Arbëri

Dialogut i shtohen paqartësitë

Rikthimi i diskutimeve për ndryshim kufijsh në Ballkan pas publikimit të një “non paperi” slloven po konsiderohet i dëmshëm në kohën kur pritet të rinisin negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje finale. Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të deklarohet mbi këtë çështje me arsyetimin se nuk mund të komentojë dokumente të pakonfirmuara ose jozyrtare

I dëmshëm po vlerësohet rikthimi i diskutimeve dhe prezantimi i dokumenteve sikurse “non-paperi” slloven për ndryshim kufijsh, në prag të rinisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Prej disa ditësh në Slloveni, Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë ka pasur raportime se kryeministri slloven, Janez Jansha, pak muaj para se të marrë kryesimin e Bashkimit Evropian, ia ka dorëzuar një “non-paper” presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohet për rivizatim të kufijve. Aty përfshihet edhe ndarja e Kosovës.

Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të deklarohet mbi këtë çështje me arsyetimin se “nuk mund të komentojë dokumente të pakonfirmuara ose jozyrtare”.

Kryeministri Kurti në disa raste ka përsëritur se projekti për ndryshimin e kufijve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur.

E presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se pajtohet me kufijtë ekzistues, ku brenda Serbisë është edhe Kosova.

“Pajtohem me kufijtë ekzistues, që janë Serbia me Kosovën dhe Metohinë, Bosnjë-Hercegovina si e tërë, por duke respektuar integritetin e Republika Srpskas në kuadër të saj”, ka thënë Vuçiqi.

Sipas tij, “krijimi i Shqipërisë së Madhe” po flitet hapur dhe madje po intensifikohet teksa është ankuar se askush nuk po reagon ndaj saj.

Në lidhje me deklarimet e ish-diplomatit Timothy Les se Ballkani ka nevojë për shtete komb, duke folur për letrën e Janshas, Vuçiqi thotë se nuk mund të pajtohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“A e dini kush reagoi më shumë? Nuk janë nacionalistët, por nga shoqëria civile, por jo për shkak të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por ata u lënduan kur u përmend Republika Srpska. Kur e shkëputni Serbinë nga Perëndimi, atëherë është në rregull, atëherë nuk janë ‘kufij të pandryshueshëm’ e kur dikush përmend diçka tjetër, atëherë reagoni ndaj Serbisë. Mendoni se jemi kretenë të cilët mund t’i godisni në kokë me një shkop”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi duke thënë se po punohet në afrimin e qëndrimeve. Por duke reaguar ndaj deklarimeve të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se dialogu nuk është prioritet, Vuçiqi ka thënë se edhe Serbia nuk ka pse nxiton.

Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pranuar se e ka parë hartën me ndryshime kufijsh në shtetet e Ballkanit dhe se për këtë ka biseduar me kryeministrin slloven. Por ka refuzuar të komentojë për dokumentin.

Fillimisht nga Zyra e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, kishin konfirmuar pranimin e një “non-paperi” (dokument jozyrtar) që flet për ndryshim kufijsh, por më vonë kjo u mohua. Edhe Jansha kishte thënë se s’është takuar me Michelin dhe “nuk ka mundur t’ia dorëzonte asnjë dokument”. Megjithatë, ai nuk e mohoi në mënyrë kategorike.

Pas gjithë këtyre raportimeve, mediumi slloven “necenzurirano.si” publikoi një artikull në të cilin ka shfaqur dokumentin e përfolur. Tri pikat kryesore të prezantuara janë për, siç thuhet “Rrugën përpara për Ballkanin Perëndimor”.

E para, i bën një përshkrim të situatës aktuale. Aty thuhet se çështja kombëtare e serbëve, shqiptarëve e kroatëve nuk është e zgjidhur e se “duke u bazuar në metodat dhe ritmin ekzistues të zgjidhjes së problemit, është e vështirë të imagjinohet një perspektivë evropiane për Serbinë dhe Kosovën, e anëtarësim me të drejta të plota në BE për Bosnjë-Hercegovinën”.

Në pikën e dytë janë theksuar idetë për “zgjidhjen e problemit”.

Gjithçka nis me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, sipas dokumentit në fjalë.

“Në Kosovë, 95 për qind e popullatës dëshiron bashkimin me kombin origjinë. Situata është e ngjashme edhe në Shqipëri. Kufiri në mes të Shqipërisë dhe Kosovës de facto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës t’i garantohet një status special (sikur modeli i Tirolit Jugor)”, thuhet në pikën “a” të zgjidhjes.

Aty më pas kërkohet bashkimi i territorit të Republikës Serbe me Serbinë.

“Çështja e kombit serb do të zgjidhej në masë të madhe po qe se bashkohet një pjesë e madhe e Republikës Serbe me Serbinë. Në këtë rast, Serbia do të pajtohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Për kroatët është propozuar bashkimi i kantoneve kroate të Bosnjë-Hercegovinës me Kroacinë dhe sigurimi i një statusi special të pjesës kroate në Bosnjë me modelin e njëjtë sikur të Kosovës.

Te boshnjakët do të sigurohej funksionimi i shtetit të pavarur dhe përgjegjësia e plotë për të. Është përmendur edhe çështja e një referendumi për boshnjakët që të zgjedhin mes BE-së ose një të ardhmeje jashtë saj, sikur Turqia.

Për BE-në është propozuar që të lansojë implementimin e një programi të përgjithshëm ekonomik për stabilizim, infrastrukturë më të mirë dhe energji për rajonin.

Hapat që duhet ndjekur, sipas dokumentit të përfolur, janë në “procedurë të heshtur” me liderët e rajonit. Përmendet edhe bashkërendimi i qëndrimeve me liderët ndërkombëtarë.

Aty shtrohet nevoja e programit të përgjithshëm të komunikimit për të prezantuar planin në publik duke marrë parasysh qëndrimet në pjesë të caktuara të rajonit.

Sipas dokumentit, nëse për planin pajtohen BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e liderëve rajonalë, i njëjti duhet të iniciohet dhe formalizohet nga BE-ja.

Ide që sjellin panik

Njohës të rrethanave thonë se ende nuk janë tejkaluar rreziqet që prodhuan kundërthënie vitet e fundit.

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson se diskutimi për ndryshim kufijsh në Ballkan gjithmonë gjeneron debat, kundërthënie e edhe panik, duke u bazuar në kontekstin historik të këtij rajoni.

“Gjithsesi, një diskutim i tillë e ka përshkruar edhe dialogun Kosovë- Serbi gjatë dy vjetëve të kaluara. Teorikisht një rrezik i tillë mund të ekzistojë, por praktikisht është shumë e vështirë duke marrë parasysh kundërshtimin e Gjermanisë, dhe vendeve tjera të BE-së, ndërrimin e administratës amerikane (një skenar i tillë më shumë ka qenë i mundshëm të zbatohet nën udhëheqjen e presidentit Trump sesa tash) dhe nën tre; refuzimi gjithëpopullor brenda Kosovës ka treguar që një skenar i tillë do të ishte vështirë i zbatueshëm”, ka thënë Fetahu për KOHËN. “Sidoqoftë, diskutime të tilla para fillimit të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të shkaktojnë konfuzion për vetë procesin dhe lënë hapësirë për ngritje dyshimi. Por eliminimi i temës nga tavolina e negocimit dhe mohimi i skenarëve të tillë e sigurojnë minimumin e besimit për vazhdimin e negociatave”.

Ndërkaq analisti dhe gazetari Branislav Kërstiq i cili jeton në veriun e populluar me shumicë serbe thotë se rikthimi i diskutimeve për kufijtë gjithmonë prodhon pasiguri.

“Mendoj se ky është një pilot-ballon për të dërguar mesazh te popujt se ka një ide që duhet biseduar publikisht në Prishtinë, Beograd, Sarajevë, Banjallukë apo edhe Sanxhak. Por ne e dimë se për secilin popull të këtij rajoni- prej Sllovenisë e deri në Greqi kufijtë janë çështje e ndjeshme. Kjo ide nuk është e mirëseardhur në këto momente kur kemi situatën e rëndë me pandeminë dhe kohën kur negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës janë pezulluar. Nuk është koha për ndërrimin e kufijve në Ballkan edhe për faktin se fuqitë perëndimore, por edhe grupet e interesit nuk janë të interesuara për të diskutuar idetë e tilla”, ka thënë Kërstiq. “Kjo storje është duke nxitur romantizmin nacional të popujve të Ballkanit. A janë Kosova dhe Serbia për atë që në bisedime të ngrenë çështje të tilla, këtë nuk e di. Por me gjithë problemet pandemike dhe ekonomike që ekzistojnë, diskutimi për opsione të tilla nuk duket i përshtatshëm”.

Lajçak kundër negociatave për ndryshim kufijsh

Por emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, me të marrë detyrën ka përjashtuar mundësinë që të shtyjë negociata për ndryshim kufijsh.

Pas konstitutimit të institucioneve, nuk dihet se kur do të rinisin takimet e nivelit të lartë.

Peter Stano, zëdhënës për politikë të jashtme dhe çështje të sigurisë, i ka thënë KOHËS se kjo do të ndodhë në një afat të përshtatshëm.

“Angazhimet rreth dialogut dhe kontaktet tona me partnerët janë duke vazhduar. Ne do të njoftojmë për datën dhe agjendën e një takimi tjetër në Bruksel në një kohë të përshtatshme”, ka thënë Stano.

Ndërkohë Qeveria ende nuk i ka miratuar platformën dhe strategjinë për dialogun me Serbinë, që kërkon edhe shoqëria civile në vend.

Arbër Fetahu (GLPS) ka thënë se Qeveria e re duhet sa më parë ta formulojë platformën për dialog ku qartësohen parimet, objektivat, temat dhe përfaqësimi në dialog.

Sipas tij, Qeveria duhet të jetë proaktive në dialog dhe të mos jetë në pozicion defensiv.

“Konsensusi me gjithë spektrin politik duhet t’i paraprijë çfarëdo marrëveshjeje me Serbinë. Prandaj, një platformë e tillë do të duhej që të përcaktonte dy nivele që do të flisnin në emër të Republikës së Kosovës: Një, mekanizmin që e formëson pozicionin negociues të Kosovës në këtë dialog, përkatësisht atë që përcakton se çfarë është kufiri i substancës që Kosova mund ta negociojë në këtë proces; dhe dy, atë të përfaqësimit të atij pozicioni në takimet me palën tjetër, dhe të artikulimit të qëndrimit të Kosovës në tavolinën e dialogut. Prandaj edhe ndonjë kompromis eventual përtej të cilit nuk duhet të shkohet, duhet të nxirret vetëm në bazë të pajtueshmërisë së gjerë si parakusht për implementim të suksesshëm të marrëveshjes”, ka thënë Fetahu.

Megjithatë, janë dy pika për të cilat Fetahu thotë se nuk duhet të hapen për diskutim.

“1) Territori i Republikës së Kosovës nuk mund të bëhet objekt i negocimit, të çfarëdo lloji, në dialogun Kosovë - Serbi. Një ndalesë e tillë nuk është vetëm premisë kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për karakterin e Republikës së Kosovës dhe premisën mbi të cilën ajo ka fituar pavarësinë në vitin 2008, dhe mbi të cilën ka ndodhur intervenimi ndërkombëtar humanitar në vitin 1999. 2) Gjithashtu, çfarëdo intervenimi në rendin e brendshëm institucional dhe kushtetues që do të rezultonte në rrezikimin e funksionimit multietnik të organeve publike në Kosovë do të duhej të ishte rezultat i papranueshëm, përfshirë mbrojtjen nga monoetnizimi i institucioneve mbi çfarëdo baze”, ka deklaruar Fetahu.

Platformën e ka përmendur edhe presidentja Vjosa Osmani pas një takimi që kishte zhvilluar më 7 prill me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Osmani ka thënë se angazhohet për një platformë të mirëfilltë me gjithë spektrin politik, duke cekur se theks të veçantë do t’u japë konsultimeve me opozitën, si dhe përfshirjen e saj aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin.