Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të enjten ka zyrtarizuar 28 kandidaturat për kryetarë komunash nga kjo parti. Vetëm për Klinën, Malishevën e Kamenicën e Kaçanikut, Abdixhiku ka thënë se procesi konsultativ ende po vazhdon.
Në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Abdixihiku ka zyrtarizuar kandidaturën e Përparim Ramës për Prishtinën, e Imri Ahmetit për Lipjanin, Xhafer Gashit për Obiliqin e të tjerë.
U zyrtarizua edhe Besnik Osmani – Fushë-Kosovë, Ekrem Hyseni – Podujevë, Gazmend Heta – Drenas, Xhafer Tahiri – Vushtrri, Gzim Plakolli – Mitrovicë, Gazmend Muhaxheri – Pejë, Ilir Ferati – Istog, Ruzhdi Shehu – Junik, Jeton Mushkolaj – Deçan, Bexhet Xheladini – Dragash, Driton Selmanaj – Prizren, Ardian Shala – Suharekë, Visar Azemi – Ferizaj, Kastriot Shabani – Shtime, Valmir Ahmeti – Shtërpcë, Sokol Haliti – Viti, Arbër Ismajli – Gjlan, Bajrush Ymeri – Novobërdë, Shefqet Shehu – Gjakovë dhe Burim Krasniqi – Rahovec.
Abdixhiku u shpreh se në Klinë, Malishevë, Kamenicë dhe Kaçanik kandidaturat do të zyrtarizohen së shpejti.
Tutje, kryetari i LDK-së bëri të ditur se deri më 13 gusht do ta finalizojë listën e 994 kandidatëve për asamble.
Abdixhiku: Pashmangshëm po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja, hendeku me LVV-në është i madh
Kosova po shkon pashmangshëm në zgjedhje të reja parlamentare, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, është mirë të ketë zgjidhje politike për daljen nga ngërçi në Kuvend, mirëpo për shkak të, siç tha, kryeneçësisë së Albin Kurtit, i cili sipas Abdixhikut nuk e kupton demokracinë dhe as pragmatizmin, shkuarja sërish te kutitë e votimit është një zgjidhje për dalje nga kriza politike.
Megjithatë, Abdixhiku tha se në këtë fazë, por edhe pas zgjedhjeve të mundshme parlamentare, nuk do të bashkëpunojnë me LVV-në, pasi “hendeku me ta është i madh”.
“Është mirë të ketë zgjidhje politike, por nëse s’ka vullnet për zgjidhje politike, ne pashmangshëm po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja. Zaten edhe qeveria e unitetit ka njohur zgjedhjet e reja, por kemi kërkuar që këto të mbahen në mars dhe të kapërcehen procedurat e zgjedhjeve lokale, të bëjmë disa pika dhe të përgatitemi për zgjedhje pa u futur në koalicione partiake”, tha Abdixhiku në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë të enjten.
LDK-ja, si partia e tretë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka refuzuar në dy raste ofertën e LVV-së për koalicion qeverisës. E Abdixhiku tha se hendeku me ta vetëm sa po thellohet edhe më shumë, derisa nënvizoi nevojën që LVV-ja të reformohet.
“T’ju them të drejtën, unë kam besuar shumë që në këtë proces të refuzimit tonë për bashkëpunim me ta do të ndodhte një reformë e LVV-së. Dua t’ju them qartë se pa një reformim të LVV-së, bashkëpunimi është i pamundur. Meqenëse po shoh se ata vazhdimisht bëjnë luftë ndaj LDK-së dhe qytetarëve të Prishtinës e Kosovës, njëherë kemi thënë se ka vija të kuqe, akademik Kujtim Shala ka thënë se ka hendek, e unë po ju them se ky hendek po bëhet i kuq për këtë fazë dhe fazat e ardhshme”, theksoi Abdixhiku.
Një ditë para tentativës së 44-t për konstituimin e Kuvendit, Abdixhiku akuzoi LVV-në për krizën politike dhe dështimin e vazhdueshëm të konstituimit të legjislaturës së nëntë.
Ai tha se ka tendencë nga LVV-ja që bllokada të vazhdojë, derisa i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që të bëjë pyetje kushtetuese pas kalimit të afatit 30-ditor, i paraparë për konstituimin e Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili skadon më datën 27 korrik.
“Ne jemi peng kolektiv i një njeriu të vetëm, i cili nuk e kupton as demokracinë, as pragmatizmin dhe as nevojën për të krijuar shumicë. Për këtë çështje, LDK-ja nuk mund të bëjë më shumë se kaq. Fatkeqësisht, partia e parë ka të gjitha mekanizmat për të mbajtur këtë kapje jologjike dhe të dëmshme të Kosovës... Ka tendencë nga partia e parë të vazhdojë me bllokadë. Po afrohemi fundit të afateve kushtetuese dhe me siguri nuk ka më arsye të mblidhemi në Kuvend, por ka arsye për një interpretim të ri pas 30 ditësh, me shpresën që presidentja e vendit do ta dërgojë këtë pyetje”, theksoi Abdixhiku.
Lideri i LDK-së konfirmoi pjesëmarrjen e nënkryetares, Hykmete Bajrami, në takimin me zyrtarin e lartë amerikan, Brendan Hanrahan, i cili do të vizitojë Kosovën gjatë kësaj jave.
“Kam deleguar deputeten Hykmete Bajrami, për shkak të një udhëtimi urgjent që do të kem ditën e diel. Deputetja dhe nënkryetarja e LDK-së do të jetë në atë takim dhe do të flasë për pozicionin tonë politik dhe 15 pikat e unitetit. Njëra prej pikave është edhe partneriteti afatgjatë me SHBA-në, por ta kemi të qartë se është një takim njoftues në këtë fazë”, përfundoi ai.
Këto komente, Abdixhiku i bëri në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, ku u zyrtarizuan kandidatët për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. /KSP