Arbëri

(Ç)kapja e shtetit

Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Ditën kur është votuar Qeveria që ia propozoi Kuvendit, Albin Kurti dha zotimin para deputetëve se Ekzekutivi i drejtuar nga ai do të shquhet për kursim të parasë publike, për qeverisje të mirë, e veçmas për çkapje të shtetit. Me çkapje nënkuptonte departizimin e depolitizimin e administratës shtetërore, të agjencive dhe të ndërmarrjeve publike, si dhe çlirimin e sistemit të drejtësisë.

Për më shumë se një dekadë, Kosova ka qenë një shtet i dobët e me pushtet të fortë. Subjektet që e kanë dominuar skenën politike gjatë kësaj kohe kanë instaluar kontrollin në të gjitha hallkat, duke i kthyer ato në funksion të interesave të tyre, të individëve ose të grupeve rreth tyre. Edhe Rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian, e nxjerrë në nëntor të 2018, e ka cilësuar Kosovën si vend me elemente të shtetit të kapur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Partia Demokratike (PDK) ka qenë gjatë gjithë kohës në Qeveri dhe në pjesën më të madhe ka udhëhequr atë. Dalja në publik e përgjimeve të eksponentëve kryesorë të kësaj partie ka dëshmuar se si instaloheshin njerëz në krye të gjykatave e prokurorive, policisë e ndërmarrjeve publike, e madje si diktoheshin edhe vendimet e Kuvendit.

Kjo parti nuk është hisedarja e vetme. Lidhja Demokratike (LDK) ka bashkëqeverisur kohë të gjatë me të, por edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma Socialdemokrate (NS) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR).

LVV-ja është vënë në pushtet tek këtë muaj. Ajo ka mbërritur në fron, duke premtuar edhe çkapjen e shtetit, nëpërmjet vetingut në institucione të drejtësisë e sigurisë, nëpërmjet depolitizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike, dhe nëpërmjet demonopolizimit të tregut. 

Vetingu është paraparë të bazohet në tri elemente vlerësuese kryesore: integritetin profesional, përgatitjen profesionale dhe raportin me grupe politike ose kriminale. 

Megjithëkëtë, LVV-ja e ka ndarë pushtetin përgjysmë me LDK-në, njerëzit e së cilës ndodhen në shumë nga hallkat. 

“Ne do ta heqim Ekzekutivin brenda drejtësisë e mbi drejtësinë. Me qeverisjen tonë s’do të ketë as individë, as parti e as kompani më të fuqishme se shteti. Do ta ndalojmë korrupsionin në institucione, do ta luftojmë korrupsionin në shoqëri”, është zotimi i kryeministrit të ri. 

“Do të ndërmerren hapa në drejtim të dekriminalizimit dhe kthimit të besimit në sistemin e drejtësisë dhe atij të sigurisë, përfshirë vetingun dhe krijimin e institucioneve të veçanta për luftim të korrupsionit. Vetingu fillimisht do të jetë i përgjithshëm, mandej i vazhdueshëm”. 

Korrektimi i vendimeve

Vendimet e tipit të kapjes nuk kishin pushuar së marri as në ditët e fundit të qeverisë që ishte në ikje. Veç dhjetë ditë përpara se ta linte Zyrën e kryeministrit, Ramush Haradinaj kishte nënshkruar një vendim, nëpërmjet të cilit Bahri Berishës i jepej një mandat i ri si drejtor i Doganës. Vendimi nuk kishte bazë ligjore. 

Mandati i tij i parë do të përfundonte më 8 shkurt, pesë ditë pasi Haradinaj duhej ta lëshonte zyrën, dhe në vend të tij do të ulej Albin Kurti. Kryeministri i ri konsideroi se pararendësi veproi jashtëligjshëm. 

Kjo meqë, neni 5 i Kodit Doganor saktëson se ministri i Financave duhet të shpallë konkurs publik për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Doganës. Dhe, pas intervistimit, do të duhej që komisioni të propozonte emrin e kandidatit dhe ministri i Financave t’ia propozonte atë për miratim Qeverisë.

Meqë procedura që kërkon ky kod nuk ishte ndjekur, Kurti caktoi një ushtrues detyre derisa të hapej konkursi dhe të zgjidhej drejtori. Një numër vendimesh të kësaj natyre kanë ndërmarrë edhe Qeveria, por edhe ministritë veç e veç. 

Bekim Baliqi është profesor në Departamentin e Shkencave Politike, që funksionon në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ai konsideron se shumë nga veprimet e Qeverisë Kurti kanë qenë të domosdoshme. 

“Ndër vendimet e para të Qeverisë kanë qenë shkarkimet nga disa pozita të shpikura qeveritare, shkarkimet e disa bordeve të ndërmarrjeve publike dhe janë parala jmëruar edhe shkarkime të tjera. Pa dyshim që këto mund të interpretohen edhe si revanshim apo qërim hesapesh politike, por që janë veprime të domosdoshme për të ndaluar keqpërdorimet me paratë dhe postet publike”, ka theksuar Baliqi. 

Pas mbërritjes në fron në fillim të shkurtit, ndër vendimet e para të Qeverisë së re ishte përgjysmimi i pagave për anëtarët e kabinetit qeveritar. Dhe pas tyre rrodhën vendime për ndërrim njerëzish. Nisi me Bordin e Telekomit, një ndërmarrje buzë shkatërrimit e mbipopulluar me militantë partiakë, që sipas një hulumtimi të fundit të bërë nga KOHA siguronin të ardhura mujore deri në 12 mijë euro.

KOHA kishte gjetur vitin e  kaluar se një nga anëtarët e bordit kishte punësuar në Telekom katër fëmijë të tij. Bordi tjetër i shkarkuar është ai i “Infrakosit”, kompani publike përgjegjëse për hekurudhat dhe po kështu e mbushur me militantë, të cilët kohëve të fundit kanë bërë edhe protesta, meqë keqqeverisja ka boshatisur arkën dhe e ka bërë të pamundur gjenerimin e mjeteve sa për t’i siguruar pagat. Kryediplomati Glauk Konjufca ka revokuar 14 vendime, me të cilat ishin graduar konsuj dhe ishin dërguar në misione jashtë vendit. 

LVV-ja ka pritur gjatë që të vihet në fron. Kosovarët e kthyen shpresën tek kjo parti, pas zhgënjimit me gjithë klasën politike të provuar deri tash. Në fushatë pak kritikoi, por shpalosi një program ambicioz që prek të gjitha fushat. Veçmas premtoi çkapjen e shtetit. Duke u bazuar në këtë, me ta marrë pushtetin, shfuqizoi një varg vendimesh, që për efekt kishin edhe largime zyrtarësh nga pozita kyç. Shumë vendimeve u është duartrokitur, por ka pasur edhe të tilla që kanë marrë kritika, shkaku se me to janë favorizuar njerëz të subjekteve që bëjnë pushtetin e ri. Vëzhgues të zhvillimeve politike kanë paralajmëruar zhgënjim të madh, nëse në emër të çkapjes së shtetit do të instalohen kapës të rinj

E ka bërë këtë nëpërmjet një akti të vetëm, të titulluar: “Vendim për shfuqizimin e vendimeve të kundërligjshme, në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës”. 

Për 11 nga 14 vendimet, “Koha Ditore” kishte raportuar se ishin nxjerrë jashtëligjshëm nga ishministri Behgjet Pacolli, dhe nëpërmjet tyre viheshin në misione diplomatike eksponentë të partive që e përbënin pushtetin. Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Lumir Abdixhiku, ka anuluar tenderin 110milionësh, për autostradën Prishtinë-Gjilan. Për pjesën e parë të kontratës, me këtë kontratë janë duke u zhvilluar hetime, meqë ka dyshime për abuzim me miliona euro. Abdixhiku që e drejton edhe resorin e mjedisit, ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Liqenit të Badovcit. 

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka anuluar provimin e noterisë, përmes të cilit veprim ka thënë të ketë dërguar sinjalin që nuk do të lejojë asnjë shkelje dhe nuk do të ketë raste të tjera ku përmes konkurseve apo proceseve të tjera përfitohet për shkak të lidhjeve familjare, miqësore a partiake. Ministrja Haxhiu ka paralajmëruar se do të ketë edhe vendime të tjera, të cilat do të jenë në drejtimin e mbrojtjes së pasurisë publike, por edhe të çkapjes së shtetit. 

“Vendimet e mësipërme janë anulime të disa vendimeve qeveritare, gjë që praktikisht tregojnë për mendësinë se si kanë qeverisur. Janë krijuar organe e pozicione jo për nga nevoja, por për nga qëllimi për të pozicionuar njerëz të partisë. Kjo mendësi ka marrë fund njëherë e përgjithmonë”, i ka thënë gazetës ministrja Haxhiu. 

“Ndërkaq ky është vetëm hapi i parë drejt çkapjes së shtetit, sepse ne dimë shumë mirë dhe jemi dëshmitarë të shumë aferave e skandaleve ku në institucionet e vendit, ato që do të duhej të ishin të pavarura, janë vendosur njerëz përmes ndikimit partiak. Për shembull, “Pronto” afera është rasti konkret ku shihet kapja e sistemit në të gjitha poret e tij. Por njëjtë ka ndodhur edhe me Polici, AKI, gjyqësi, prokurori, shëndetësi e kudo tjetër”.

Qeveria Kurti ka ndërmarrë veprime edhe në funksione dhe të fuzionimit të dikastereve qeveritare. Nga 21 ministri sa ishin në mandatin paraprak, Ekzekutivi i ri përbëhet vetëm nga 15 sosh. Ky zhvillim ka krijuar edhe pasoja tek shërbyesit civilë. Të prekurit e parë janë sekretarët e përhershëm. Në listë tepricë janë qitur sekretarët e përhershëm të të gjitha ministrive të prekura nga procesi i fuzionimit. 

Ministria e Arsimit që drejtohet nga Hykmete Bajrami e LDK-së, e ka vënë një bashkëpartiak në pozitën e sekretarit të përhershëm dhe nuk e ka vendosur aty asnjë nga sekretarët që ndodhen në listën tepricë. Në PDK, subjekt ky kryesor në opozitë, por që e ka mbajtur pushtetin që nga fundit i 2007-s e deri në fillim të këtij viti, kanë konsideruar se Qeveria e re është duke ndërmarrë veprime arbitrare dhe joligjore, duke larguar njerëz nga puna për t’i zëvendësuar ata me familjarë të zyrtarëve qeveritarë dhe militantë partiakë. 

“Emrat e disave prej tyre tashmë janë bërë publike dhe secili mund t'i shikojë se kush janë ata”, thuhet në një përgjigje të kësaj partie. 

“Ky është uzurpim i institucioneve të shtetit dhe nuk ka të bëjë asgjë me meritokracinë e proklamuar aq shumë. Këto veprime janë të dëmshme dhe s’i ndihmojnë zhvillimit të shtetit”. 

Çlirimi i institucioneve

Por, çfarë nënkupton çkapja e shtetit? Profesori Bekim Baliqi i jep përgjigje kësaj pyetjeje. “Nënkupton shkarkimin e zyrtarëve dhe personave jomeritorë, jokompetentë dhe të vënë mbi baza partiake, klienteliste e nepotiste në pozita të ndryshme qeveritare”, thotë ai. “Mirëpo, dëmet e shkaktuara nga keqpërdorimet me paratë e taksapaguesve dhe zhvatjet e ndërmarrjeve publike janë aq të mëdha saqë pa ndëshkimin e abuzuesve dhe konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme drejtësia dhe kthimi i besimit në shtet nuk mund të arrihet”. Tek e zhvillon argumentin, Baliqi konsideron se në këtë proces kërkohen edhe veprime tjera. “Nëse këto mbesin vetëm skandale të radhës, atëherë edhe abuzuesit e ardhshëm do të duhej të amnistohen me shkarkime”, thotë Baliqi. 

“Kështu që çkapja nënkupton kthim të drejtësisë dhe besimit në institucionet e shtetit”. Jo veç kryeministri Kurti, por as ministrat e tij që kanë anuluar vendime që i konsideronin të jashtëligjshme nuk kanë treguar nëse ato do t’i përcjellin në gjykata. Ehat Miftaraj është drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Ai ka shtruar nevojën që vendimet e jashtëligjshme të përcillen edhe në Prokurori. 

“Në çdo rast, kur vendimet të cilat konsiderohen se kanë qenë të kundërligjshme, anulohen. Ndërkaq, nëse ka dyshime se të njëjtat vendime hyjnë në kuadër të përgjegjësisë penale, qeveria dhe ministrat e kanë obligim ligjor që këto t’i raportojnë tek institucionet e hetuesisë dhe ndjekjes penale”, ka theksuar ai.

Qeveria Kurti ka paralajmëruar shqyrtimin e ligjshmërisë së të gjitha vendimeve të marra që nga dorëheqja e Haradinajt, në verën e vjetme. 

Me gjithë dorëheqjen, ai dhe ministrat nuk ishin ndalur nga vendimmarrja. Përpos rekrutimit, vendimet kishin edhe efekte të mëdha financiare. Në PDK kanë thënë të mos jetë gjithçka e pastër në administratën shtetërore, por kanë theksuar se Kosovës i duhet respektimi i ligjit dhe funksionim i mirëfilltë institucional e jo “kapje” në emër të “çkapjes”. 

“Edhe ne kemi pasur vërejtjet tona lidhur me shërbimet në administratën shtetërore, por gjithçka duhet të zhvillohet brenda ligjit. Askush nuk mund të dalë mbi ligjin. As edhe kjo qeveri e re që ka bërë fushatë agresive dhe të paqenë për ‘kapjen’, por që po rezulton se u ka shërbyer vetëm për qëllime të fushatës elektorale”, theksohet në një përgjigje të PDK-së. 

“Qeveria Kurti me avazin abuzues e hakmarrës që ka nisur nuk do ta ketë gjatë, sepse po dëshmon që është vetëm për interesa të veta dhe jo të qytetarëve”. 

Por në Qeverinë e re kanë shprehur besimin se do të vazhdojnë gjatë të qeverisin. Aty kanë paralajmëruar çlirimin e institucioneve nga njerëz të vënë jashtëligjshëm dhe që nuk i mbrojnë aty interesat e shtetit. Ministrja Albulena Haxhiu ka një definicion për çkapjen. 

“Për ta thjeshtëzuar, çkapja e shtetit nënkupton që në vendin tonë të varfër, me shumë rini e shumë të përgatitur, në institucionet e pavarura dhe autonome, njëherë e përgjithmonë të çlirohet institucioni i KONKURSIT, dhe të përfundojë kurdisja e tyre, siç e dimë të gjithë, si ka ndodhur për këta 20 vjet”, thotë ajo. 

“Nga kjo qasje do të çlirohen ndërmarrjet e institucionet e vendit, sepse do të largohen njerëz që praktikisht e kanë sjellë vendin këtu dhe do të vijnë njerëz profesionistë, pa pasur nevojë për librezë partie. Ndërkaq llogaridhënia do të jetë po ashtu e një niveli tjetër”. Instrument kryesor i çkapjes që Qeveria e re e ka proklamuar është vetingu në shumë fusha. Kryeministri ka premtuar veting në polici, prokurori, gjyqësi, në Agjencinë e Inteligjencës, në Administratën Tatimore, në Doganë dhe në Njësi të Inteligjencës Financiare. 

Në fundjavë Qeveria u ka dhënë start veprimeve, për ta jetësuar këtë proces. Ka themeluar Grupin e ekspertëve të pavarur, për të dizajnuar parimet kushtetuese, skedarët dhe elementet e reformës së vetingut në sistemin e drejtësisë. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) është organizatë, e cila prej vitesh avokon për domosdoshmërinë e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë. 

Ky grup e konsideron qenësore nevojën e krijimit të një sistemi të vetingut, i cili do të përfshinte të gjitha institucionet që kontribuojnë në krijimin e një shteti ligjor. Për të arritur krijimin e një sistemi të tillë, në GLPS kanë konsideruar që Qeveria Kurti së bashku me Komisionin për Legjislacion, Zyrën e BE-së, Ambasadën Amerikane dhe Gjermane duhet të krijojë grupin e ekspertëve, që duhet ta hartojnë një plan për procesin e rishikimit automatik dhe të vazhdueshëm të vetingut. 

Pastaj, me publikimin e këtij plani është propozuar të organizohen dëgjime publike lidhur me qëllimin dhe mënyrën e aplikimit të kësaj procedure. Pas përfundimit të dëgjimeve publike dhe përfshirjes së komenteve thelbësore, sipas GLPSs, Komisioni legjislativ duhet të angazhojë një grup ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendorë për hartimin e legjislacionit përkatës. Më pas, kjo pako ligjore do të duhej të dërgohej në Komisionin e Venecias për rishikim dhe komentim dhe vetëm pasi të merret miratimi nga ky komision, “legjislacioni përkatës do të duhet të dërgohej në Kuvend për miratim”. Nëse një gjë e tillë do të realizohej, pastaj do të duhej të themelohej mekanizmi, i cili do të merrte përsipër implementimin e kësaj procedure.

Krahas vetingut, një zotim i Qeverisë së re është edhe themelimi i Zyrës Shtetërore të Hetimeve, si dhe miratimin e Ligjit për kontrollin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. 

Frikë nga rikapja 

Dy janë vendimet më të kontestuara të Qeverisë Kurti, të cilat kanë bërë që me dyshim të shihet procesi i çkapjes, në njërën anë, e edhe zotimi për kursim të parasë publike, në anën tjetër. 

Pavarësisht fuzionimit të disa ministrive, një rregullore që Qeveria e ka miratuar pa e vënë fare në konsultim publik, ua mundëson anëtarëve të kabinetit qeveritar që të rekrutojnë një numër të madh këshilltarësh. Mbështetur në rregullore, Qeveria e re mund të rekrutojë deri në 199 këshilltarë. Vendimi tjetër është ai i ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, për ta bërë në dikasterin qeveritar që e udhëheq, ushtrues detyre të sekretarit të përhershëm, Agim Bërdyna, një aktivist të moçëm të LDK-së në pushtet. Bërdyna ishte punësuar në Ministri të Arsimit që nga viti 2004, kohë kjo kur ky institucion drejtohej nga nënkryetari i LDKsë, Agim Veliu. 

Betim Musliu, hulumtues i lartë në IKD, thotë të ketë rrezik që çkapja të rezultojë me kapje të re. Thotë se rreziku është shumë i madh, veçmas për faktin se, sipas tij, partner i LVV-së në koalicion, LDK-ja, ka hise të madhe të përgjegjësisë në kapjen e shtetit. 

“Pra, në shumë segmente është kapëse e shtetit bashkë me PDK-në”, thotë Musliu. “Një fakt, të emërimit të një militanti partiak nga LDK-ja në pozitën e u.d. të sekretarit të Ministrisë është evidentuar qysh në ditët e para të Qeverisë Kurti, prandaj pa paragjykuar ecjen më tutje të kësaj qeverisjeje, me këta hapa të parë, jam skeptik për politikën e çkapjes së shtetit, sepse çkapja nënkupton ndryshim rrënjësor nga praktikat e deritashme dhe sjellja e personave në pozita kyç duhet të përcillet me vendosjen e personave që kanë integritet të lartë dhe e kundërta”. 

Edhe në opozitë insistojnë se nëpërmjet proklamimit të çkapjes Qeveria e re po e vë kontrollin në institucione, duke i vendosur njerëzit e saj në to. Në PDK kanë theksuar se tashmë një aspekt i kapjes së shtetit ka filluar në mënyrën më të keqe. “Qeveria Kurti që në ditët e para po e dëshmon se nuk është për mirëqeverisje, por të kundërtën e saj. Premtimi se do ta ulë numrin e stafit politik në Qeveri është gënjeshtër. 

Me rregulloren e fundit të QRK-05/2020-RR, Qeveria jo vetëm që ka ulur numrin, por e ka rritur atë veçmas për zëvendëskryeministrat duke e ngritur në mbi 30 sosh, si dhe për ministrat deri në 10 këshilltarë”, kanë theksuar në PDK. 

“Nga një përllogaritje e shpejtë, kjo qeveri rezulton se do të ketë 199 këshilltarë në total dhe vetëm 7 më pak se Qeveria e kaluar me një kosto totale milionëshe. Ky është dështim dhe keqpërdorim i parasë publike”. Por, a është kjo logjikë e rikapjes dhe mbipopullimit të institucioneve me militantë partiakë. Ministrja Albulena Haxhiu tregon nëse Qeveria e re ofron garanci se nëpërmjet çkapjes nuk do t’i ndërrojë kapësit. 

“Nuk kemi nevojë të ofrojmë garanci për diçka që është obligim dhe detyrë. Por mjeti kryesor për të mos ndodhur një gjë e tillë është ajo që ka munguar shumë, pra transparenca”, thotë Haxhiu. “Konkurset e tenderimet e ndryshme duhet e do të shoqërohen me transparencë maksimale, ku përfshihen edhe vëzhgues të jashtëm nga shoqëria civile e media”. 

LVV-ja ka pritur gjatë të vijë në pushtet. Kosovarët e kthyen shpresën tek kjo parti, pas zhgënjimit me gjithë klasën politike të provuar deri tash. Në fushatë pak kritikoi, por shpalosi një program ambicioz që prek të gjitha fushat. Dha premtime të mëdha për qeverisje të mirë e rritje të mirëqenies, por edhe për luftë ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Veçmas, premtoi çkapjen e shtetit. Politologu Bekim Baliqi paralajmëron zhgënjim të madh, nëse çkapja do të zëvendësohet me kapës të rinj. “Nga përvojat e deritashme kemi parë që shkarkimet në fakt kanë qenë më shumë zëvendësime, nga partitë që humbin në zgjedhje me ato që vijnë në pushtet. Nëse ndodh edhe me këtë qeveri e njëjta praktikë, besoj që kjo prodhon dëshpërim jashtëzakonisht të madh”, thotë Baliqi. 

“Edhe elektorati me siguri që do të votojë duke u bazuar nga kjo dhe eventualisht të ndëshkojë partitë në pushtet. Prandaj, është qenësore për Qeverinë të jetë e vëmendshme dhe të mos bëjë veprime të tilla”.