Arbëri

Dy të mitur intervistohen nga Policia për përdhosje të flamurit kombëtar

Policia /ilustrim

Dy të mitur janë intervistuar nga Policia e Kosovës pasi janë parë duke shkelur dhe shqyer flamurin kombëtar, sipas një video-regjistrimi të publikuar dje. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Studençan të Suharekës dhe është cilësuar si një veprim i papërshtatshëm ndaj simbolit shtetëror.

Në një video që po qarkullon në media, shihet se të miturit vendosin flamurin kombëtar kuq e zi në tokë, e shkelin me këmbë dhe më pas e shqyejnë. Përveç kësaj, ata vendosin flamurin përsëri në tokë dhe kalojnë me veturë sipër tij.

Fotografi të shkëputura nga video

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha për KosovaPress se të miturit janë intervistuar në prani të prindërve të tyre. Gjatë intervistimit, ata kanë pranuar veprimin dhe kanë deklaruar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi, duke shprehur pendesë për sjelljen e tyre.

Bytyqi bënë të ditur se pas shqyrtimit të rrethanave, prokurori përgjegjës ka vlerësuar se nuk ka bazë për të nisur hetim penal, pasi veprimi është kryer pa vetëdije dhe nuk ka pasur qëllim për nxitje të urrejtjes apo përçmimi. Si rrjedhojë, rasti është mbyllur me një raport njoftues.

“Me datë 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar nga dy të mitur në Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuar nga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar. Prokurori përgjegjës, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se nuk ka bazë për hetim penal, pasi veprimi është kryer pa vetëdije dhe pa qëllim nxitjeje të urrejtjes. Rasti është mbyllur me raport njoftues”, ka thënë Bytyqi.

Ndërsa lidhur me këtë, OVL e UÇK-së, SHIL, SHFD, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria "Lëvizja" kanë bërë një reagim të përbashkët “ndaj përdhosjes së flamurit kombëtar në Suharekë”.

“Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, reagojmë me indinjatë të thellë dhe dënim të ashpër ndaj aktit të përdhosjes së flamurit kombëtar nga disa individë të papërgjegjshëm në qytetin e Suharekës”, thuhet në reagim.

Më të tej në reagim thuhet se flamuri kuq e zi është simboli i gjakut dhe sakrificës, simboli që frymëzoi një popull të tërë për liri, që u ngrit mbi barrikada, e në zemrën e çdo shqiptari që nuk u përkul para pushtuesit.

Sipas këtij reagimi, ky akt përbën, “fyerje të rëndë ndaj kujtimit të Dëshmorëve tanë, përbuzje të vlerave të luftës çlirimtare dhe provokon rëndë moralin kombëtar, që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi”.

“Ne, bashkërisht, kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e këtij akti të shëmtuar”, thuhet në reagim.

Këto shoqata i bëjnë thirrje publike që ky rast të mos relativizohet, sepse ai është pasqyrë e një krize të thellë morale që duhet trajtuar me seriozitet dhe jo me indiferencë.

“Theksojmë se flamuri kuq e zi nuk është vetëm simbol i një shteti apo kohe, ai është vetë identiteti ynë kombëtar”, thuhet në reagim.