Arbëri

Bytyçi: Ngërçi në Kuvend e vë në pikëpyetje pjekurinë e Kosovës si shtet

Seb Bytyçi, analist politik, ka thënë se ngërçi i shkaktuar në Kuvend që prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, e vë në pikëpyetje pjekurinë e Kosovës si shtet.

Sipas tij, ky ngërç është kthim prapa në aspektin e zhvillimit politik.

“Dëmi më i madh është politik. Është në një mënyrë kthim mbrapa. Nëse shihet zhvillimi politik kemi të bëjmë me kthim mbrapa në zhvillim politik. Nëse para zgjedhjeve Kosova u konsiderua si shtet mjaft i pjekur, ajo tash vihet në dyshim. Çdo ditë vihet në dyshim ajo pikëpamje si një shtet i pjekur dhe serioz. Kthehen dyshime pastaj se sa serioze është Kosova si shtet. Pra për nevoja më të mëdha, për zhvillim politik dhe kjo pastaj ka pasoja edhe në përkrahje në projekte të ndryshme, si ai për anëtarësim në Partneritetin për Paqe apo projekti më i madh i përgjithshëm i integrimit euroatlantik... nëse Kosova shihet si shtet që s’është pjekur mjaftueshëm politikisht, sigurisht që mungon përkrahja”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së të enjten.

Bytyçi ka thënë se vonesa e konstituimit të Kuvendit është mundësi e humbur për Kosovën. “Është mundësi e humbur sepse vetë fakti që shpenzohet e gjithë kjo energji duke diskutuar për tema të njëjta për kohë të gjatë se kush ka faj për atë e për këtë.... takime çdo dy ditë, në vend që të diskutohet për ligje të reja - e kam fjalën edhe për krijimin e kornizës ligjore për qasjen në fondet e BE-së - por edhe aspektet tjera në prezencë ndërkombëtare, lobim ndërkombëtar. Në vend që të shpenzohet energjia në çështje më të rëndësishme, shpenzohet energji dhe kohë duke u marrë me vetveten. Është humbje jo vetëm e kohës, por e shumë mundësive. Kemi të bëjmë edhe me ndryshime të mëdha në arenën ndërkombëtare që kërkojnë pozicion sa më të fortë ndërkombëtar e paraqitje sa më të mirë dhe të konsoliduar. Kjo humbje e kohës e marrjes me vetveten është me të vërtetë e pakuptueshme”, ka thënë ai.

Sa i përket vendimit të Kushtetueses, Bytyçi ka thënë se ai nuk i dha fund bllokadës politike dhe sipas tij është i nevojshëm një vendim më qartësues.

Sipas Bytyçit, partitë aktualisht po kalkulojnë edhe me zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor. Ai ka thënë se ato po frikësohen edhe nga veprimet që mund të lidhen me ato zgjedhje.

“Janë tri apo katër arsye. Kemi afrimin e zgjedhjeve lokale dhe ndoshta partitë kalkulojnë që të presin deri të kalojnë zgjedhjet lokale apo që të organizohen të dyja zgjedhjet në të njëjtën kohë, apo kanë frikë se çfarëdo veprimi i tyre ua dëmton performancën në zgjedhje lokale... ndoshta edhe presin që në momentin kur i përfundon mandati presidentes, të hyjnë në negociata për këtë pozitë. Arsye tjetër mund të jetë që s’janë votat e mjaftueshme. Edhe me votat e Nismës ndoshta ka mungesë të edhe një vote tjetër. E gjithashtu bazuar në deklarata ka njëfarë ndjenje të mosbesimit të Nismës, sipas deklaratave, ka pasur marrëveshje gojore për koalicion por që s’është respektuar. E nëse kjo ka ndodhur atëherë krijohet mosbesimi dhe hezitimi për të votuar pa ndonjë marrëveshje me shkrim. Këto pra janë arsyet pse ka hezitim nga partitë që të marrin ndonjë hap për dalje nga kriza”, ka thënë ai.

Sipas tij, përgjegjësia për ngërçin u përket të gjithë deputetëve. Ai e ka quajtur të pakuptimtë mosshfrytëzimin e rastit për të treguar lidership si shtet në rajon, në një kohë kur Serbia po përballet me krizë.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese obligoi deputetët që ta mbyllin seancën konstituive për 30 ditë. Ngërçi është krijuar te çështja e votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Në seancat e para Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve ka dështuar të sigurojë shumicën për propozimin që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare. Më pas, u propozua nga kryesuesi Avni Dehari që të kalohet në votim të fshehtë.

E aktgjykimi i Kushtetueses u interpretua ndryshe prej LVV-së dhe ndryshe prej partive të tjera.

Përderisa VV-ja pretendon se vendimi konstaton që lejohet ndryshimi i mënyrës së votimit, e kundërta pretendohet nga partitë tjera.

Pas këtij aktgjykimi, Dehari prapë ka vazhduar me propozimin për votim të fshehtë. Sërish deputetët e partive opozitare nuk votonin.  

Të enjten, këtë çështje e dërgoi në Kushtetuese Partia Demokratike. Kërkesë për sqarime në Kushtetuese kanë paralajmëruar edhe LVV-ja e Lidhja Demokratike e Kosovës.