Dialogu me Serbinë po shihet si çështja kryesore e Kosovës në politikën e jashtme, pavarësisht paralajmërimit të kryeministrit në ardhje se këtë e ka vetëm prioritet të katërt. Ndërkohë që janë shtuar zërat brenda Bashkimit Evropian që kërkojnë rinisjen e shpejtë të dialogut, njohës të këtij proces e shohin të domosdoshme hartimin e një platforme dialoguese.
Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se duhet unitet dhe qasje e strukturuar pavarësisht numrave në Kuvend.
“Ne edhe më herët kemi avokuar si Institut se është mirë që konsensusi t’i paraprijë marrëveshjes për dy arsye. E para, sepse dialogu nuk është çështje e zakonshme e politikës së jashtme, është çështje e imponuar dhe kruciale ndoshta për shtetësinë dhe legjitimitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. E dyta, duhet të jemi të përgatitur sepse gjatë dialogut do të vijnë disa tema ndoshta edhe të rënda që kërkojnë unitet dhe përgjigje konsensuale të gjithë spektrit politike”, ka thënë Fetahu. Ai ka shtuar se qeveria që pritet të formohet e ka legjitimitetin popullor për ta shtyrë përpara dialogun drejt arritjes së një marrëveshjeje finale.
“Qeveria e re duhet ta ketë një qasje serioze karshi këtij procesi dhe pavarësisht nëse përbën prioritet apo jo, kjo duhet të ndryshojë me ardhjen në pushtet. Duhet të krijohet një strategji e mirëfilltë dialogimi, të krijohet një platformë e cila i parasheh parimet themelore të negociatave dhe të tregohet se deri ku synohet të arrihet me këtë proces”, ka thënë Fetahu.
“Madje kjo qeveri e ka edhe legjitimitetin popullor sepse qeveritë e kaluara kanë pasur ngecje shkaku i mungesës së legjitimitetit. Kjo qeveri i ka të gjitha resurset dhe energjitë për ta çuar këtë proces përpara. Prandaj nuk është e udhës që të shkaktohen ngërçe përderisa nuk kemi imponim të ndonjë teme të dëmshme”.
Ndërkaq Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) vlerëson se, pavarësisht stabilitetit me numra kjo nuk është garanci se do të arrihet shpejt marrëveshje me Serbinë.
“Qeveria e Kosovës pas një kohe relativisht të gjatë duket që do arrijë të ketë stabilitetin e numrave në Kuvend, si dhe legjitimitetin elektoral, që në letër do të duhej të ishte një impuls për procesin e dialogut, pasi qeveritë e kaluara kanë vuajtur nga mungesa e këtyre dy elementëve”, ka theksuar Berisha.
“Sidoqoftë, kjo nuk është garanci se marrëdhëniet midis dy shteteve do të normalizohen me një marrëveshje të nënshkruar, pasi situata është e ndërlikuar nga shumë faktorë. Ndër të tjera, loja gjeopolitike e Serbisë nuk është njëkahore, por shumëdrejtimëshe, pra integrimi në BE për të nuk është prioritet, vetëm një nga opsionet”. Berisha ka përmendur edhe insistimin e komunitetit ndërkombëtar që të ketë një lëshim, apo siç quhet shpesh ‘kompromis’, nga ana e Kosovës ashtu sikur edhe Serbisë për të arritur tek nënshkrimi.
“Por Serbia e ka bërë të qartë që njohja formale de-jure e Kosovës është jashtë diskutimit”, ka thënë Berisha.
Në programin prej 52 faqesh, Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk i ka përmendur bisedimet me shtetin serb. E në disa intervista kandidati për kryeministër, Kurti, e ka përsëritur se dialogu është prioriteti numër katër- pas punësimit drejtësisë dhe pandemisë COVID- 19.
Por zyrtarë të Brukselit kanë thënë se presin angazhim të shpejtë dhe konstruktiv, në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse.
“Bashkimi Evropian ishte shumë e qartë në deklaratën e përbashkët të lëshuar të hënën nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Borrell, dhe komisari Varhelyi, se presim me padurim formimin e qeverisë së re dhe ndër të tjera gjithashtu presim që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me vazhdimin e takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzohet mundësia për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Po ashtu Gjermania dhe Franca nëpërmjet ambasadorëve në Prishtinë kanë konfirmuar gatishmërinë ta përkrahin vazhdimin e dialogut, që ndihmon në integrimin evropian të të dyja vendeve.
Dy vendet kanë uruar LVV-në, Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Gjermania e Franca urojnë qytetarët e Kosovës, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin për rezultatin e zgjedhjeve. Ne bëjmë thirrje në formimin e shpejtë të Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, pasi rezultatet të finalizohen. Gjermania dhe Franca me padurim presin ta përkrahin një agjendë ambicioze të reformave, përfshirë forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë do të vazhdojmë ta përkrahim Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Gjermania dhe Franca janë të gatshme për ta përkrahur kontinuitetin e dialogut të ndihmuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë në drejtim të integrimit evropian të dy vendeve”, është shkruar në postimin e tyre.
Kosova dialogon me Serbinë prej vitit 2011 dhe ka nënshkruar rreth 33 marrëveshje. Por shumë prej tyre ende nuk kanë gjetur zbatim në terren.
“Në përgjithësi, marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit dialogues në Bruksel nuk kanë pasur zbatim të kënaqshëm dhe madje është evidentuar edhe nga mediatorët e këtij procesi, pra përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE). Disa marrëveshje janë zbatuar plotësisht, disa pjesërisht, e disa nuk janë zbatuar fare. Ka pasur disa raporte edhe nga organizatat joqeveritare kosovare që kanë analizuar zbatimin e secilës marrëveshje dhe informacioni për shkallën e zbatimit deri tash nuk ka munguar”, ka deklaruar Berisha. Sipas tij, është legjitime që Kosova të insistojë në zbatim të plotë të marrëveshjeve, “por në të njëjtën kohë kemi qenë dëshmitarë për trysninë e ushtruar nga ana e BE-së për zbatim nga ana e institucioneve kosovare, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”. Berisha thotë se themelimi i Asociacionit është nënshkruar nga pala kosovare në dy dokumente më 2013 dhe 2015, dhe mbetet obligim me të cilin qeveria e re e Kosovës duhet të merret pashmangshmërisht.
Ai vlerëson se ka edhe disa tjera modele që do të provohen “por do duhej të kishte një transformim rrënjësor të qëndrimeve të palëve gjatë procesit, për të mundësuar një marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve”.