Joserioz dhe si një hesap politik është kualifikuar deklarimi i kryeministrit Albin Kurti rreth gatishmërisë për të shkruar vetë një draft për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se ky qëndrim i kryeministrit, i shprehur pas pranimit të dokumentit evropian për Asociacionin, mund ta vendosë Kosovën në situatë të pafavorshme para faktorit ndërkombëtar
Si hesap politik në prag të zgjedhjeve të reja, që mund të mbahen vitin e ardhshëm, është interpretuar gatishmëria që kryeministri Albin Kurti e shprehu një ditë më parë për ta shkruar draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këtë gatishmëri Kurti e ka thënë tek iu përgjigj emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili deklaroi se draftstatuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.
Por ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se kjo deklaratë e kryeministrit, pas pranimit të draftit të propozuar nga Bashkimi Evropian, e vendos Kosovën në një pozitë të palakmueshme në raport me Perëndimin.
“Akrobacione politike të cilat ka mundësi t’i bëjë kryeministri dhe secili politikan, sepse i bën disa llogari në aspektin politik, e kjo na qet keq në raport me botën perëndimore dhe shtetet që po na ndihmojnë për ndërtimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
E tek e ka komentuar të shtunën deklaratën e Lajçakut, Kurti e interpretoi si kohë të humbur diskutimin e zhvilluar deri më tani në dialog mbi çështjen e Asociacionit.
“Unë pata ofruar më 18 mars, 1 muaj e gjysmë para 2 majit që tri parime - kushtetutshmëria, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, letra e Mogherinit dhe teksti i Chollet dhe Escobarit, të paraqesin principet mbi të cilat unë e shkruaj draftin. U pati thënë se është e papranueshme për Serbinë, rrjedhimisht çështja pati ngecur. Tash nëse draft-statuti i Asociacionit, prej ndërmjetësit thuhet se është një çështje e brendshme e Kosovës, ky është një regjistër tjetër i gjërave. Me fjalë të tjera, ne paskemi humbur kohë sa herë është ngritur Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në tryezën e dialogut në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Por Kryeziu ka shprehur mendimin se Qeverisë tani i mbetet që ta nënshkruajë draftin për Asociacionin, të cilin emisarët europerëndimorë e sollën në Prishtinë e Beograd më 21 tetor, dhe që më pas ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese.
“Nuk ka nevojë që ta bëjmë më një draft, për shkak se kjo ka kaluar në staza më të larta të bashkësisë evropiane. Detyrat e Qeverisë së Kosovës janë që ky draft të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe të bëhet vendim dhe atë ta nënshkruajë dikush nga Qeveria, respektivisht ministri Pushtetit Lokal dhe pas nënshkrimit apo dekretimit kjo shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese pastaj jep verdiktin e fundit”, ka thënë Kryeziu.
Kryeministri Kurti e pati pranuar planin evropian gjatë takimit që ka pasur me liderët e bllokut, porse zbatimin e tij e pati kushtëzuar me nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit të dakorduar në Ohër më 18 mars. E këtë pati refuzuar ta bënte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.