Në një bisedë të gjatë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, politikani nga Vojvodina, Nenad Çanak dha një pasqyrë të zymtë për gjendjen aktuale politike në Serbi, duke kritikuar jo vetëm regjimin e Aleksandar Vuçiqit, por edhe “të ashtuquajturën opozitë dhe mediat që pretendojnë se janë të pavarura”. Sipas Çanak, opozita nuk ka për qëllim të ndryshojë sistemin autoritar dhe të korruptuar në Serbi, por vetëm të zë vendin e atyre që aktualisht janë në pushtet.
“Media opozitare po do vetëm që të tjerë të jenë në pushtet dhe të tjerë t’i paguajnë”, ka thënë ai, duke theksuar se shumica e mediumeve që prezantohen si “të lira” në fakt prodhojnë liderë të opozitës “me porosi” – kush paguan, shfaqet në ekran; kush nuk paguan, zhduket nga debati publik.
Ai shtoi se rebelimi që po ndodh në Serbi nuk është kryengritje kundër fashizmit, por një reagim i përkohshëm dhe i paorganizuar ndaj një “gjendjeje pa identitet”, që nuk përbën trajtim të sëmundjes reale që po e gërryen vendin.
“Ky është rebelim kundër simptomave, jo kundër diagnozës”, u shpreh ai, duke përdorur metaforën e sëmundjes për të përshkruar krizën politike dhe shoqërore në Serbi.
Çanak foli për mungesën totale të mediave të pavarura në Serbi dhe censurën që ka përjetuar vetë.
“Jam ndaluar në të gjitha mediat elektronike në Serbi. Madje edhe një deklaratë ime u transmetua vetëm si përkthim nga përkthimi”, ka thënë ai, duke e quajtur këtë situatë absurde dhe dëshmi të kontrollit të plotë mediatik.
Ai shpjegoi pse këtë herë nuk është aktivisht në rrugë, ndonëse familjarët e tij janë – djali në ndihmë humanitare në Ukrainë dhe ish-bashkëshortja në arrest shtëpiak për pjesëmarrje në protesta. Sipas Çanak, pjesëmarrja e tij do të instrumentalizohej nga regjimi për të sulmuar protestat, duke e kthyer fokusin te ai dhe jo te kërkesat e qytetarëve.
“Ka karburant në rrugë, por nuk ka makinë ku të derdhet”, shtoi ai, duke vënë në dukje mungesën e një strukture politike të organizuar që do ta kanalizonte këtë energji në një ndryshim real. “Në vitin 2000 kishim DOS-in, partitë me program dhe marrëveshje konkrete. Sot kemi vetëm kërkesa për dorëheqje individuale, që nuk ndryshojnë asgjë”.
Për të, problemi themelor i Serbisë nuk është thjesht korrupsioni apo autoritarizmi, por mungesa e një diagnoze të saktë dhe e vërteta si pikënisje për ndryshim.
“Serbia sot mbështetet mbi dy gjëra: gënjeshtra dhe interesin privat”, përfundoi Çanak.
