Në kohën kur Qeveria e Kosovës është në dorëheqje dhe vendi së shpejti pritet të shkojë në zgjedhje, institucionet publike po vazhdojnë të rekrutojnë militantët partiakë.
Së fundi në Ministrinë e Tregtisë e cila udhëhiqet nga Nisma, përmes një konkursi të brendshëm, është avancuar një nga anëtarët e kësaj partie.
Bëhet fjalë për Doruntinë Ukajn, e cila është pjesë e degës së Nismës në Prishtinë, raporton KTV.
Ukaj është përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme në konkursin e 12 korrikut.
Në rezultatet e shpallura javën e kaluar, Ukaj ka marrë 85 pikë, duke u emëruar udhëheqëse e departamentin të Divizionit për Hartimin e Politikave të Turizmit, që është pozitë në kuadër të shërbimit civil.
Ukaj para avancimit, ka qenë Zyrtare e lartë ekzekutive në MTI.
Ajo nuk ka pranuar të japë sqarime para kamerës, por përmes telefonit, ka thënë se këtë pozitë e ka fituar me meritë, derisa ka thënë se ka vite që është pjesë e kësaj ministrie.
Ukaj ka mohuar se Nisma, parti së cilës ajo i përket, ka ndikuar në avancimin e saj në detyrë.
Ndërsa në një përgjigje të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thuhet se Ukaj ka 3 vite që është punësuar aty.
Në përgjigjen e MTI-së, shtohet se Doruntinë Ukaj i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë.
“Doruntinë Ukaj ka qenë e punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Kriteret e pozitës Udhëheqëse e Divizionit për Hartimin e Politikave të Turizmit kanë qenë publike në konkursin e shpallur me datën 12.07.2019 deri me 19.07.2019, kritere këto të cilat kandidatja Doruntinë Ukaj, i ka plotësuar sipas vendimit të Komisionit Përzgjedhës për Rekrutim”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.
Kurse, rregullorja për avancimin në karrierë të nëpunësve civilë e përcakton se në cilat raste mund të bëhet avancimi në pozitë.
Sipas nenit 10 të kësaj rregulloreje, koha minimale për avancim nga një gradë më e ulët në një gradë më të lartë është 3 vjet kur perfomanca e nëpunësit civil është vlerësuar mirë dhe shumë mirë, ndërsa 2 vjet, kur performaca është vlerësuar e suksesshme.