Deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari për injorim arbitrar të kërkesë së PDK-së për 10 minuta konsultë lidhur me votimin e Dimal Bashës për kryeparlamentar.
Çitaku, po ashtu, kritikoi Deharin për siç ka thënë ajo, përdorimin e gjuhës së papranueshme ndaj deputetes Sala Jashari.
“Kryesuesi i Kuvendit, ashtu siç ka vepruar tash e gati pesë muaj, edhe sot udhëhoqi me arbitraritet – duke na e mohuar kërkesën krejtësisht legjitime për një konsultim 10-minutësh, para votimit për deputetin Dimal Basha – i cili edhe vetë dukej i befasuar nga ky propozim. Si pasojë, ne nuk votuam kundër, por abstenuam. Në këtë video vërtetohet qartë, jo vetëm se Kryesuesi e ka dëgjuar dhe parë kërkesën tonë, por dëgjohet edhe gjuha e papranueshme që ai përdori ndaj deputetes më të re të Kuvendit, Sala Jashari, e cila insistonte për pauzën 10-minutëshe: “Veç rri ti, veç rri. Edhe unë po i dëgjoj, sikur ti që i dëgjon”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka thënë se një qasje e tillë jorespektuese nuk është qasje që kërkon zgjidhje
“Prandaj, e ftojmë Kryesuesin që të reflektojë dhe të udhëheqë Kuvendin me respekt, dialog dhe përgjegjësi institucionale – siç i takon”, ka kërkuar Çitaku.
