Vendosja e kornizave të dialogut dhe data e takimit të ardhshëm pritet të vendosen pas takimeve që emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer, do t’i kenë me udhëheqësit institucionalë të Kosovës. Sipas analistëve, tashmë janë krijuar rrethanat për nisjen e negociatave që priten në qershor, por nuk përjashtohen as befasitë gjatë procesit
Shtytje të madhe rinisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me synim arritjen e një marrëveshje finale pritet t’i japin dy zyrtarët e lartë perëndimorë. Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer, javën e ardhshme do ta vizitojnë Prishtinën, ku do të takohen me udhëheqësit institucionalë. Derisa nuk është zbardhur ende agjenda e takimeve në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se nuk planifikojnë të japin deklarata para takimeve.
Sipas analistëve, vizita e Palmerit dhe Lajçakut është dëshmi se janë krijuar kushtet për rinisjen e dialogut megjithëse nuk përjashtohen befasitë.
“Duket se përfundimisht kemi hyrë në fazën finale të marrjes udhë të dialogut dhe që në fund ta kemi një produkt përfundimtar. Me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet dhe fuqinë politike që ka, besoj se janë krijuar kushtet dhe rrethanat që për shkak të pozicionit të Kosovës jashtë, por edhe fuqisë brenda- ta rehabilitojë marrëveshjen finale, e cila mbi të gjitha do të jetë e pranueshme edhe për Kuvendin e Kosovës. Këtu pastaj hyn edhe kjo pjesa tjetër se sa do të arrijë kryeministri që ta rehabilitojë edhe opozitën në fazën finale të dialogut. Element tjetër në prag të nisjes së dialogut, është ndryshimi i qasjes në raport me Serbinë sa i përket largimit të reciprocitetit. Jo rastësisht ka ardhur tërheqja e Kurtit nga reciprociteti”, ka thënë analisti Rasim Alija.
“Besoj të paktën që nëse dialogu do të marrë kahe jo të duhur, Kurti do të dijë të jetë i paparashikueshëm në kuptimin që dialogun e sheh si jo të favorshëm për Kosovën dhe mund të ndërmarrë veprime për rikthim të reciprocitetit dhe intervenim të mundshëm në veri me polici. Pozicioni që po tenton me ndërtu Kurti, i ka dhënë një impuls të ri, ku Kosova nuk konsiderohet si palë e dobët në procesin e dialogut. Por të gjitha këto hipoteza mbetet të shihen gjatë procesin dhe produktin final që mund të sjellin negociatat”.
Në prag të nisjes së negociatave, Qeveria ende nuk e ka prezantuar Platformën për dialogun me Serbinë. Në zyrën e kryeministrit nuk kanë treguar për angazhimet rreth këtij dokumenti, miratimi i të cilit parashihej edhe në programin e qeverisë Kurti 1.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me Kurtin, i ka dorëzuar atij edhe një dokument për pozicionin që Kosova duhet ta mbajë në dialog. Edhe PDK ka thënë ta ketë gati një Platformë për dialogun, zyrtarë të së cilës kanë shprehur frikën se Kurti do të bëjë kompromise të dhimbshme.
“Prandaj ndëshkoni këta mashtrues që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia – ndërsa sot bëjnë turr e vrap dhe janë të gatshëm për kompromise të rënda për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Prandaj mos u besoni këtyre mashtruesve që pretendojnë se historia duhet të nisë me ta, sepse kjo nuk do të ndodhë: Historia e Kosovës është historia e këtij populli dhe askush s’mund ta ndryshojë atë”, ka thënë Hoxhaj të dielën në Shtime, me rastin e prezantimit të kandidatit për kryetar komune.
Alija thotë se dialogu që pritet të nisë në qershor nuk duhet ta gjejë Kosovën pa strategji dhe platformë.
“Jo vetëm që duhej, por është e detyruar që ta ketë një platformë të qartë. Besoj se negociatat nuk do t’i fillojë pa një platformë të tillë. Edhe deklarata e fundit rreth reciprocitetit besoj se janë pjesë e kësaj platforme dhe pozicioni i Kosovës do të jetë më i favorshëm në negociata”, ka thënë ai.
Platformën e ka përmendur edhe presidentja Vjosa Osmani, pas një takimi që kishte zhvilluar më 7 prill me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett. Osmani ka thënë se angazhohet për një platformë të mirëfilltë me gjithë spektrin politik, duke cekur se theks të veçantë do t’u japë konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin.
Mbështetur në program, Qeveria angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe, teksa shpreh synimin që marrëveshja finale t’i trajtojë të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Paqartësitë e mungesa e transparencës e kanë shoqëruar procesin e deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo u konfirmua edhe pas vizitës së fundit të kryeministrit Kurti në Bruksel prej ku tha se informatat e sakta për dialogun e deritashëm i mori vetëm nga emisari Miroslav Lajçak.
Deklarata e kryeministrit Kurti nxiti reagime të opozitës, përfshirë paraardhësin e tij në krye të ekzekutivit.
Krahas dokumenteve zyrtare së fundi kanë qarkulluar edhe dy non-paperë, ku njëri flet për ndryshim kufijsh e tjetri për krijimin e distrikteve autonome brenda Kosovës. Ato janë refuzuar nga partitë në pushtet dhe opozita.
Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të deklarohet mbi këtë çështje me arsyetimin se nuk mund të komentojë dokumente të pakonfirmuara ose jozyrtare.
Përveç qeverisë, në procesin e dialogut do të angazhohen edhe ekspertë të jashtëm.
Grupi për Ballkan (BPRG), Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë, tashmë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet për angazhimin e tyre.
Sipas këtij memorandumi, ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe u vihen në dispozicion kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.