Agjencia kundër Korrupsionit e ka konfirmuar të hënën se është duke e trajtuar rastin e Zenun Halilit, ish-kandidatit të AAK-së për deputet që i është rrekur garës për rektor në UP, për të cilin KOHA ka raportuar sot.
Halili ishte dorëhequr nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, për t’i hyrë garës për rektor në UP. Por në prag të vlerësimit të kandidaturave nga një Komision i Senatit, profesorë të Juridikut e kanë hartuar një dokument, argumentet e listuara në të cilin tregojnë arsyet pse Halili nuk mund të ngjitet në krye të UP-së. Dokumenti është një analizë mbi pamundësinë për t’u zgjedhur në pozitën e rektorit, personat që në dy vitet e fundit kanë qenë anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së.
Anti-korrupsioni, në përgjigjet drejtuar KOHËS ka bërë të ditur se është duke u marrë me këtë rast.
“Agjencia kundër Korrupsionit tani është në fazën e grumbullimit të informacionit edhe me Autoritetin përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit brenda Universitetit të Prishtinës dhe sigurisht se AKK ditëve në vijim do të dalë me Opinion zyrtar lidhur me këtë rast”, është bërë e ditur nga kjo agjenci, teksa është sqaruar se në këtë rast konkret, deri më tani nuk ka pasur ndonjë kërkesë dhe as informacion nga mekanizmat përgjegjës, se diçka e tillë po ndodhë.
Kjo agjenci po ashtu ka konfirmuar se anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës hyjnë në kategorinë e zyrtarëve të lartë publikë.
Për rrjedhojë, “neni 18 i Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik ka të bëjë me ‘Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike, ose atë që ndryshe quhet kufizimet ‘ex post. Ndër katër paragrafët që kanë kufizime për zyrtarin e lartë pas largimit nga funksioni publik, po e citojmë paragrafin e parë, që thotë, si vijon: Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre”, shkruhet në përgjigjen e AKK-së.