Arbëri

Anëtarët e LVV-së e të PDK-së në KQZ përplasen për buxhetin për zgjedhje

Komisioni Qendror Zgjedhor

Foto: Arkiv

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pati përplasje mes anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me miratimin e buxhetit shtesë për zgjedhjet lokale.

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, tha se mungesa e miratimit të buxhetit nga Qeveria mund të ndikojë negativisht në organizimin e zgjedhjeve.

“E kam një pyetje për ju, po shkon koha dhe buxheti akoma nuk është miratuar nga ana e qeverisë dhe unë mendojë që ju duhet të komunikoni, sepse mosmiratimi i shpejtë i buxhetit rrezikon disa operacione zgjedhore, sidomos te pjesa e diasporës. Mos ndarja e buxhetit me kohë mund të rrezikoj realizimin e këtyre operacioneve”, tha Gashi.

Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi iu kundërpërgjigj Gashit duke thënë se nuk është e vërtetë që qeveria nuk e ka ndarë buxhetin. Sipas tij, çështja qëndron te kërkesat shtesë buxhetore.

“Nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka ndarë buxhet. Për të gjitha kërkesat që kemi pasur qeveria i ka ndarë. Çështja është për kërkesat shtesë buxhetore, të cilat ne vet si institucion nuk i kemi planifikuar”, tha Krasniqi.

Pas kësaj, Gashi iu drejtua Krasniqit duke i thënë se “nuk je zëdhënës i qeverisë”.

“Unë Hekuran Muratit si bëra pyetje këtu. Po e trajtoj si shqetësim. Nuk je zëdhënës i qeverisë”, tha Gashi.

Në anën tjetër, Krasniqi iu referua Gashit duke i thënë se po e dezinformon publikun.

“Thatë që nuk ka ndarë qeveria buxhet nuk është e vërtetë. Duhet me pranua që dezinformove publikun. Qeveria ka ndarë që vitin e kaluar këtë buxhet. Me mediat të caktuara që i keni e keni dezinformuar publikun”, tha tutje Krasniqi.

Përveç kësaj në mbledhjen e KQZ-së u vendos për emërimin e 216 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 38 komunat e Republikës së Kosovës, të cilët përfaqësojnë subjektet e ndryshme politike.

Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani, bëri të ditur se për këtë proces të gjithë anëtaret kanë kaluar procedurat ligjore.

Në mbledhje u potencua se për zgjedhjet lokale të 12 tetorit janë deklaruar dy koalicione, ndërsa pesë parti janë tërhequr nga gara.

“Koalicija Vakat”, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe Koaliconi “SDU-NASA (NASA SDU)”, i përbërë nga partitë politike Socijaldemokratska Unija dhe Nasa Inicijativa, i formuar vetëm për komunën e Prizrenit.

Ndërsa, partitë politike të cilat nuk do të garojnë në zgjedhjet e 12 tetorit janë Organizata Balli Kombëtar Demokrat, Partia Demokratike e Diasporës, Partia e Drejtësisë, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Balliste./KosovaPress