Bekë Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka dalë kundër propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri tranzicioni si zgjidhje për ngërçin për konstituim të institucioneve. Ai ka thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti “janë dy anët e të njëjtës medalje”.
“Ky (Abdixhiku) po na fton neve ‘s’po guxoj veç vet me e nda fajin për Asociacionin me kryeministrin Kurti në një qeveri të përbashkët’ e po na thotë ‘hajdeni të bëhemi bashkë të tërë të marrim përgjegjësinë të tërë nga pak’. Unë s’jam i interesuar të marr faj sepse s’kam lidhje me atë punë”, ka deklaruar Berisha në hyrje të Kuvendit, para përpjekjes së 12-të për konstituim të Kuvendit. “Nuk ka nevojë Abdixhiku me më thirre në qeveri të përbashkët me Albin Kurtin”.
Berisha ka thënë se ky është qëndrimi i tij, edhe pse një ditë më parë Abdixhiku tha se ka marrë mbështetjen e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për propozimin e tij.
Një ditë më parë Abdixhiku iu përgjigj negativisht ftesës së kryetarit të VV-së, Albin Kurti, për bashkëqeverisje. Abdixhiku propozoi qeveri të tranzicionit deri në zgjedhjen e presidentit.
