527 gjoba janë dhënë vetëm gjatë periudhës janar – maj të këtij viti nga Administrata Tatimore e Kosovës ndaj bizneseve për mosofrim të kuponit fiskal, e të cilat në këtë mënyrë kanë tentuar t’iu shmangen obligimeve tatimore. Në mënyrë që kjo dukuri të largohet, njohësit e çështjeve ekonomike kërkojnë nga Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore t’i pajisin bizneset me arkë fiskale
Gastronomia, shëndetësia, hoteleria e transporti janë disa nga veprimtaritë që iu shmangen obligimeve tatimore të shtetit, sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Nga ky institucion kanë thënë se për mosofrimin e kuponëve fiskalë, 527 gjoba janë shqiptuar për bizneset vetëm gjatë periudhës janar-maj të këtij viti.
“Nga fillimi i projektit janë instaluar 67,811 arka të instaluara. Veprimtaritë që nuk e zbatojnë ligjin për kuponë fiskalë janë gastronomia, shëndetësia, hoteleria, transporti. Për periudhën janar-maj 2024 janë shqiptuar 527 gjoba për mosfiskalizim. Vlera e gjobave nis nga 250 dhe varësisht shkeljeve që bizneset bëjnë”, thuhet në një përgjigje të ATK-së.
Mos dhënien e kuponëve fiskalë nga shumë biznese e pohojnë edhe qytetarët.
“Ka prej tyre që nuk kanë arkë fiskale ose paragon, mirëpo është shqetësuese se lufta më e madhe është që duhet ta luftojë është informaliteti, andaj nëse lëshohen kuponë fiskalë, faktikisht luftohet edhe informaliteti edhe legalizohet ekonomia”, ka thënë një qytetar. “Shteti duhet mu mbajte me kuponë fiskalë, me të zezë nuk bën asgjë. Duhet me marrë shembullin e Zvicrës, por edhe shteteve të tjera që me ecë përpara”, ka shtuar një tjetër qytetar.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, ka thënë se në mënyrë që për çdo shërbim qytetarët të pajisen me kupon fiskal, Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës duhet t’i pajisin bizneset me arkë fiskale.
“Është në interes të Ministrisë së Financave dhe ATK-së, që të subvencionojë ose financojë fiskalizimin, sepse nëse kjo do të fiskalizohej, të gjitha bizneset do të kenë pajisje të arkave fiskale dhe kjo do të gjenerojë të ardhurat për Ministrinë dhe për ATK-në”, ka thënë Qerimi.
Qerimi ka theksuar se rritja e fiskalizimit ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.
“Pa dyshim që rritja e fiskalizimit të bizneseve do të ndikon pozitivisht në ekonominë e Kosovës si dhe buxheti i Kosovës do të jetë pozitiv dhe do të ketë tatime më të mëdha dhe kjo do të ndikojë pozitivisht në bizneset e Kosovës”, ka shtuar ai.
Vite më parë, Ministria e Financave pati marrë vendim që t’i rimbursonte me një shumë të caktuar qytetarët të cilët mblidhnin një shumë të caktuar të kuponëve fiskalë dhe i dorëzonin në ATK. Kjo nismë u pati bërë për t’i vetëdijesuar qytetarët që për çdo blerje apo shërbim, të kërkojnë kuponin fiskal.