Për shkak të materialeve sekret shtetëror, mbledhja e Komisionit ka zgjatur pak, teksa kryetari Ulsi Manja ka kërkuar që anëtarët të jenë me certifikatë sigurie. Anëtari i këtij komisioni, deputeti Artur Roshi, ka kërkuar nga Komisioni që të ftojë për raportim një pjesë të komandantëve nga Shqipëria që kanë qenë në luftën e Kosovës apo në Hagë për të raportuar
Tiranë, 5 shkurt - Komision i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë është mbledhur ditën e premte për të diskutuar mbi Raportin e Dick Martyt, në të cilin pretendohet se në territorin e Shqipërisë ka pasur veprimtari kriminale të UÇK-së.
Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, ka thënë se janë depozituar dy raporte sekrete nga SHISH-i dhe nga Ministria e Jashtme. Ndërsa deputetja Klodilda Bushka ka thënë se dosjet e siguruara janë voluminoze dhe shqyrtimi i tyre do të kërkojë kohë dhe punë nga anëtarët e Komisionit.
“Prokuroria e Përgjithshme ka depozituar materialin e kërkuar nga ana jonë. Më 13 janar 2021, ka depozituar materialin e kërkuar MPJ-ja. Po ashtu, më 20 janar 2021 ka depozituar materialin Ministria e Drejtësisë, dhe më 26 janar 2021 Ministria e Brendshme. Po ashtu, janë vënë në dispozicion edhe dy materiale për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror. Një material nga SHISH-i, në dy kopje, po ashtu dhe një material nga MEPJ-ja në datën 15 janar, një kopje”, deklaroi Manja.
Për shkak të materialeve sekret shtetëror mbledhja e Komisionit ka zgjatur pak, teksa kryetari Ulsi Manja ka kërkuar që anëtarët të jenë me certifikatë sigurie. Anëtari i këtij komisioni, deputeti Artur Roshi, ka kërkuar nga Komisioni që të ftojë për raportim një pjesë të komandantëve nga Shqipëria që kanë qenë në luftën e Kosovës apo në Hagë për të raportuar.
Adem Shehu, ish-komandant i Brigadës 153, të Zonës Operative të Llapit, është i pari komandant nga Shqipëria që është paraqitur në Hagë, ku është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale në datat 28-29 janar. Shehu, i cili gjatë luftës njihej me pseudonimin “Komandant Buna 20”, është pyetur në cilësinë e dëshmitarit për dy episode gjatë luftës, që lidhen me rrëmbim personi, ushtrim dhune, fyerje, keqtrajtime fizike, deri në eliminime fizike. Është bërë e ditur se prokurorët e Hagës, në mënyrë specifike kërkonin të dinin nga Adem Shehu se çfarë informacionesh kishte ai në lidhje me “Repartin BIA” që komandohej nga Sali Mustafa i njohur me pseudonimin “Komandant Cali”. Prokurorët gjithashtu i kanë drejtuar pyetje komandant Adem Shehut se si drejtohej Komanda e Zonës Operative të Karadakut nën komandën e Ahmet Isufit. Ndërkohë që interesi i prokurorëve lidhej më së shumti tek urdhrat e dhënë nga Sali Mustafa dhe Ahmet Isufi për ata ushtarë të UÇK-së që thyenin disiplinën, si ndëshkoheshin ata dhe çfarë ndodhte më pas. Intervistimi i Adem Shehut në Hagë ka vijuar me pyetje që lidheshin me vendkomandat që operonin në rajonin e Gollakut. Prokurorët kanë kërkuar nga “Komandant Buna 20” të dinë detajet se kë stërviti dhe çfarë njohurish ushtarake u dha personave që do të shkonin në luftë, kur ai në Farkë ndërtoi një akademi ushtarake për të rinjtë që vinin nga Evropa për t’iu bashkuar formacioneve ushtarake të UÇK-së. Prokurorët e Hagës e kanë ballafaquar Shehun me disa dokumente të cilat ishin urdhra operacionale që mbanin firmën e tij kur e drejtonte Brigadën 153 të Zonës Operative të Llapit.
Referuar detajeve të botuara në një libër në Kosovë nga Adem Shehu, prokurorët kishin ndërtuar disa pyetje për Adem Shehun që lidheshin me bllokimin e aksit rrugor Leskovc-Mutivodë- Prishtinë, gjë e cila ndaloi përparimin e forcave serbe në Kosovë, ku edhe pas Marrëveshjes së Kumanovës Shtabi i Ushtrisë Serbe vendosi mospërdorimin e kësaj rruge.
Gjatë luftës në Kosovë, rreth 200 oficerë të ushtrisë shqiptare iu bashkuan UÇK-së duke dhënë kontributin e tyre në këtë luftë çlirimtare.
Në vitin 2012, me propozim të Kryeministrisë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin me nr. 53/2012 “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task-Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it”, në bazë të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të datës 25.1.2011. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave procedurale për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task-Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it. Miratimi i këtij ligji u ka hapur dritën jeshile hetimeve për llogari të EULEX-it në territorin e Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë votoi në një seancë plenare në fillim të dhjetorit të vitit që sapo lamë pas, për krijimin e një komisioni hetimor me synimin e grumbullimit të informacionit mbi hetimet e kryera më herët nga institucione vendëse dhe ndërkombëtare mbi krimet e kryera nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Shqipërisë gjatë luftës së zhvilluar dy dekada më parë. Synimi zyrtar i Komisionit është të mbledhë informacione dhe të hartojë një raport për gjetjet e tij. Ai synon gjithashtu të gjejë se çfarë kontributesh kanë dhënë institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë vendës për Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, i njohur si Raporti i Dick Martyt, i cili ngre dyshime për dhunime të rënda të kryera nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kosovë, si dhe në Shqipëri, ku UÇK-ja kishte baza operimi. Komisioni do të ketë gjithashtu për synim të hetojë “bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë”.
Ndërkohë që socialistët në Komisionin hetimor të ngritur në dhjetor të vitit 2020 shprehen të sigurt për mungesën e kampeve të UÇK-së në verlindje të Shqipërisë, kufi me Kosovën, pikërisht për këto kampe në Cahan të Hasit e në Kukës dhe për dhunën e ushtruar në to ka vendime gjykate të formës së prerë në Kosovë, ku Gjykata e Qarkut në Mitrovicë ka dhënë 40 vjet burgim për katër të akuzuar.
Një akuzë e tillë, për keqtrajtime në Cahan të Hasit e Kukës tashmë ekziston edhe për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Megjithatë, ekspertja e ish-Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY), Rudina Jasini, thotë se Prokuroria Speciale e ka zgjeruar objektivin e përgjegjësisë penale, pavarësisht se disa prej krimeve të ndodhura në burgjet e supozuara si në Kosovë e Shqipëri janë gjykuar nga gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it.
“Në Gjykatën Speciale nuk do të sillet asnjë çështje ashtu siç janë paraqitur në gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it. Në këtë rast, janë marrë disa elemente të veprave penale të pretenduara apo të supozuara dhe është ngritur një çështje tjetër. Pra, Prokuroria Speciale në prerogativën e saj e ka zgjeruar objektin e përgjegjësisë penale dhe e ka konturuar në mënyrë të tillë që mendon se mund të përligjë akuzën e ngritur”, ka deklaruar Rudina Jasini, avokate e të Drejtës Ndërkombëtare në Britaninë e Madhe, njëherësh eksperte e ish- Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY).