Avokati Hilmi Canolli ka deklaruar se Kosova nuk duhet të refuzojë bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në çështjen e refugjatëve, edhe pse një vendim i tillë sjell pasoja apo sfida për vendin.
Në emisionin KONFRONT në KTV, ku po diskutohej mundësia që Kosova të pranojë më shumë refugjatë në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme me Britaninë, Canolli ka thënë se raporti me një aleat të tillë nuk duhet të vihet në pikëpyetje.
“Është e vështirë t’i themi një aleati jo, pavarësisht sfidave, pasojave që do të jenë. Nuk guxojmë të prishemi me një aleat që, siç dihet, çka ka bërë për ne. Le të bëjmë diçka për ta, pavarësisht kostove”, u shpreh ai.
Ai theksoi se qendrat që do të mund të krijoheshin në Kosovë nuk do të jenë të tipit të mbyllur dhe se është e mundshme që refugjatëve t’u ofrohet status i përhershëm në vend, në vend se të dërgohen në vendet prej nga kanë ardhur.
“Është shumë e lehtë për Britaninë të depërtojë azilkërkuesit në shtete të tjera, jo nga kanë ardhur. Mendoj që marrëveshja mund të jetë që refugjatët që vijnë në Kosovë të mbesin me status të përhershëm këtu,” shtoi Canolli.
Ymeri: Refugjatët ikin vetë kur e shohin rrezikun e dëbimit
Memli Ymeri nga “Programi për të drejtat Civile në Kosovë” ka thënë se në Kosovë ka sfida për integrimin e refugjatëve, por se shprehet se shteti edhe ka bërë mjaft për integrimin e tyre duke marrë parasysh se është sistem i ri.
Ai ka shtuar se rrallë ka ndodhur që në Kosovë të kthehen refugjatët në vendet e tyre të origjinës, por ka thënë se shumica largohen vetë.
“Atyre që nuk u pranohet azili kanë të drejtë ankimimi. Deri në marrjen e vendimit përfundimtar nuk dëbohen. Meqë në Kosovë qendra e azilit është e sistemit të hapur, ata kanë të drejtë të dalin nga ora 10 deri në 7 në mbrëmje, shumica largohen vetë. Rrallë ka pasur ndonjë rast kur ka qenë i organizuar kthimi i tyre në vendin e origjinës”, u shpreh ai.
Bekteshi: Kosova ka nevojë për integrim të refugjatëve, jo vetëm t’i mirëpresë
Sociologu Kushtrim Bekteshi ka thënë se shoqëria kosovare ende përballet me vështirësi në raport me të ndryshmen dhe me grupet që perceptohen si “të jashtme”, duke përfshirë refugjatët.
“Nuk jemi shoqëri që jemi mësuar me të ndryshmen në përgjithësi, për shkak edhe të kaluarës. Njësoj besoj edhe relacioni me refugjatët”, ka thënë Bekteshi në emisionin KONFRONT në KTV, ku po diskutohej mundësia që Kosova të pranojë më shumë refugjatë në të ardhmen.
Ai shtoi se shpesh në shoqërinë kosovare krijohen stigmat ndaj grupeve të caktuara dhe theksoi nevojën për një qasje më përfshirëse e më funksionale.
“Është mirë që edhe me refugjatët, edhe me ardhacakët, njerëzit që vijnë këtu, të ketë një relacion që e tejkalon këtë konceptin tradicional të mikpritjes. Kemi nevojë për integrim dhe bashkëpunim social më të përgjithshëm, ku ata integrohen dhe punojnë bashkë me neve”, u shpreh ai.
Abdullahu-Leku: Refugjatët janë të kënaqur me mikpritjen në Kosovë
Nazmije Abdullahu-Leku nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka thënë se refugjatët që jetojnë në Kosovë thonë se ndihen të mirëpritur nga vendasit.
Ajo në “Konfront” ka shtuar se në bazë të vlerësimeve që Qendra i bënë, del se pranueshmëria e refugjatëve në shoqërinë kosovare është shumë e mirë.
“Ne i bëjmë vlerësimet e nevojave, para 2 javësh e kemi pasur një takim me gratë refugjate dhe ishte ndër pyetjet tona se si ndihen. Vlerësimet e tyre janë shumë pozitive dhe kur e shohin që kanë vështirësi në komunikim njerëzit ofrojnë mbështetjen e tyre. Kemi edhe fëmijë refugjatë që ndjekin mësimet në shkollat lokale, në gjuhën shqipe. Edhe fëmijët janë shumë të pranuar prej shokëve të klasës dhe arsimtarëve kemi pranueshmëri shumë të mirë në raport me këta persona”, ka thënë ajo.