Rreth 163 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, që ndodhen në vendet e ish-Jugosllavisë, po rrezikohen që të tjetërsohen. Kjo pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit po ka vështirësi në identifikimin e aseteve të tjera në këto vende. Avokati Bejtush Isufi thotë se kjo agjenci do të mund të bënte më shumë që të shmangte tjetërsimin e pronave jashtë vendit
Pronat e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, që gjenden në shtetet e ish-Jugosllavisë, po rrezikohen të tjetërsohen.
Përveç evidentimit të 163 prej tyre, Agjencia Kosovare e Privatizimit po ka vështirësi në identifikimin e aseteve të tjera dhe në kthimin në pronësi të tyre.
Që nga paslufta, Kosova nuk ka qasje në 99 prona të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në Serbi, e as për gjendjen e tyre.
Sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), “autoriteti administrativ i Agjencisë vlen për të gjitha pronat e ndërmarrjeve, përfshirë edhe pronat jashtë Kosovës”.
Por, që AKP-ja nuk ka fare qasje në pronat në Serbi.
Vetëm ndërmarrja “Jatex” nga Gjakova, ka 31 objekte afariste në ish-Jugosllavi, prej të cilave 24 gjenden në territorin e Serbisë.
Ndërkohë, në Malin e Zi janë 35 asete, në Bosnjë-Hercegovinë 15 asete, në Maqedoni 8 asete, në Kroaci 5 dhe Slloveni 1 aset.
Sipas avokatit Bejtush Isufi, i cili përfaqëson një numër të madh të palëve në Dhomën e Posaçme, thotë se AKP-ja duhej të kishte kujdes më të shtuar për asetet jashtë vendit, shkaku i rrezikut të madh të tjetërsimit.
“Unë besoj që AKP-ja ka mundur që në të gjitha vendet që gjenden asetet e Kosovës të gjendet një zyrë juridike, që do të angazhoheshin dhe të bënin maksimumin që të mbroheshin këto asete dhe ato do t’i takojnë fondit të AKP-së, dhe të jenë në dobi të punëtorëve që janë pjesëmarrës në lista për 20 për qindësh dhe të cilët po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, nga AKP-ja kanë thënë se për pronat që ndodhën në Malin e Zi, ka raste transformimi dhe ndërrim të titullarit juridik të pronës në mënyrë të kundërligjshme, por që janë duke e ndjekur me procedura gjyqësore.
I tillë është rasti i pronës së ndërmarrjes “Rekreaturs” Prishtina, e zëvendësuar me Rekreaturs Budva dhe shumica e këtyre pronave janë jashtë kontrollit faktik të AKP-së dhe autoritetit të likuidimit të NSH-ve.
Kërkesa për informacione nga palët që përfaqëson thotë se ka pranuar edhe avokati Isufi.
“Kam pasur kërkesa bukur të shpeshta të punëtorëve që u takojnë ndërmarrjeve që kanë asete jashtë vendit, që të kuptojnë se çka po ndodh me to, pasi po flasim për të drejtën private, AKP-ja do të mund të merrte aktivitete juridike, përmes gjykatave dhe institucioneve që mbulojnë procesin e privatizimit”, ka theksuar Isufi.
AKP-ja nuk ka qasje as në pronat në Bosnjë-Hercegovinë për shkak të kufizimeve të lirisë së qarkullimit.
“AKP-ja për disa prona që ka dëshmi dhe informacione ka angazhuar një avokat, i cili kryen veprime të kufizuara dhe me autorizim specifik. Është për t’u përmendur se në BH - qytetin Zenica kemi një aset të Nsh “Jatex“ në shfrytëzim, por shumica janë jashtë kontrollit administrativ të AKP-së”.
Në Kroaci, sipas AKP-së, ka një numër të caktuar asetesh, por nuk ka ndonjë veprim specifik.
Ndërsa, në Maqedoninë e Veriut thotë se ka autorizuar një ofertues shërbimesh për identifikim dhe sigurimin e dokumentacionit administrativ dhe pronësor të aseteve të NSH-ve, ndërsa në Slloveni ka një aset, por që nuk ka informacione për statusin dhe gjendjen e tij.
Privatizimi në Kosovë ka filluar në vitin 2002, fillimisht nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), e më pas nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Që nga paslufta, Kosova nuk ka qasje në 99 prona të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në Serbi, e as për gjendjen e tyre. Sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), “autoriteti administrativ i Agjencisë vlen për të gjitha pronat e ndërmarrjeve, përfshirë edhe pronat jashtë Kosovës”. Por, që AKP-ja nuk ka fare qasje në pronat në Serbi