Mohimin që zyrtarë të Bashkimit Evropian ia bënë kryeministrit Albin Kurti në pretendimin se ishte i vetmi që paraqiti propozim në takimin e 14 shtatorit, njohës të çështjeve politike e kanë vlerësuar si të dëmshme për Kosovën në raport me dialogun. Ata theksuan se kësisoj është shprehur publikisht niveli i mosbesimit dhe problemet në komunikim midis lehtësuesve të BE-së dhe zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës
Demantimi që Bashkimi Evropian ia bëri kryeministrit Albin Kurti në pretendimin se ishte i vetmi që në takimin e 14 shtatorit në Bruksel paraqiti propozim, sipas njohësve të çështjeve politike, e shndërron Kosovën në palë mosbesuese në dialog. Pas takimit të së enjtes me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që u përmbyll pa asnjë rezultat, kryeministri Kurti ka thënë se e shtroi në tryezë një propozim për sekuencimin e implementimit të Marrëveshjes Bazë, porse një ditë më vonë në BE theksuan që ky pretendim është i pasaktë.
Augustin Palokaj, korrespondent i KOHËS në Bruksel, ka thënë se një deklarim i tillë kundërshtues nga zyrtarët e BE-së do të prodhojë rrethana të tjera për Kosovën brenda dialogut me Serbinë.
“Kemi gjithsesi një moment të ri tash, sepse e kemi të shprehur publikisht nivelin e mosbesimit dhe problemet në komunikim mes lehtësuesve të BE-së dhe zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës”, ka theksuar Palokaj
Edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë se me deklaratat e tij kryeministri Kurti e ka vënë Kosovën në një pozicion joserioz, ku demantimi nga zyrtarë të lartë të BE-së e vë në anën e palës së pabesueshme.
“Përgënjeshtrimi i BE-së është jashtëzakonisht i dëmshëm për imazhin e Kosovës, sepse e shndërron kryeministrin Kurti në një partner të pabesueshëm, i cili nuk është në përputhje me realitetin e ndodhur brenda katër mureve gjatë takimit”, ka deklaruar Muhaxhiri.
Në Zyrën e Kryeministrit dhe në Qeveri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me çështjen.
E një ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se në takim vetëm kryeministri i Kosovës prezantoi një draft substancial dhe gjithëpërfshirës.
“BE-ja dhe Serbia nuk paraqitën asgjë, por këmbëngulën për të akomoduar kërkesën e Serbisë për t’u fokusuar vetëm në AKSHS. Çdo raportim alternativ është një shtrembërim i qartë dhe i qëllimshëm i së vërtetës”, ka theksuar Bislimi.
E Palokaj vlerëson se kritikat e kësaj natyre janë adresuar për ta paraqitur BE-në si një ndërmjetëse që anon më shumë nga Serbia.
“Në BE u ka mbetur hatri pse Kosova e ka bërë publik dokumentin e Serbisë, por duket se Qeveria e Kosovës këtë e ka bërë për të dëshmuar atë që thotë, e është kritikë ndaj lehtësuesve, se kanë marrë shumë parasysh qëndrimet e Serbisë për të kushtëzuar Kosovën”, ka thënë Palokaj, teksa ka vlerësuar edhe ai se, dokumenti të cilin e ka prezantuar Bashkimi Evropian u jep përparësi të madhe kërkesave të Serbisë, pasi që në fokus, sipas tij, është vënë Asociacioni.
Pas takimit të së enjtes, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, kishte deklaruar se Kurti nuk ishte i gatshëm që të ecet para me fillimin e themelimit të Asociacionit dhe se insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë. Analisti Muhaxhiri ka thënë se ideja që të shkohet me kërkesa maksimaliste, dhe të këmbëngulet në to pa bërë diplomaci e kompromise mund ta rrezikojë edhe vazhdimin e dialogut. Ai ka deklaruar se prishja e urave bashkëpunuese me BE-në dhe me Shtetet e Bashkuara mund t’i sjellë vetëm dëm Kosovës në aspektin e aspiratave në dialog.
“Qeveria e Kosovës, respektivisht kryeministri Kurti, i ka humbur frekuencat e bashkëpunimit edhe me BE-në, edhe me SHBA-në, dhe do ta ketë shumë vështirë që t’i imponojë agjendat e veta, kërkesat e veta në këtë kontekst tejet të vështirësuar të negociatave”, ka thënë Muhaxhiri.
Pas takimit të 14 shtatorit, kryeministri Kurti ka deklaruar se dialogu vështirësohet sa herë që ai tregohet konstruktiv e bën propozime.
Bashkimi Evropian, si lehtësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka insistuar, një ditë pas takimit Kurti-Vuçiq, se presidenti i Serbisë e ka pranuar propozimin e kompromisit të BE-së për implementimin e marrëveshjes, ndërsa kryeministri i Kosovës e ka refuzuar.
Në të njëjtën kohë një zyrtar i BE-së në Bruksel ka thënë se pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në takimin e djeshëm vetëm ai ka paraqitur propozim të sekuencuar për implementim, thjesht është i pasaktë.
Por një dokument që është siguruar nga burimet e BE-së e që thuhet se ishte propozimi në fjalë mban datën e 19 korrikut të këtij viti. Të njëjtat burime e kanë quajtur si joreal dhe jopraktik propozimin që në takimin e së enjtes e ka paraqitur kryeministri Kurti, sepse ai aty insiston në njohjen de fakto të Kosovës së pari e pastaj në gjëra të tjera. Po ashtu, joreal e kanë quajtur edhe propozimin e Serbisë duke thënë se vetëm propozimi i kompromisit i BE-së mundësonte tejkalimin e dallimeve mes palëve.
Kryeministri i Kosovës të enjten e ka akuzuar lehtësuesin e BE-së se ka pranuar që kushti i Serbisë të bëhet propozim i Bashkimit Evropian. Akuzat nga Kosova ky zyrtar i BE-së i ka quajtur për keqardhje.
Dokumenti i BE-së bën të qartë se implementimi i marrëveshjes do të koordinohej duke pasur si bazë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe së pari, që nuk përmendet me këtë emër, por si instrument për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë.
©