Politikanë shqiptarë në Luginë të Preshevës janë ankuar për shpërfilljen, të cilën Serbia ua bën thirrjeve të Parlamentit Evropian për ndaljen e diskriminimit ndaj pakicave. Ata kanë theksuar se edhe vërejtjet që janë evidentuar në rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian do të mbeten në letër, ngjashëm si viteve paraprake
Aktivistë politikë në Luginën e Preshevës kanë shprehur brengën se vetëm në letër mbetet evidenca që shteti i Serbisë i diskriminon shqiptarët.
Në pikën 47 të rezolutës për Serbinë, të miratuar këtë të mërkurë, Parlamenti Evropian (PE) ka ngritur shqetësimin për pasivizimin e adresave dhe e ka cilësuar këtë si formë zbatimi restriktiv dhe arbitrar të Ligjit për Rezidencën e Përhershme dhe të Përkohshme, që prek drejtpërdrejt të drejtat civile dhe politike të qytetarëve, në veçanti të komunitetit shqiptar.
Nevzad Lutfiu, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka thënë se në kohën kur është miratuar rezoluta për Serbinë, presidenti Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar takime në Moskë. Sipas tij, ky është një tregues shtesë se Serbia nuk është e interesuar për vërejtjet që i bëhen.
“Asnjë veprim të diskriminimit nuk e ka ndryshuar, nuk e ka ndalë si rezultat i këtyre rezolutave. Edhe në rezolutën e vitit të kaluar, edhe në këtë rezolutë, përmendet pasivizimi i adresave. Një fenomen diskriminues, spastrues në vendin tonë. Por, pasivizimi vazhdon me të njëjtin vullnet, me të njëjtën përmasë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Unë nuk pres një ndryshim të qasjes së shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi në Serbi”, ka thënë Lutfiu.
Krahas pasivizimit të adresave, rezoluta e Parlamentit Evropian në pikën 46 thekson mungesën e sigurimit të përfaqësimit të plotë të pakicave në të gjitha nivelet e qeverisjes, si edhe mungesën e masave për ruajtjen e identitetit kulturor nëpërmjet përdorimit të gjuhëve përkatëse.
Politikani shqiptar nga Bujanoci, Ragmi Mustafi, ka thënë se rezoluta e fundit e PE-së për Serbinë, është kambanë alarmi që nuk mund të injorohet.
“PE-ja e thotë qartë: e ashtuquajtura “mbrojtje” e pakicave nga Serbia është vetëm formale dhe përfaqësimi i tyre është nën kontrollin e qeverisë. Kjo është tallje me demokracinë! PE-ja deploron shkeljen e të drejtave për arsim në gjuhën amtare. Fëmijët tanë meritojnë tekste shqip dhe kushte dinjitoze, jo asimilim të heshtur! PE-ja dënon abuzimin e identiteteve kombëtare për të mbjellë përçarje dhe gjuhën e urrejtjes kundër pakicave. Sikurse, vonesa e Serbisë në hartimin e planit për të drejtat e pakicave tregon mungesë vullneti. Serbia duhet të zbatojë urgjentisht rekomandimet e PE-së! Sidomos, të drejta të plota për shqiptarët dhe pakicat e tjera!”, ka shkruar Mustafi në një postim në Facebook.
Me rezolutën e fundit, Parlamenti Evropian ka kërkuar edhe “qasje të barabartë në media për të gjitha komunitetet” dhe u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të zgjerojnë disponueshmërinë e shërbimeve të transmetimit publik në të gjitha gjuhët e pakicave në të gjithë vendin.
Raporti i përgatitur nga deputeti kroat, Tonino Piculla, e ka kritikuar Serbinë për shkak të raporteve me Rusinë dhe për përpjekjet për t’i destabilizuar shtetet fqinje.