Arbëri

Dema: Janë mbi 120 dëshmi direkte në aktakuzën për dëbimin e shqiptarëve

dema

Atdhe Dema, prokuror për krime lufte, ka folur për aktakuzën në mungesë, ndaj 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 863 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova, gjatë luftës së fundit

Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se është akuzë që lidhet me krimet e luftës dhe në përgjithësi ka të bëjë me dëbimin e qytetarëve të Kosovës në periudhën janar-qershor 1999.

Sipas tij, janë 21 persona për të cilët kanë gjetur prova për të ngritur aktakuzë.

Dema ka thënë se bëhet fjalë për nivelin e dytë komandues në nivel shtetëror të atëhershëm të Serbisë.

Ka thënë se bëhet fjalë edhe për ushtarë dhe policë të Serbisë.

“Kjo akuzë është për zinxhir komandues. Kjo është një ndër akuzat më të mëdha. Është mjaftë voluminoze, është bërë punë e madhe në këtë aspekt nga faktorë të ndryshëm. Duke pasur parasysh që kjo aktakuzë që përfshinë tërë territorin e Kosovës, mund të themi se është më e madhja. Vendimi për fillim të hetimeve është marrë në vitin 2022. Janë tri vite intensive që kemi nisur me hetim të rastit. Por ne kemi nisur punën ende më herët lidhur me studimin e rastit konkret.

Ai tutje ka treguar më shumë detaje që përfshinë aktakuza.

“Ka ekzistuar një organizim i atëhershëm për t’i larguar shqiptarët nga zonat e veta. Ka qenë shkatërrimi sistematik i pronës civile që përfshinë djegien e shtëpive, pastaj edhe veprime të tjera që kanë rezultuar edhe me dëbimin jashtë kufijve të Kosovës”, ka thënë ai. “Janë 863 mijë shqiptarë të dëbuar në periudhën janar-qershor 1999”, ka thënë ai duke folur për aktakuzën, për çka ka thënë se shifrat i kanë marrë nga UNHCR-ja.

Ai ka thënë se dëshmitë janë bindëse, të fuqishme dhe shumë tronditëse.

Ka shtuar se në akuzë janë mbi 120 dëshmi direkte.

Dema ka thënë se shumë prej dëshmitarëve edhe nuk janë gjallë.

“Është fat i madh që ka ende dëshmitarë të gjallë të cilët e kanë ende të freskët kujtesën për çka ka ndodhur. Ne mendojmë që kemi ofruar prova të bollshme, ka shumë materiale. Kemi shfrytëzuar edhe dokumentacionin e Gjykatës në Hagë”, ka thënë ai.

Ka thënë se është aktakuzë në mungesë dhe se është në dorë të Gjykatës se kur do të nis procesi gjyqësor.

Dema ka thënë se supozojnë që shumica e të akuzuarve janë  në territorin serb, duke shtuar se do të bëjnë çmos që të sigurojnë prezencën e tyre.

Ai tha se sfidën e sheh të numri i madh i dëshmitarëve dhe se do të marrë kohë dëgjimi i tyre.

“Për momentin i kam 6 raste për krime lufte, tri janë në mungesë tri janë të rregullta. Besoj që 1 deri në dy aktakuza pritet të ngritën nga ana ime”, ka thënë ai.

Të pandehurve që Prokuroria i akuzon në mungesë, nuk u është publikuar identiteti. Por inicialet e tyre janë: Z. P., M. C., R. M., D. A., O. S., Ž. T., G. R., B. J., S. I., B. V., S. P., N. P., K. J., L. S., B. D., R. S., D. Z., M. Gj., L. C., B. F. dhe M. K..

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022. Gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit.

Por ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas dokumentit të deponuar në gjykatë, të 21 të pandehurit akuzohen se, në cilësinë e personave me përgjegjësi komanduese, gjatë periudhës janar-qershor 1999, kanë qenë të përfshirë në dëbimin e dhunshëm të popullsisë civile shqiptare nga territori i Kosovës.