Arbëri

Deformimi i fusnotës

Përveç prezantimit të zyrtarëve shtetërorë me fusnotë, asterisku i cili doli si kompromis në vitin 2012 vazhdon të përdoret në dokumentet zyrtare të institucioneve evropiane, në disa prej tyre i deformuar. Në dokumentet që ka identifikuar KOHA, krahas Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, nuk përmendet edhe Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përkitazi me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. Në komunikimet e Qeverisë me këto institucione është kërkuar që fusnota të përdoret sipas Marrëveshjes së Brukselit. Por kërkesa nuk është përfillur

Prezantimi i Kosovës me fusnotë po vazhdon edhe pas gati 10 vjetësh që kur ishte nënshkruar marrëveshja e cila i hapi rrugë përfaqësimit në nismat rajonale. Përveçse nuk u shkri, ndër vite ajo është deformuar, ku mungon pjesa e cila i referohet opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përkitazi me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. Veç paraqitjes së zyrtarëve të shtetit me fusnotë, ajo është prezente edhe në dokumentet evropiane.

Por në një raport të lëshuar nga Sekretariati i Konventës së Këshillit të Evropës për Veprimin Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, i njohur si “Greta”, që u publikua në tetor, fusnota është deformuar.

Përveç paraqitjes së asteriskut në secilin rast ku citohet Kosova, ajo nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Referenca se emri Kosovë nuk paragjykon statusin dhe është në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara nuk është shoqëruar edhe me Opinionin e GJND-së.

“Të gjitha referencat për Kosovën, qoftë territor, institucion apo popullsi, në këtë tekst do të kuptohen plotësisht në pajtueshmëri me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës”, thuhet në përshkrimin që i bëhet fusnotës.

Por në konkluzionet e dakorduara më 24 shkurt 2012, fusnota që aplikohet në asterisk duhet ta përfshijë edhe Opinionin që i referohet Deklaratës së Pavarësisë.

“Ky shënim është pa paragjykim të pozicioneve për status dhe është në linjë me RKSB 1244 dhe Opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë”, thuhet në pikën 3 e cila flet për aranzhimet lidhur me përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Në komentet që Ministria e Punëve të Brendshme ia ka dërguar Këshillit të Evropës ka pasur edhe një kërkesë sa i përket fusnotës.

“Nëse raporti do ta përmbajë fusnotën, ne do t'ju nxisim ta përdorni praktikën e Bashkimit Evropian kur i referoheni Kosovës, e cila përdor fusnotën/yllin vetëm një herë dhe vetëm në fillim, me të gjitha shënimet e tjera shpjeguese. Ne besojmë se është e panevojshme të përdoret asterisku sa herë që përmendet Kosova. Prandaj, ju bëjmë thirrje që ta fshini asteriskun në të gjithë tekstin”, thuhet në kërkesën e Ministrisë.

Por kjo kërkesë nuk është përfillur dhe aty ku përmendet Kosova ka asterisk.

Ndryshe prej Këshillit të Evropës, në mënyrë të rregullt fusnotën e ka përdorur Komisioni Evropian në raportin e publikuar së fundi për Kosovën.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se çështja e fusnotës do të duhej adresuar në dialog me Bashkimin Evropian.

“Aktualisht fusnota është çështje më e rëndësishme sesa vetë dialogu mes Kosovës e Serbisë, për shkak se me zgjidhjen e këtij problemi Kosova do ta kishte të sigurt në rrugëtimin e saj euroatlantik- anëtarësimi në NATO dhe rrugëtimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Me zgjidhjen e fusnotës, po supozojmë se do ta kemi njohjen nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë. Kjo do ta relaksonte edhe dialogun Kosovë-Serbi. Natyrisht, gjatë rrugës fusnota edhe po devijon në disa elemente të tjera. E, në disa vende nuk po merret parasysh as vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Kështu që mendoj se fokusi i dialogut duhet të jetë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për njohjen e plotë të Kosovës nga ana e BE-së”, ka thënë analisti Dritëro Arifi për KOHËN. “Mendoj se ndoshta strategjia e re e Republikës së Kosovës do të duhej të fokusohej në dialogun Kosovë-BE vetëm për atë njohjen nga pesë vendet që s’e kanë bërë ende këtë. Kjo ndoshta do të ishte fitorja më e madhe e Republikës së Kosovës në këtë fazë, sepse dhe ashtu deri në maj të vitit të ardhshëm nuk besoj se do të kemi dialog serioz mes Kosovës dhe Serbisë”.

Debati për fusnotën u rikthye pas paraqitjes së kryeministrit Albin Kurti përballë përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel.

Sa ishte në opozitë Vetëvendosje e kishte kritikuar marrëveshjen e arritur atëkohë nga ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.

Partitë në opozitë kanë deklaruar se paraqitja e Kurtit e qasja e tij ndaj BE-së nuk janë të duhura.

Sipas Abelard Tahirit të PDK-së, Kurti është dashur ta ngrinte si çështje përfaqësimin e Kosovës pa fusnotë e jo të prezantohej me të.

“Po shihet se zotëri Kurti s`ka pasë as kurajën dhe mundin me ngrit këtë çështje. E ka marrë si të mirëqenë, siç kanë vazhduar gjithë kryeministrat e tjerë”, kishte deklaruar Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë javën e kaluar.

Por zyrtarë të partisë në pushtet kanë rikujtuar se Marrëveshja për fusnotë nuk ishte kundërshtuar nga ata që sot po e ngrisin si problematikë.

“Këta që sot shtiren kinse janë kundrejt fusnotës, asokohe kur fusnota u instalua nuk e thanë asnjë fjalë të vetme kundër asaj marrëveshjeje (por as edhe të tjerave), përkundrazi iu bashkuan Qeverisë së asaj kohe kinse fusnota ‘do të shkrihej porsi fjolla e borës’, prandaj këta askush nuk i merr seriozisht. Fusnota dhe shumë marrëveshje të tjera sikurse edhe ajo për Asociacionin ishin dhe mbesin të dëmshme”, është kundërpërgjigjur ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në shkurt të 2012-s, kur ishte firmosur marrëveshja, ish-ministrja për dialog, Edita Tahiri, kishte thënë se asterisku do të hiqet shpejt nga denominimi shtetëror.

“Kjo është një fjollë bore, e cila do të bjerë me largimin e dimrit”, pati theksuar ajo.

Prej atëherë kanë shkuar 10 vjet dhe përkundër temperaturave të larta gjatë verës, “fjolla e borës” ka mbijetuar.