Arbëri

Aeroporti i Kukësit, vend kujtese për strehimin e viktimave të spastrimit etnik

“Ky aeroport quhet ‘Zayed – Flatrat e veriut’, sepse është ndër të tjera edhe vend kujtese. Është tempull i kujtesës së kësaj zone. Në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën me dhunë dhe ishin viktima të spastrimit etnik serb. Muhamed Zayed është i biri i një burri të urtë që ka njohur kjo botë, që arriti t’ju japë jetë Emirateve të Bashkuara Arabe. Sheikët erdhën këtu dhe u kujdesën për refugjatët e luftës nga Kosova...”, ka shkruar Rama, duke kujtuar faktin se në Kukës qëndruan shqiptarët e Kosovës të dëbuar më 1999 nga regjimi kriminal serb i kohës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se fluturimet e rregullta në Aeroportin e Kukësit do të nisin më 15 korrik. Njoftimin Rama e ka bërë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku u ka kthyer njëherësh përgjigje zërave kritikë, se Aeroporti i Kukësit ishte hapur vetëm për fushatën elektorale. Rama bën me dije se nga 15 korriku, Aeroporti i Kukësit “Zayed, Flatrat e Veriut” do të nisë fluturimet me Zvicrën dhe Turqinë, teksa ka nxjerrë dhe çmimet e biletave për linjat Kukës- Zyrih dhe Kukës-Stamboll e anasjelltas.

“Se ç'ishin ca miq që thoshin Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ishte sa për fushatë, po unë s'bëj asgjë sa për fushatë dhe çfarë bëj e them e çfarë them e bëj, kështu që bujrum me “Air Albanian” në portën e hapur të qiellit të Kukësit. Po nuk mbaron me kaq, lajme të tjera nga ky front së shpejti.*** 1€ + taksat domethënë: Kukës - Zyrih 12 EUR, Zyrih - Kukës 28.66 EUR, Kukës - Stamboll 12 EUR, Stamboll - Kukës 23 EUR”, shkruan Rama.

Aeroporti më i ri i Shqipërisë, në Kukës ka pritur më 18 prill avionin e parë. Nga Londra me “Air Albania” kanë ardhur një grup emigrantësh, midis tyre edhe nga Kosova që më pas u ulën në Rinas, ku iu bashkua dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për të udhëtuar drejt Kukësit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka sqaruar nga Kukësi se nga 18 prilli koncesionari do të vijojë punën me kompanitë, dhe nga 17 qershori do të jetë totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë. Balluku garantoi se do të ketë linja direkte nga Kukësi për në Gjermani, Zvicër e Britani të Madhe.

Kryeministri Edi Rama, nga Kukësi, duke folur për inaugurimin e Aeroportit të ri në këtë qytet, deklaroi se kjo është një ditë e veçantë për shqiptarinë. Ai ka shpjeguar edhe pse aeroporti mban emrin “Zayed – Flatrat e Veriut”, duke kujtuar faktin se në Kukës qëndruan shqiptarët e Kosovës të dëbuar nga regjimi kriminal serb i kohës.

“Ky aeroport quhet ‘Zayed – Flatrat e veriut’, sepse është ndër të tjera edhe vend kujtese. Është tempull i kujtesës të kësaj zone. Në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën me dhunë dhe ishin viktima të spastrimit etnik serb. Muhamed Zayed është i biri i një burri të urtë që ka njohur kjo botë, që arriti t’ju japë jetë Emirateve të Bashkuara Arabe. Sheikët erdhën këtu dhe u kujdesën për refugjatët e luftës nga Kosova. Babai i Zayed kishte dhënë urdhër që të hapej pista. Gjurma e Aeroportit është nga ajo kohë, kur ndodhte spastrimi etnik. Babai i Zayed e merrte në telefon të birin dhe i thoshte që të shpërndajë ndihma dhe të mos kishte dallime për arsye fetare. Aeroporti është edhe “Flatrat e veriut”, sepse këtu në Kukës është veriu i Shqipërisë, por andej nga erdhën vëllezërit e motrat tanë është veriu i shqiptarisë. Andej kishte zhvillime të mëdha, që përfundoi me pavarësinë e Kosovës. Këtu u shkrua një faqe e shenjtë e historisë shqiptare”, u shpreh Rama.

Aeroporti i Kukësit ndodhet në jug të këtij qyteti, në vendin e quajtur Fusha e Meteorit në Shtiqën, pranë fshatit me të njëjtin emër, rreth 3.5 kilometra larg nga Kukësi, në lartësinë 353 metër mbi nivelin e detit.

Gjatë krizës së Kosovës në pranverën e vitit 1999, kjo fushë ku aktualisht është pista e Aeroportit të Kukësit, u aktivizua pasi u kryen punime nga forcat aleate të NATO-s dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara. Në saje të këtyre punimeve asokohe është bërë e mundur ulja e avionëve, të cilët sillnin ndihma për refugjatët kosovarë ku fillimisht është ulur një avion ushtarak C-130 i ushtrisë së EBA-s bashkë me Abdullah bin Zayed Al Nahyan, njëherësh edhe i biri i ish-presidentit të ndjerë të EBA-s, aktualisht princi i Kurorës i EBA-s. Në këtë fushë është ulur gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s edhe komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe në vitin 1999. Pas përfundimit të krizës kosovare, në pistën e improvizuar janë ulur avionë të cilët transportonin refugjatë kosovarë nga Korça e Maqedonia, ku më pas transportoheshin me autobusë të UNHCR-së për në Kosovë. Më pas qeveria e EBA-s dhe presidenti i ndjerë i këtij vendi sheiku Zayed Bin Sultan moren përsipër financimin falas që Aeroporti i Kukësit të përfundojë dhe ai të jetë një Aeroport Internacional Civil. Pikërisht për këtë arsye, në terminalin e këtij aeroporti do të jenë të ekspozuara në mënyrë të përhershme foto të përzgjedhura nga kriza e Kosovës. Emiratet e Bashkuara jo vetëm që e ndihmuan popullin e Kosovës duke mirëpritur në Kukës me dhjetëra e mijëra motra dhe vëllezër nga Kosova në kampin e tyre të jashtëzakonshëm për nga standardet e larta, por ishin vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës nga vendet e Lindjes së Mesme dhe janë një nga vendet kryesore që po e ndihmojnë dhe e mbështesin shtetin e ri të Kosovës.

Aeroporti i Kukësit është vlerësuar si porta e hyrje –daljes dhe lidhjes së Shqipërisë me pjesën tjetër të kombit matanë kufirit, me Kosovën. Ndërkohë që ky aeroport është paraqitur me mjaft vlera gjeo-strategjike dhe për rajonin e Ballkanit. Kukësi ishte planifikuar gjithashtu të ishte një pikë e rëndësishme e transicionit të fluturimeve ajrore në mes të Rinasit e Prishtinës, por sidomos Prishtinës.

Image

I gjithë financimi i Aeroportit është një dhuratë e Emirateve te Bashkuara Arabe, me përjashtim të shpenzimeve për shpronësimin e pronarëve të tokave të zëna nga Aeroporti, të cilat u përballuan nga Qeveria Shqiptare me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh.

Shuma e përgjithshme e investimit (ndërtimit dhe supervizionit) nga Qeveria e EBA-s ka qenë afro 20 milionë dollarë, pa përfshirë pajisjet e navigacionit, të cilat nuk kanë qenë në marrëveshjen fillestare, por që më pas u financuan edhe ato nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara.

Aeroporti i Kukësit synon që të ofrojë shërbime “low cost”, duke qenë se për nga infrastruktura, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët dhe do t’u shërbejë pasagjerëve në të dyja anët e kufirit (Shqipëri-Kosovë). Kështu që, fluturimet me Zvicrën do t'u shërbejnë më së shumti shqiptarëve nga Kosova. Zvicra ka diasporën më të madhe të shqiptarëve të Kosovës pas Gjermanisë. Statistikat e publikuara nga SEM (Sekretariati Shtetëror për Migracion)numri i shtetasve Kosovës me qëndrim në Zvicër në fund të vitit 2017 ka qenë 112.109 veta që përbëjnë 5.5% nga numri i gjithmbarshëm i të huajve në këtë vend. Këtu bëhet fjalë për shtetasit e Kosovës dhe nuk hyjnë as ata kosovarë që kanë marrë ndërkohë nënshtetësinë zvicerane dhe as ata që ende e kanë pasaportën serbe.