Qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë me seriozitet kërkesën për themelimin e Asociacionit vetëm atëherë kur të gjitha strukturat paralele serbe të jenë shpërbërë në Kosovë. Ky është kushti që ka dalë nga takimet e fundit në Bruksel, në të cilat u fol për shkallën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit. Analistët thonë se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme dhe t’i shohë përfitimet nga themelimi i Asociacionit
Qeveria e Kosovës nuk ua ka shuar përfundimisht shpresat serbëve për ta pasur Asociacionin e tyre në Kosovë. Por ka një kusht që duhet përmbushur, të cilin delegacioni kosovar e ka ngritur në takimet e fundit në Bruksel. Në zyrën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi kanë thënë se çështjen e Asociacionit do ta marrin seriozisht kur Serbia t’i ketë shpërbërë strukturat paralele në Kosovë.
“Sa i përket Asociacionit kjo u ngrit nga pala serbe, mirëpo qëndrimi ynë të cilin e kemi paraqitur edhe në këto takime është se ne do ta shqyrtojmë Asociacionin me seriozitet vetëm atëherë kur të gjitha strukturat paralele serbe të jenë shpërbërë në Kosovë”, ka thënë Kaltrina Zeka nga kabineti i Bislimit.
Sipas saj, takimet në Bruksel kanë pasur për qëllim shqyrtimin e implementimit të marrëveshjeve të deritanishme në dialog “dhe të arrihet një pajtueshmëri rreth gjendjes aktuale dhe pjesëve të paimplementuara në marrëveshje.
Themelimin e Asociacionit me shuarjen e strukturave paralele e patën ndërlidhur edhe qeveritë e kaluara. Kjo evidentohet në raportet e ish-kryenegociatores Edita Tahiri, të cilat flasin për marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit.
“Themelimi i Asociacionit duhet të shkojë në mënyrë sinkrone me shpërbërjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Të dy proceset do të shkojnë paralelisht siç është dakorduar”, shkruan në raport.
Themelimi i Asociacionit vazhdon të jetë edhe kërkesë e zyrtarëve të Bashkimit Evropian që thonë se Kosova duhet t’i propozojë modalitetet për formimin e Asociacionit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 lidhur me Asociacionin/Bashkësinë zakonisht është keqinterpretuar. Gjykata kurrë nuk ka thënë që Asociacioni/Bashkësia nuk mund të themelohet. Prandaj, ne presim që Kosova të respektojë angazhimet e ndërmarra në dialog”, kishte deklaruar zëdhënësi Peter Stano.
Angazhimet rreth Asociacionit
Pavarësisht konstatimit të shkeljeve në të shtatë kapitujt e Marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria Mustafa dhe ajo Haradinaj. Patën themeluar edhe ekipin menaxhues për draftimin e statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë kanë qenë serbë.
Në takimet e zhvilluara në terren me palët e ndryshme të interesit në zonat e populluara me shumicë serbe, ekipi menaxhues pati shprehur përcaktimin që kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të mbesin ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Serbët kanë shprehur synimin për kompetenca ekzekutive të cilat u mundësojnë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor. Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë ka edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës - Liqenin e Ujmanit dhe “Trepçën”.
Pika më kundërthënëse rreth Asociacionit në Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 konsiderohet e pesta, e cila specifikon se ky mekanizëm do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Ndërkaq në Marrëveshjen e vitit 2015 specifikohet që kjo pikë të diskutohet sërish një vit pasi të hartohet statuti i Asociacionit.
Angazhimet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe patën kulmuar në vitin 2016 nëpërmjet miratimit të një draft-statuti që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në ish-Qeverinë Mustafa kanë qarkulluar edhe dekreti, si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i pati publikuar KOHA. Sipas ish-kryeministrit Mustafa, draft-statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk dëshironin Asociacion sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2015.
Duke iu referuar të kaluarës, analistët thonë se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme për Asociacionin dhe t’i shohë përfitimet edhe në raport me Bashkimin Evropian.
vendoset të zbatohet Asociacioni apo ta implementojmë - çka përfitojmë? A e përfitojmë njohjen (nga Serbia v.j.), a e përfitojmë njohjen nga pesëshja e BE-së. Duhet të thuhet ‘po’ do të bëhet, por duhet dakordim me partnerët dhe të bëhet sipas Gjykatës Kushtetuese, nëse i ofrojmë qëndrimet tona, çka përfitojmë, nuk duhet të lëshojmë pe, duhet ta dimë koston e asaj çështjeje. Mos ta marrim një vendim që në fund të ditës nuk përfitojmë asgjë”, ka thënë për KOHËN Dritëro Arifi.
Sipas raportit të fundit të Qeverisë, janë një numër i marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit që janë në pritje të zbatimit. Disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht, siç janë: marrëveshjet për energjinë dhe njohjen e diplomave. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit, siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e "mbrojtjes civile", rivitalizimi i urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën Veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë.
Serbia është fajësuar se ka bllokuar marrëveshjet për energji, diploma dhe kadastra. Ka penguar rivitalizimin e plotë të urës së Mitrovicës dhe rivitalizimin e rrugës kryesore në Mitrovicën Veriore, shpërbërjen e komunave paralele serbe, ka sabotuar zbatimin përfundimtar të marrëveshjes për shuarjen e "mbrojtjes civile", gjegjësisht çështjen e objekteve për institucionet e Kosovës, ku ish anëtarët e mbrojtjes civile janë të punësuar. Ndërsa ende mbështeten disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë, në kundërshtim me Marrëveshjet e Brukselit.
Fenomeni më shqetësues konsiderohet dualizmi i Serbisë, e cila në njërën anë zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat paralele të saj në Kosovë, duke përfshirë strukturat ilegale komunale në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës. Pas më shumë se dhjetë vjet dialog ministrat e Qeverisë së Kosovës ende nuk mund të bëjnë ndonjë vizitë zyrtare në komunat veriore.
Serbia i quan të vështira negociatat me Kosovën
Në anën tjetër, Serbia në secilin takim ka fajësuar Prishtinën për mosthemelimin e Asociacionit.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se është shumë e vështirë të flasësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kur vjen puna edhe tek çështjet rajonale. Sipas saj, njerëzit që po negociojnë nga Prishtina nuk janë pragmatikë dhe nuk janë të interesuar për projekte rajonale, por, sipas saj, vetëm dërgojnë mesazhe që Serbia duhet të gjunjëzohet dhe se është çështje ditësh kur Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Ata nuk duan të flasin për asgjë tjetër. Është një situatë jashtëzakonisht e vështirë, por ne duhet të qëndrojmë në dialog”, ka thënë Bërnabiq për “TV Prva”.
Sipas Bërnabiqit, zyrtarët e Prishtinës kanë bllokuar gjithçka në mënyrë që edhe Samiti i javës së kaluar në Berlin të mbetej pa asnjë marrëveshje.
“Ka gjëra që duhet të festohen, por ju keni zyrtarë të Prishtinës që bllokuan të gjitha marrëveshjet për të cilat kemi punuar për më shumë se një vit në Samit”, ka deklaruar ajo.
Përpjekja për t’iu shmangur obligimeve nga dialogu i mëhershëm nëpërmjet propozimit të temave të reja po konsiderohet i vështirë. Ndërsa është paralajmëruar takimi i radhës më 25 korrik, ende nuk është caktuar agjenda.
Për takimin mes Kurtit e Vuçiqit, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se agjendën do ta diskutojnë përmes një video-lidhjeje javën e ardhshme me emisarin për dialog Miroslav Lajçak.
Takimi i 15 qershorit në Bruksel nuk prodhoi asnjë rezultat, pasi katër çështjet e propozuara nga kryeministri Kurti i refuzoi pala serbe, që insiston në zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit.
Kurti propozoi që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
Propozimi i dytë ishte që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Ndërkaq, pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Kurti ka propozuar reciprocitet bilateral.
Kryeministri i Kosovës po ashtu ka kërkuar që të largohet Velko Odaloviq nga pozita për çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit.