Arbëri

Abdixhiku: S’mund të ketë më qeveri të pakicës në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas disa muajsh krize, qytetarëve po iu imponohet një qeveri e pakicës, me mandatimin e Glauk Konjufcës së Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë.

Ka thënë se janë vonë. Ka shtuar se qeveri të pakicës nuk mund të ketë më në Kosovë.

“LDK-ja rikujton se në demokraci, pakica nuk mund të qeverisë. Pakicës i thonë opozitë, jo qeveri. Në demokraci pakica nuk e ndan buxhetin, nuk miraton ligje”, ka thënë ai në një konferencë për media një ditë pasi presidentja Vjosa Osmani mandatoi Konjufcën, si mandatar të dytë pas dështimit të kryetarit të VV-së, Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kosova duhet t’i kthehet sovranit. Abdixhiku e ka quajtur monarki propozimin e Konjufcës.

“Në monarki mandati trashëgohet, nga babai tek i biri, nga Albini te Glauku”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se në demokraci mandati sigurohet përmes votës qytetare.

“Nuk ka asnjë peshë zhvillimi i brendshëm në një parti politike. Për LDK-në ky proces është një lojë politike që ka për synim thellimin e krizës. Koha e axhamive politike ka marrë fund. Politikave të tilla duhet t’u dilet ballë. LDK-ja konsideron se çdo zvarritje e tillë e qëllimshme përbën zgjatje të krizës. Konjufca nuk ka shumicë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se zgjidhja e vetme e mbetur janë zgjedhjet.

Abdixhiku ka thënë se meqenëse të gjitha partitë janë deklaruar, nuk do të duhej të humbej kohë.

“Dilni në temë direkt, cilën datë po e doni? Pse po na i humbni 15 ditë kur mundemi ta caktojmë datën. Sepse kjo datë është e pashmangshme, vullneti politik nuk ka për të ndryshuar. Pse u mbledh Arbërie Nagavci me Këshillin e Përgjithshëm e janë përqafu Glauku me Albinin, vendimet e partive politike s’ndryshojnë. Mundet me u mbledh Këshilli i Sigurimit, por vendimi i partisë politike mbetet i njëjtë. Sa janë përqaf mes veti më mirë është me i pas lutë disa parti tjera që kanë pas gatishmëri me u marrë me të”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se “nëse vërtetë është krizë, munden partitë politike të bëjnë një zgjatim të buxhetit të mëparshëm përpara se të shpërndahet Kuvendi”.

“Jemi të gatshëm të flasim për datën e zgjedhjeve. Në takimin e javës së kaluar me presidenten  kemi deponuar qëndrimet tona. Unë kam pritur që presidentja del dhe thotë se nuk janë numrat”.