Rreth 600 euro më shumë sesa në vitin 2020 ka paguar Agjencia e Pyjeve për pyllëzimin e një hektari sipërfaqe, vjeshtën e vitit të shkuar.
Nga 475 euro më 2020, APK-ja vitin e shkuar ia dha tenderin kompanisë së njëjtë - “Dardani” – porse me çmim prej 1 mijë e 84 eurosh për hektar.
Vetëm një lot i tenderit që e parashihte pyllëzimin e 120 hektarëve ishte 16 mijë euro më shtrenjtë sesa më 2020, kur ishin pyllëzuar dyfishë më shumë sipërfaqe.
APK-ja pati planifikuar që më 2022 të mbillte edhe 300 mijë fidanë të tjerë. Por shkaku i shkeljeve në procedurat tenderuese, procesi u zvarrit dhe më pas u anulua.
Shkak për këtë u bë fillimisht eliminimi i kompanisë “Kristal”, që pati çmim më të ulët për rreth 38 mijë euro, për pyllëzimin e 126 hektarëve, me arsyetimin se ishte e papërgjegjshme, e më pas u rekomandua kompania “Dardani” që ishte fituese e pjesë së parë të tenderit.
Por këto pretendime ia rrëzoi Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas ankesës që kompania e bëri te ky institucion. Ani se OSHP-ja e ktheu lëndën në rivlerësim, Agjencia e ka anuluar këtë pjesë të tenderit, me justifikimin se tashmë ka kaluar koha e mbjelljeve.
“Për shkak të vonesave të paraqitura gjatë procedurës dhe kohës që është dashtë të realizohet ky lot/pjesë, gjatë muajit tetor-nëntor, nuk mund të arrihet qëllimi i kontratës”, thuhet nga Agjencia e Pyjeve.
KOHA ka kërkuar sqarim nga ky institucion se përse nuk është planifikuar tenderi më herët për të mos shkaktuar vonesa në mbjellje, porse as pas pesë ditësh nuk ka marrë përgjigje nga Agjencia.
Zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur as në pyetjen se pse ishte eliminuar kompania që kishte çmimin më të lirë, porse ka thënë se gjatë viteve 2020, 2021 dhe 2022 kriter për dhënien e kontratës ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët.
E pronari i kompanisë “Dardani”, Hajdin Leskovci, e ka arsyetuar ofertën e tij me çmim prej 600 eurosh më të shtrenjtë se më 2020, me rritjen e kostos.
“Ka ndikuar çmimi i punëtorëve dhe i derivateve, i ushqimeve e krejt. Po ashtu, terreni ka qenë më i vështirë, ka qenë më larg, më i vështirë. Terreni ka qenë i vështirë, lartësia mbidetare, pa rrugë”, tha Leskovci.
Leskovci ka sqaruar se nga kontrata e lidhur me APK-në nuk është arritur që të pyllëzohen edhe 8 hektarë sipërfaqe në Mitrovicën e Veriut.
KOHA ka tentuar që të marrë një qëndrim edhe nga kompania “Kristal”, që ka dhënë ofertë për pjesën e dytë e që nuk i është dhënë tenderi, porse përfaqësues të saj nuk i kanë kthyer përgjigje.
Vitin e shkuar APK-ja arriti të pyllëzonte 277 mijë drurë në 111 hektarë sipërfaqe, ani se në Institutin e Pylltarisë në Pejë ishin prodhuar 857 mijë e 500 fidanë.