Arbëri

Bajrami: Beteja e Kurtit nuk është me ndërtu, por me shkatërru

Hykmete Bajrami

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti për protestat e bizneseve të cilat janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, që hyn në fuqi më 1 qershor.

Sipas saj, në vend që të ofrojë zgjidhje për shqetësimet e bizneseve, Kurti ka zgjedhur të përballet me to dhe t’i krahasojë protestat e tyre me barrikadat e vendosura nga Lista Serbe në të kaluarën.

“Beteja e Kurtit nuk është me ndërtu, por me shkatërru. Është turp që protestat e bizneseve, punëdhënësve më të mëdhenj të vendit, krahasohen me barrikada. Ndërkohë që Kurti nuk e thotë asnjë fjalë për koston prej 800 eurosh për transportin e 1 megavatit energji që e bën kompania e Vuk Hamoviqit – për të cilin ai dikur na ligjëronte kur ishte në opozitë”, ka thënë Bajrami.

Ajo kritikoi faktin se Kuvendi është futur për të 23-tën herë në pauzë 48-orëshe, duke ia adresuar fajin Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë që, sipas saj, ka për obligim të ofrojë zgjidhje.

“Na kujtohet kur Kurti e ka mundur Rrahman Jasharajn me ato grevat. Nuk e ka mundur Jasharajn, por arsimin. Nëse Kurti i mund edhe bizneset, atëherë e mund ekonominë. Dhe kur Kurti i mund arsimin dhe ekonominë, e vetmja përfituese është Serbia”, shtoi Bajrami.

Ajo kërkoi që të hetohet e gjithë qasja e qeverisë në sektorin e energjisë gjatë katër vjetëve të fundit, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë nëse kriza nuk menaxhohet me përgjegjësi.