Arbëri

Bashkëpunimi tregtar mes Kosovës e Shqipërisë vlerësohet ende i zbehtë

Shqipëria është vendi i parë nga shtetet e rajonit prej së cilës Kosova importon më së shumti mallra. Por bilanc i njëjtë nuk është edhe me mallrat që Kosova i eksporton. E kryetari i Odës Ekonomike thotë se Kosova e Shqipëria kanë nevojë për vullnet politik për t’i rrëzuar barrierat tregtare

Në 10 muajt e sivjetmë, Kosova importoi 228 milionë euro mallra nga Shqipëria, bilanc ky më i lartë se sa nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Por, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, produktet kosovare më pak të pranishme në tregun e Shqipërisë. Nga janari deri në tetor, Kosova eksportoi në Shqipëri 77 milionë euro mallra, 155 milionë më pak sesa i importoi prej saj.

Këtë bilanc tregtar të Kosovës me Shqipërinë, që në import e radhit të parën e në eksport të dytën pas Maqedonisë, e vlerësoi jo të kënaqshëm kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna. Ai thotë se ende nuk i kanë rrëzuar të gjitha barrierat për të cilat u pajtuan në letër.

“Nëse e shohim ndër vite, çdo vit ka shkuar duke u ngritur. A është në pikën ku ne kemi dëshirë ose ku presim, nuk është. Janë nënshkruar më shumë se 180 marrëveshje mirëpo implementimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Bizneset ende sfidohen gjatë punës së tyre ditore në qarkullimin e lirë të mallit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Po ashtu kemi pengesa edhe administrative dhe jo administrative në formë të barrierave dhe të qarkullimit të fuqisë punëtore të njerëzve kapitalit dhe shumë të tjera”, tha Rafuna.

Që prej kohësh, kryeministri i Kosovës e ai i Shqipërisë kanë pasur raporte pothuajse të ngrira e në qershor, u pati anuluar edhe mbledhja e përbashkët e dy qeverive.

Por Rafuna thotë se këto raporte të politikës nuk duhet të ndikojnë në bashkëpunimin ekonomik.

“Marrëdhënia mes Kosovës dhe Shqipërisë është dashur të jetë më e veçuar prej krejt këtyre marrëveshjeve, të cilat janë bërë me të gjitha vendet e Ballkanit dhe ekonomia nuk është dashur të preket nga klasa politike. Kështu që klasa politike duhet ta ketë vullnetin dhe duhet që pavarësisht ideve ose kërkesave që i kanë te pjesa e ekonomisë duhet të bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe ta integrojnë sa më shumë tregun tonë dhe tregun e Shqipërisë”, tha Rafuna.

Nga vendet anëtare të CEFTA-s, pas Shqipërisë, mallrat maqedonase zënë vendin e dytë në tregun e Kosovës, në vlerë prej 174 milionë eurosh, e pas tyre, ato nga Serbia, me vlerë 162 milionë euro.

E vendi i parë i rajonit në të cilin Kosova i shet mallrat e saj, është Maqedonia, me 90 milionë, e pasuar nga Shqipëria dhe Serbia.