Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka dorëzuar kallëzime penale ndaj të paktën katër deputetëve për mosdeklarim të pasurisë. Të njëjtit kanë qenë deputetë edhe në legjislaturën e kaluar dhe aktualisht janë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ata vijnë nga subjekte të ndryshme politike. Përveç tyre, në mesin e 48 kallëzimeve penale të dërguara nga APK-ja në prokuroritë përkatëse, përfshihen edhe këshilltarë ministrash dhe zyrtarë të Avokatit të Popullit.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, tregon se këto kallëzime penale ndërlidhen me deklarimet e pasurisë që janë dorëzuar në vitin 2024.
Në një intervistë për KosovaPress, Buleshkaj thotë se janë edhe rreth 70 kallëzime penale në finalizim që pritet të dorëzohen në organet kompetente.
"Muajin e kaluar e kemi përfunduar verifikimin e 1/3 të zyrtarëve publikë që kanë qenë të obliguar të kryejnë deri në atë kohë, e që ndërlidhen me deklarimet e pasurisë që janë dorëzuar në vitin 2024. Si rezultat i këtij verifikimi tashmë janë dërguar 48 kallëzime penale dhe janë edhe rreth 70 në finalizim. Në tërësi pritet që numri të jetë më shumë se dyfish i kallëzimeve penale në raport me vitin paraprak, në vitin 2024", thotë Buleshkaj.
Buleshkaj nuk dëshiron të tregojë emrat e deputetëve të përfshirë në kallëzimet penale të APK-së për mosdeklarim të pasurisë, pasi siç thotë ai mund të dëmtojë hetimet eventuale.
Por, ai tregon se vijnë nga subjekte të ndryshme.
"Kam parë se janë disa deputetë, më ka mbetur në mendje. Ka këshilltarë të ministrave. Nuk ka pozita të ministrave dhe zëvendësministrave nga ajo që kam parë deri më tani. Ka edhe të ndërmarrjeve publike dhe të zyrtarëve të institucioneve të pavarura. Ka zyrtarë të Avokatit të Popullit, që janë dërguar si kallëzime penale. Por, nuk kisha pasur dëshirë që t’i përmend emrat sepse mund të dëmtojë hetimet eventuale...Prej 48-ve nëse nuk gaboj janë të paktën katër deputetë... Vijnë nga subjekte të ndryshme të cilët kanë qenë të përfaqësuar në kuvendin e Kosovës dhe që janë aktualisht të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës", thotë Buleshkaj.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, thekson se në kallëzimet penale të dërguara në prokuroritë përkatëse gjatë muajit qershor, janë evidentuar apartamente të padeklaruara, të hyra dhe biznese të pa raportuara.
"Kjo listë nuk është finale sepse ende jemi në finalizim edhe të gati dyfishtë të propozimit për kallëzime penale dhe informatat për prokurori që jemi duke i shqyrtuar si zyre e drejtorit e që tashmë janë të përgatitura nga njësitë profesionale... Kemi evidentuar edhe apartamente të padeklaruara, të hyra dhe biznese, që nuk janë raportuar”, ka thënë Buleshkaj.
Ndër të tjera, ka potencuar se janë shqiptuar dhe shpërndarë 99 gjoba për mosdeklarim të pasurisë. Nga to, siç tregon ai 58 të tyre janë arkëtuar.
Bukeshkaj thotë se këtë vit është më i madh numri i gjobave.
"Tashmë i kemi shqiptuar dhe janë shpërndarë 99 gjoba për mosdeklarim të pasurisë. Nga 99 gjoba të shpërndara 58 janë arkëtuar, ndërsa pjesa tjetër është në proces të arkëtimit. Kemi edhe numër të madh të ankesave, sepse secili subjekt i cili është gjobitur e ka të drejtën e ankesës. Jemi në proces të finalizimit të shqyrtimit të ankesave...Këtë vit ka qenë numri më i madh i gjobave, nga 108 masa të ndërmarra ndaj subjekteve që janë vonuar në deklarim të pasurisë, 9 nga to kanë qenë vërejtje, që kanë qenë publike apo jo publike të propozuara varësisht nga shkelja… Ndërsa 99 kanë qenë gjoba, të cilat janë 30 për qind e pagës mujore të zyrtarëve publik", tregon Buleshkaj.
Në fund, Buleshkaj bënë të ditur se në fushën e sinjalizimit është shënuar një rritje e ndjeshme. Ai thotë se vetëm deri në muajin qershor të vitit 2025, numri i rasteve të sinjalizuara në Agjenci ka tejkaluar shifrën e gjithë vitit paraprak.
Në vitin 2023 janë regjistruar 20 raste, në vitin 2024 numri është rritur në 48, ndërsa këtë vit, vetëm për gjashtë muajt e parë, janë sinjalizuar mbi 50 raste.
Sinjalizimi është veprimi përmes të cilit një person (i quajtur sinjalizues) njofton autoritetet për shkelje të ligjit apo veprime të paligjshme dhe joetike që ndodhin brenda një institucioni publik apo privat.
Sinjalizuesit shpesh janë punonjës të atij institucioni që raportojnë korrupsion, keqpërdorim të detyrës, konflikte interesi, ose shkelje të tjera që cenojnë interesin publik.