnjë nga funksionet më me rëndësi që ka mbajtur prej pasluftës. Si kryeministër i Qeverisë së përkohshme mundi të qëndrojë vetëm disa muaj, meqë menjëherë pas çlirimit ajo ishte zhbërë, për ta lënë qeverisjen e vendit tek një mekanizëm i përkohshëm administrativ i misionit të Kombeve të Bashkuara, që ishte vendosur në Kosovë, UNMIK.

Pasi partia e tij i fitoi zgjedhjet në fund të 2007-s, Thaçi u bë kryeministër, por është rrëzuar me mocion në Kuvend. Ishte vënë edhe në krye të qeverisë pasuese, e edhe ajo është rrëzuar po me mocion. Ndërkaq, përpara se të bëhej president, ka shërbyer për disa kohë si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, pozita që i la në gjysmë për t’u bërë shef shteti.

E, si president javën e shkuar mori lajmin për aktakuzën, përderisa ishte rrugës për në Uashington, ku planifikohej një takim Kosovë-Serbi në nivel presidentësh e kryeministrash, që ishte ftuar nga Richard Grenell, i caktuari i presidentit Donald Trump për ta ndërmjetësuar procesin e negociatave mes dy vendeve.