Arbëri

Bizneset në telashe për të gjetur shitës e kamerierë

Për dy javë në platformën e lansuar nga Qeveria “Superpuna” janë regjistruar rreth 2 mijë punëkërkues dhe ministri Hekuran Murati tha se pagat e tyre mund të shkojnë deri në 1.000 euro. Vendet e lira të punës në këtë platformë janë kryesisht në tregti dhe gastronomi. Sipas ekonomistëve, kjo tregon që ekonomia e Kosovës është e dobët dhe nuk ka industri prodhimi. E, në opozitë kanë kritikuar Qeverinë për mungesë politikash të qëndrueshme të punësimit

U lansua nga Qeveria si një platformë për ndërmjetësimin e punësimit të të rinjve, por “Superpuna” ka shpërfaqur edhe strukturën e punëve që ofrohen në Kosovë. Për dy javë në këtë platformë janë publikuar kryesisht pozita të lira në tregti dhe gastronomi, sektorë këta që punësojnë më së shumti në Kosovë.

Sipas Arben Mustafës, koordinator i Financave në Kabineti për Qeverisje të Mirë në PDK, kjo tregon se kompanitë po kanë problem të gjejnë punëtorë me kualifikimet e duhura. Ai ka kritikuar platformën e lansuar nga Qeveria, duke thënë se ajo nuk ofron punësim të qëndrueshëm.

“Platformat e tilla të bëra në këtë formë kryesisht po bëhen për qëllime populiste për të hequr vëmendjen nga dështimi total i kësaj qeverie për të krijuar një ambient të përshtatshëm për rritje ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës dhe po ashtu për të tërhequr vëmendjen nga punësimet partiake dhe nepotizmin që po e bën në institucionet e vendit”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, platformat e tilla me subvencione të përkohshme nuk mund të krijojnë punësim të qëndrueshëm.

“Problemi i papunësisë në Kosovë kërkon një zgjidhje të qëndrueshme. Ajo zgjidhje e qëndrueshme nuk mund të ofrohet përmes punësimeve gjashtëmujore. Kuptohet që ndërmjetësimi i vendeve të punës e ka një rol për të lehtësuar lidhjet mes punëdhënësve me punëkërkuesit, mirëpo ky nuk është problemi pse në Kosovë ka papunësi të lartë”, ka theksuar Mustafa.

Platforma “superpuna” e lansuar më 6 shkurt synon punësimin e të rinjve nga mosha 18 deri në 25 vjet. Qeveria për gjashtë muaj do të subvencionojë punëdhënësin duke paguar pagën për punëtorët në vlerë prej 264 eurosh.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë të shtunën se janë edhe 1.413 pozita të lira të punës për të rinjtë në këto mosha dhe ka bërë të ditur se që nga lansimi i platformës mbi 2.000 punëkërkues janë regjistruar dhe verifikuar në platformë.

Murati ka shkruar në Facebook se paga në këto pozita shkon deri në 1.000 euro.

“Aktualisht në superpuna janë 1.413 pozita të lira pune për të rinjtë 18-25 vjeç. Paga mesatare e këtyre pozitave është 358 euro, që nënkupton se shumica e bizneseve po shtojnë pagën mbi subvencionin e Qeverisë, por ka paga që shkojnë edhe deri në 1.000 euro”, ka shkruar Murati.

Por, Arben Mustafa thotë se Kosova ka papunësi të lartë edhe për shkak të kapaciteteve të ulëta prodhuese dhe mospërputhjes së aftësive të kërkuara me tregun e punës.

“Ne kemi shumë kompani që kanë nevojë për punëtorë. Nuk e kanë problemin për të ofruar një pagë minimale, por problemi i tyre është që nuk mund të gjejnë punëtorë me cilësitë e caktuara për vendet e lira të punës”, ka thënë ai.

Arian Lumezi, koordinator i projekteve në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokolari”, thotë se vendet e lira të punës të shpallura në këtë platformë tregojnë se ekonomia e Kosovës është e dobët.

“Kjo tregon se ekonomia e Kosovës është e dobët, e paindustrializuar dhe vendet e punës janë këto që dalin edhe në këtë platformën ‘Superpuna’... Papunësia duhet të zbutet përmes krijimit të vendeve të punës përmes hapjes së bizneseve që kryesisht merren me prodhim”, ka thënë ai.

Sipas tij, “Superpuna” nuk garanton qëndrueshmëri, por është afirmative që i bën njerëzit të aplikojnë për punë.

Por, sipas Edison Jakurtit, doktorant i ekonomisë, veçantia e kësaj platforme është që iu ofron të rinjve që të trajnohen dhe të përfitojnë shkathtësi të kërkuara në tregun e punës.

“Platforma do të mund të shërbente si mekanizëm për zvogëlimin e hendekut mes shkathtësive që i kanë punëtorët e rinj menjëherë pas përfundimit të shkollimit dhe shkathtësive që kërkohen nga këta punëtorë në sektorë të ndryshëm. Për të ndodhur kjo natyrisht se duhet më shumë kohë dhe duhet gjithsesi të ketë trajnim në vendet e punës”, ka thënë ai.

Jakurti ka thënë se sektori që punëson më së shumti në Kosovë është ai i tregtisë, dhe kjo mund të reflektohet edhe në numrin e ofertave të punës që ofrohen në këto platforma nga sektorë të tillë.

Ka thënë se duhet monitoruar bizneset që të ofrojnë trajnime për ata që punësojnë.

“Pa të jo vetëm se nuk do të ketë zvogëlim të këtij hendeku, por asnjë garanci që pas periudhës së subvencionimit nga Qeveria punëtorët e rinj do të vazhdojnë të mbesin të punësuar”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave në Kosovë, janë rreth 380 mijë të punësuar, ndërsa mbi 100 mijë janë të regjistruar si të papunë.

Por, shqetësuese është numri prej mbi 740 mijë të papunëve që janë joaktivë, që as nuk janë të regjistruar si të papunë e as nuk kërkojnë punë.

Në platformën “Superpuna” punëdhënësit kanë ofruar kryesisht pagën minimale që mbulohet nga Qeveria.

Sipas shpjegimeve në profilin platformës në Facebook, bizneset nuk janë të obliguara që të shtojnë pagën mbi subvencionimin e Qeverisë.

Bizneset mund të angazhojnë deri në 30 për qind të numrit të punëtorëve që kanë.

“Nëse keni 10 punëtorë përmes ‘Superpunës’ mund të angazhoni edhe 3 punëtorë të rinj”, thuhet në sqarime.

Subvencionimi i Qeverisë del në llogari të biznesit pasi ai të ketë paguar pagën e punëtorit.

Ekzekutivi vitin e kaluar ka zbutur disa skema, të cilat kishin për synim punësimin e disa grupeve të ndryshme shoqërore përfshirë gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që nuk kanë pasur asnjë anëtar të punësuar.

Në Qeveri kanë bërë të ditur se përmes këtyre skemave janë punësuar afro 5 mijë gra dhe vajza, 239 persona me aftësi të kufizuara dhe 770 familje janë bërë me nga një anëtar të punësuar.