Arbëri

Diplomacia vazhdon të vuajë nga mungesa e koordinimit institucional

Pas rinisjes së dialogut me takimin Kurti–Vuçiq, prej ku kryeministri i vendit propozoi katër tema për të ecur përpara, rreth tyre nuk është deklaruar ende presidentja Vjosa Osmani. Një qëndrim ka munguar edhe për marrëveshjet e mëhershme, zbatimin e të cilave e kërkojnë SHBA-ja dhe BE-ja. Sipas analistëve, mungesa e koordinimit zë fill nga dallimet ideologjike që ka presidentja Osmani me Vetëvendosjen

Rruga e proklamuar nga Kurti prej ku duhet të nisë dialogu i ri për statusin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk dihet nëse ka mbështetjen edhe të shefes për Politikë të Jashtme. Presidentja Osmani nuk është deklaruar rreth katër propozimeve të Kurtit për fazën e ardhshme të dialogut, por as për obligimet e mëhershme, në të cilat insistojnë BE-ja dhe SHBA-ja.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili kishte shembur delegacionin shtetëror të emëruar nga ish-kryeministri Haradinaj, përcakton rolin e kryeministrit në procesin e dialogut Kosovë–Serbi. Kryeministri si udhëheqës i këtij procesi duhet të konsultohet me presidentin dhe të mbikëqyret nga Kuvendi i Kosovës.

Analistët thonë se deri tash ka munguar deklarimi i presidentes për shumë çështje të dialogut, gjë që konfirmon mungesën e koordinimit.

“Fatkeqësisht, edhe në këtë qeveri, si në të kaluarën, po shohim që nuk ka një koordinim të mirëfilltë mes krerëve institucionalë dhe kjo normalisht e vë në siklet diplomacinë kosovare. Në të kaluarën kemi pasur qëndrime të ndryshme për tema të njëjta nga presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari. Në fund, ministri i jashtëm është dashur të marrë njërën anë. Prandaj, do të ishte mirë që Qeveria, përpara se të merrte çfarëdo vendimi sa i përket politikës së jashtme, të ketë një debat shterues fillimisht brenda vendit e më pas të hartoheshin qëndrimet e shtetit jashtë”, ka thënë Emir Abrashi nga “Demokraci Plus”.

“Te tema e Mini-Schengenit, për shembull, ka një moskoordinim, ose të paktën nuk ka deklarime nga ana e ministres së Punëve të Jashtme apo presidentes, derisa e kemi një qëndrim të kryeministrit Kurti. Kjo temë është e një rëndësie të veçantë, sepse Kosova ka dhënë zotim për t’u bërë pjesë e Mini-Schengenit në Marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington. Dhe tash kemi një qëndrim të kryeministrit, i cili nuk është miqësor ndaj këtij entiteti”.

“Koha” ka pyetur në Presidencë dhe Ministrinë e Punëve e Jashtme nëse temat e propozuara janë rezultat i koordinimit mes tyre, por ka munguar përgjigja. Presidenca e ministrja e Jashtme deri tash nuk janë deklaruar as rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e Marrëveshjes së Washingtonit.

Sipas Abrashit, pavarësisht që garuan me një listë të përbashkët, Osmani ka qasje ideologjike ndryshe nga Vetëvendosja.

“Prandaj edhe këtu mund të jetë fillimi i këtij moskoordinimi brenda vendit. Megjithatë, deri më tani, të paktën është krijuar përshtypja se këta funksionojnë mirë me njëri-tjetrin, prandaj edhe për tema të mëdha duhet të ulen, të diskutojnë dhe të hartojnë qëndrime të përbashkëta”, ka theksuar ai.

Kurti në takimin e fundit në Bruksel propozoi që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

Propozimi i dytë ishte që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes, duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.

Ndërkaq, pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është propozuar reciprocitet bilateral.

Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, Kurti ka kërkuar që të largohet Veljko Odaloviq nga pozita për çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit.

Për kryeministrin Kurti, pika e vetme e vlefshme nga Marrëveshja e Washingtonit është njohja nga Izraeli.

“Siç e dini, kanë ndodhur ndryshime dhe ka pasur zhvillime të reja politike në Kosovë dhe rreth Kosovës, që nga 4 shtatori i vitit të kaluar kur u nënshkrua dokumenti me zotime në Washington. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e 15 qershorit në Bruksel i ka paraqitur katër propozime. Për Qeverinë e Kosovës, këto propozime janë baza prej nga duhet të nisë rruga e dialogut të ri për statusin e marrëdhënieve të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa u përket zotimeve të Washingtonit, më i vlefshmi e që tashmë është jetësuar, është njohja e Kosovës nga Izraeli”, kanë thënë në Zyrën e Kryeministrit.

Deklaratat e qeveritarëve për mospërfilljen e marrëveshjeve të mëhershme nxitën reagimin e ambasadorëve të huaj, të cilët kërkojnë përmbushjen e obligimeve të marra përsipër nga qeveritë paraprake. Së fundi, Departamenti Amerikan për Energji ia prezantoi Qeverisë edhe raportin e fizibilitetit për Ujmanin. Por, Kurti nuk është deklaruar ende rreth tij.

Rinisja e dialogut me takimin Kurti–Vuçiq në Bruksel shpërfaqi dallimet mes palëve. Derisa Kurti propozoi katër tema për dialog, Serbia vazhdon të insistojë në zbatimin e atyre që janë arritur. Kryesorja është marrëveshje për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, sipas Kurtit, nuk mund të ketë një asociacion etnik në Kosovë. Pavarësisht dallimeve, një takim tjetër është paralajmëruar para datës 25 korrik.