Tri spitale private janë bastisur në muajt e fundit, me dyshimet për parregullsi në fekondimin artificial.
E përveç disa arrestimeve që ndodhën, Inspektorati Shëndetësor, në disa prej këtyre spitaleve private, ndërpreu përkohësisht ushtrimin e veprimtarisë së Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, raporton KTV.
Brenda më pak se dy muajve, Inspektorati Shëndetësor së bashku me Departamentin për Hetim dhe Trafikim me Qenie Njerëzore të Policisë së Kosovës, ka gjetur se në disa prej spitaleve private po shkelej ligji për shëndetin riprodhues .
“Në te tri institucionet, janë konstatuar shkelje të Ligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Udhëzimit Administrativ në bazë të së cilave, Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar masën e ndërprerjes së përkohshme të ushtrimit të veprimtarisë së Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (jo krejt spitalit, po vetëm këtij shërbimi) në këto institucione, ndërsa Policia e Kosovës ka vendosur masa të tjera ndaj personelit shëndetësor në këto shërbime në përputhje me rregullativën ligjore të Policisë” thuhet në një përgjigje të këtij inspektorati.
E ndërprerje të përkohshme të frytnimit të asistuar mjekësor, ditë më parë Inspektorati bëri edhe ndaj spitalit privat Sirona.
Aty policia arrestoi tre mjekë, në mesin e tyre edhe drejtorin, me dyshimet se kishin kryer transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore.
Por, Besnik Berisha avokat i Shefqet Lulajt drejtorit të këtij spitali, thotë se prokuroria nuk ka arritur të sigurojë as edhe një dëshmitare e cila kishte dhuruar qeliza në këtë spital.
Derisa sipas Berishës, në spital janë gjetur vetëm dy donatorë të spermës, të cilët dihet se kush janë dhe të cilët u janë nënshtruar të gjitha kontrolleve dhe procedurave të parapara sipas ligjit.
Ndërsa, sa u përket dyshimeve se ishte vjedhur një dosje përmes së cilës vërtetohej se si ishte bërë përcaktimi i gjinisë në këtë spital, sipas Berishës, bëhet fjalë për një analizë gjenetike të një gruaje, së cilës i ishte kryer kjo analizë pas 5 dështimeve.
Nga ana tjetër, Inspektorati Shëndetësor nuk ka dhënë më shumë informata se çfarë dosje ka konfiskuar në spitalin Sirona, derisa vetëm ka konfirmuar se nga ky institucion, ka transferuar në Klinikën e Gjinekologjisë një tank me materiale të ngrira.
KTV-ja ka kërkuar sqarime edhe nga Spitali Sirona, por përkundër premtimeve se gjatë ditës do të japin përgjigje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ditë më parë, në një reagim ky spital i quajti të pavërteta deklarimet e Prokurorisë se janë hasur gjurmë të transplantimit të jashtëligjshëm të organeve dhe qelizave njerëzore.