Politologu dhe drejtori ekzekutiv i Institutit për Çështje Evropiane në Beograd, Naim Leo Beshiri, ka thënë se Serbia ka hyrë në krizë politike pas protestave të fundit.
Në një intervistë për Klubin e Debatit Politik, ai ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është politikisht i plagosur.
Sipas Beshirit, fuqia e tij buron vetëm nga frika dhe dhuna, ndërkaq ka vlerësuar se nga pushteti nuk do të largohet vetë, sepse rrezikon përgjegjësi penale.
“Fati i tij varet nga dy presione: ai i brendshëm, që rritet çdo ditë, dhe ai i jashtmi, nga BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë. Kur këto të bashkohen, rënia e tij është e pashmangshme”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se skena politike në Serbi, pas zhvillimeve të fundit, ka ndryshuar. Kjo pasi sipas tij, protestat nuk i udhëheqin partitë opozitare, por studentët dhe lëvizjet qytetare, me agjendë të re për liri, drejtësi dhe përgjegjësi, duke vlerësuar se opozita tradicionale ose do të përshtatet, ose do të zhduket nga skena.
“Serbia mbetet e bllokuar mes iluzioneve dhe realitetit. Projekti i ‘botës serbe’ mban tension në rajon, Kosova instrumentalizohet, ndërsa lidhjet me Rusinë dhe Kinën i japin regjimit mbështetje politike afatshkurtër. Por rruga e vetme për zhvillim e demokratizim mbetet Bashkimi Evropian. Nëse shmang këtë rrugë, Serbia përfundon në izolim më të thellë. Protestat tregojnë qartë se qytetarët kërkojnë Evropën, jo autokracinë, edhe pse janë të zhgënjyer nga reagimi i BE-së”, ka thënë ai.
Sipas tij, Serbia ka hyrë në një krizë politike dhe shoqërore që shkon përtej protestave.
Ka shtuar se tragjedia në Novi Sad, ku më 1 nëntor 2024 humbën jetën 16 persona pas shembjes së një mbulese në stacionin hekurudhor, u bë simbol i papërgjegjësisë së pushtetit dhe korrupsionit sistemik.
Ai ka deklaruar se kërkesat janë të qarta dhe radikale: zgjedhje të lira e të ndershme, media të pavarura, përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad dhe ndëshkim për brutalitetin policor.
Sipas tij, studentët nuk kërkojnë ndryshime kozmetike, por ndërprerje me praktikat autokratike. Kjo u jep epërsi morale dhe i dallon nga opozita tradicionale.
“ Pushteti ka reaguar me forcë. Policia ka përdorur dhunë të tepruar në Beograd, Novi Sad, Nish, Shabac dhe Valjevë. Raportohet për arrestime, rrahje dhe tortura ndaj studentëve. Një studente tregoi se ishte kërcënuar me përdhunim dhe ishte dhunuar fizikisht. Këto dëshmi e komprometojnë pushtetin dhe ndezin më shumë zemërimin publik. Regjimi përpiqet ta paraqesë gjithçka si ndikim të huaj, por dhuna tregon frikën, jo forcën e tij”, ka thënë ai.