Disa familje në Ferizaj që kanë persona të rritur me aftësi të kufizuara po përballen me kushte të rënda ekonomike. Atyre së fundi u është ndërprerë edhe ndihma sociale me arsyetim se personat me aftësi të kufizuara e gëzojnë një pension invalidor në vlerë prej 150 eurosh.
Dhjetëra persona të rritur me aftësi të kufizuara në Ferizaj po vazhdojnë të ankohen se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale disa muaj më parë ua ka ndërprerë ndihmën sociale familjarëve dhe fëmijëve të tyre.
Thonë se kërkesat për ndihmë sociale po refuzohen nga institucionet lokale e qendrore me arsyetimin se e gëzojnë një të drejtë të pensionimit invalidor si persona “paraplegjikë dhe tetraplegjikë”.
Agron Rrahmani ka thënë se me pensionin invalidor nuk po mund të sigurojë as barna për veten dhe familjarët.
“Shqetësimi im është që e kanë ndalë një ndihmë sociale për fëmijë, jemi persona me aftësi të kufizuar. Qysh me rritë atë fëmijë ne, shteti duket të na ndihmojë, por jo me na ndalu socialin ashtu”, ka thënë Rrahmani.
Sipas Rrahmanit, kërkesat e familjarëve të tyre për ndihmë sociale janë refuzuar nga institucionet lokale e qendrore.
“Është problem për neve sepse me ato pare që i marrim shtesë mua më kushtojnë ilaçe, nëpër mjek, të shtrenjta shumë, nuk po mundemi me i a arritë me këtë pension që e marrim ne”, është shprehur Rrahmani.
Edhe Ekrem Karaliti thotë se me 150 euro si ndihmë pensionale nuk po mund të sigurojë mbijetesën për fëmijët dhe familjen.
“Ne si persona me aftësi të kufizuar që jemi, e kemi jetën tejet të vështirë, sa është e vështirë për ta mbajtur një fëmijë le ta kuptojnë, por sa është e vështirë edhe për neve që jemi në karroca që të jetojmë dhe të mbajmë familje dhe fëmijë ata le ta kuptojnë”, ka thënë ai.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thotë se ka bërë krahasimin e pagesave të dyfishta që realizohen nga skemat sociale dhe pensionale dhe me këtë rast ka rezultuar me largimin edhe të këtyre familjeve që përfitojnë pension paraplegjik dhe tetraplegjik.
Kjo ministri thekson se aktualisht është duke bërë plotësim-ndryshimin e disa akteve nënligjore të skemës së ndihmës sociale me qëllim të rregullimit të përcaktimit të saktë të të drejtave të përfitimit të një apo më shumë skemave.