Viti 2025 ka qenë vit i humbur në diplomaci, ka thënë Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke theksuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur.
Gërgi ka shtuar se që nga fillimi i vitit nuk ka pasur progres në integrimin evropian dhe diplomaci, e se nëse shkohet në zgjedhje të reja, do të humben sërish edhe disa muaj të vitit të ardhshëm.
“Mund ta konsiderojmë si vit të humbur në diplomaci sepse nëse shkojmë prapa, zgjedhjet u mbajtën më 9 shkurt, mund të themi se nga fillimi i vitit deri tash nuk kemi pasur progres domethënës në integrimin evropian dhe diplomacinë me vendet perëndimore. Nëse e shohim muajt e ardhshëm, bisedat nga partia që ka qenë në pushtet apo ato opozitë janë më tepër për zgjedhje të reja sesa formim i një qeverie, që d.m.th që do humbnim edhe tre muaj të tjerë. Nuk kemi kohë për të humbur, ky ishte edhe mesazhi i Von der Leyen. Viti 2025 po se po është i humbur, por të shpresojmë se më 2026 të kemi përparime në këtë fushë”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.
Sipas Gërgit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk ka qenë fort pozitive karshi Kosovës në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që i ka vizituar.
“Nëse e shohim postimin e saj në X me tri kërkesa për Kosovës shihet se toni i komunikimit të saj nuk ishte aq pozitiv në krahasim me vendet e rajonit”, ka thënë ai.
Von Der Leyen ka adresuar tri porosi në X pas takimeve që ka mbajtur në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian është i përkushtuar për një të ardhme në të cilën “të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit”.
“Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Dhe po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.
Plani i Rritjes është pako për Ballkanin Perëndimor. Kosova nuk mund të përfitojë nga kjo pako për shkak të moskonstituimit të institucioneve. Ky plan është instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së. Kosova nga Plani i Rritjes pritet të përfitojë rreth 880 milionë euro.