Kryeministri Albin Kurti e ka përjashtuar mundësinë e themelimit të një Asociacioni mbi baza etnike, një ditë pasi ambasadori amerikan tha se Qeveria duhet t’i përmbushë obligimet në raport me këtë mekanizëm. E zëvendësi i Kurtit për çështje të dialogut, Besnik Bislimi, ka takuar të enjten ambasadorët e QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se Qeveria duhet të tregojë se cilat marrëveshje duhet rivlerësuar dhe nëse do të iniciohet procedura për zhbërjen e tyre
Asociacion të komunave mbi baza etnike nuk mund të ketë, sepse një mekanizëm i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ka thënë të enjten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Këtë deklaratë e bëri vetëm një ditë pasi ambasadori amerikan, Philip Kosnett, deklaroi se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas Kurtit, kërkesat për themelimin e Asociacionit nuk vijnë prej njerëzve të thjeshtë, por nga politikanët serbë.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, Asociacion mbi baza etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 23 dhjetor të vitit 2015”, ka thënë Kurti.
Ambasadori amerikan, Kosnett, ka thënë të mërkurën se historia nuk ka filluar ditën kur u formua Qeveria Kurti, duke shtuar se është detyrim respektimi i marrëveshjeve që janë marrë më herët.
“SHBA-ja beson se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e komunave serbe. Historia nuk ka filluar në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit dhe ne besojmë se vendet kanë një detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe detyrimet e ndërmarra më parë”, ka thënë Kosnetti në një intervistë për Radio Kontakt Plus.
“Diplomatët duhet të jenë optimistë, përndryshe do të merreshim me një profesion tjetër. Unë mendoj se është në interes të madh të njerëzve të të dyja vendeve që të jenë në gjendje të ecin para sa më shpejt që të jetë e mundur. Sigurisht është nevoja të zhvillohen negociatat serioze. Kryeministri Kurti ka thënë shumë në lidhje me dëshirën për t’u përgatitur siç duhet për negociatat. Ne besojmë se është e rëndësishme që njerëzit të jenë të përgatitur për bisedime serioze, por edhe të ecin para me një sens urgjence”.
Sipas burimeve të KOHËS, të enjten ambasadori amerikan i ka shkuar në zyrë zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislimi. Kaltrina Zeka, këshilltare në kabinetin e Bislimit, e ka konfirmuar mbajtjen e takimit. Sipas saj, ambasadorët janë informuar në lidhje me dialogun, dhe se përveç Kosnetitt kanë qenë të gjithë ambasadorët e QUINT-it dhe shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog.
“Vetëm janë informuar ambasadorët e QUINT-it dhe shefi i BE-së në lidhje me procesin e dialogut. Nuk është diskutuar për Asociacionin”, ka thënë Zeka.
Ajo ka mohuar të jetë diskutuar për çështjen e Asociacionit.
Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se Qeveria duhet të sqarohet rreth marrëveshjeve të mëhershme, nëse ka për synim t’i zbatojë apo t’i zhbëjë ato.
“Këtu kërkohet edhe një sqarim nga Qeveria Kurti, ku flitet edhe për procesin 10-vjeçar të dialogut përfshirë dhe Marrëveshjen e Washingtonit apo zotimet e tij, duhet të ketë qartësim kur flasim për rivlerësim të marrëveshjeve, çfarë nënkuptojnë ato, a duan që t’i rinegociojnë këto marrëveshje, duan t’i zhbëjnë ato”, ka thënë Jeta Krasniqi nga KDI-ja. “Pra, duhet të ketë qartësim nga ana e kësaj qeverie se cili është qëndrimi i tyre për zotimet e Washingtonit. A i shohin ato si pjesë të obligimeve të shtetit të Kosovës dhe që të ndërmarrin masa për zbatimin e tyre apo do të bëjnë hapa në drejtim të zhbërjes së tyre”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, gazetari dhe analisti Branislav Kërstiq thotë se themelimi i Asociacionit shihet si kusht për njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Me siguri qytetarët e Kosovës, përfshirë serbët janë në një mënyrë në panik kur diskohet për Asociacionin. Ekziston perceptimi tek ata që nuk janë në një linjë me Listën Serbe se regjimi i Beogradit është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por, bashkimi i komunave serbe është kompromisi që ata kërkojnë. Edhe ndërkombëtarët do të insistojnë në këtë, pra që Kosova të pajtohet me themelimin e Asociacionit”, ka thënë Kërstiqi.
“Nuk shoh asnjë arsye për shqetësim, sepse çdo krahasim me Republika Srpska në Bosnjë është i gabuar. Pse? 100 mijë njerëz me tendencë të vazhdueshme për të emigruar nuk mund ta kenë Republikën e tyre brenda shtetit të Kosovës”.
Themelimi i Asociacionit vazhdon të jetë edhe kërkesë e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, që thonë se Kosova duhet t’i propozojë modalitetet për formimin e Asociacionit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 lidhur me Asociacionin/Bashkësinë zakonisht është keqinterpretuar. Gjykata kurrë nuk ka thënë që Asociacioni/Bashkësia nuk mund të themelohet. Prandaj, ne presim që Kosova të respektojë angazhimet e ndërmarra në dialog”, kishte deklaruar zëdhënësi, Peter Stano.
Pavarësisht konstatimit të shkeljeve në të shtatë kapitujt e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria Mustafa dhe ajo që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj. Patën themeluar Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë kanë qenë serbë.
Në takimet e zhvilluara në terren me palët e ndryshme të interesit në zonat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues pati shprehur përcaktimin që kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në marrëveshjen e parë të Brukselit, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Serbët kanë shprehur synimin për kompetenca ekzekutive të cilat iu mundësojnë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor. Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë ka edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës - Liqenin e Gazivodës dhe “Trepçën”.
Pika më kundërthënëse rreth Asociacionit në marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 konsiderohet e pesta, e cila specifikon se ky mekanizëm do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Ndërkaq, në marrëveshjen e vitit 2015 specifikohet që kjo pikë të diskutohet sërish një vit pasi të hartohet statuti i Asociacionit.
Angazhimet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe patën kulmuar në vitin 2016, nëpërmjet miratimit të një draft-statuti që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në ish-Qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti, si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i ka publikuar KOHA. Sipas ish-kryeministrit Mustafa, draft-statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk dëshironin Asociacion sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2015.