Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Demonstrohet amnisti për vjedhjen e 450 fletëvotimeve

Foto: Driton Paçarada / Koha

Autoritetet e ndjekjes kanë demonstruar amnisti për skandalin më të madh në zgjedhjet e 6 tetorit – atë të nxjerrjes së 450 fletëvotimeve nga një vendvotim në Runik të Skenderajt.

Nuk është arrestuar ndokush deri tash e as nuk është bërë kallëzim penal, ndërkaq jashtëligjshëm janë numëruar votat ku kishte ndodhur vjedhja.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndonëse rasti ishte raportuar ditën e votimit, në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Skenderaj kanë dëgjuar javë më vonë për rastin. Kurrkush nuk i kishte informuar. Madje, as autoritetet e rendit dhe ndjekjes. Informatën e kishin marrë nga raportimet e mediave që më 25 tetor kishin bërë për një mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

E dhëna është theksuar në një raport të KKZ-së së kësaj komune, që mban datën 27 tetor, e një kopje të të cilit e ka siguruar Koha Ditore.

“KKZ-ja nuk ka qenë fare e njoftuar nga personat e autorizuar që kanë qenë të emëruar nga KQZ-ja, e as nga menaxheri i Qendrës së Votimit, dhe për më keq as nga kryesuesi i KVV-së, por as nga vëzhguesit që kanë qenë prezentë gjatë gjithë ditës në vendvotimin 2114b/01R”, thuhet në raportin e nënshkruar nga kryesuesi dhe nga shtatë anëtarë të tjerë të KKZ-së. “Më shqetësuese është se KKZ-ja nuk është njoftuar për këtë rast as nga Policia dhe as nga Prokuroria. Zyrtarët e këtyre dy institucioneve që kishin qenë prezentë në këtë qendër votimi për këtë ngjarje, fare nuk e kanë parë të rrugës që të njoftohet KKZ-ja në Skenderaj, e cila sipas Ligjit për zgjedhje menaxhon dhe administron procesin zgjedhor në komunën tonë”.

Mbështetur në dokumente të siguruara nga gazeta, në orën 03:45 të ditës së votimit, në qendrën e votimit ku ka ndodhur vjedhja, ishte bërë pranimi i materialit të ndjeshëm, në të cilin bëjnë pjesë edhe fletëvotimet. Materialin për vendvotimin 2114b/01R e kishte pranuar kryesuesi A. Sh. (emër i njohur për redaksinë). Edhe në formularin e pranimit të materialit sensitiv, kopjen e të cilit e posedon gazeta, shihet nënshkrimi i tij, me të cilin konfirmon pranimin e 750 fletëvotimeve. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)