Arbëri

Abdixhiku kërkon unitet: Është domosdoshmëri, askush s’ka shumicë

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se asnjëra parti politike s’e ka shumicën për të krijuar qeveri, duke bërë thirrje për unitet, pasi tha se ai s’është lukë, por “është domosdoshmëri”.

Kreu i LDK-së ka përsëritur thirrjen për një qeveri uniteti mes partive, teksa paralajmëroi që subjekteve politike do t’ua dërgojë një platformë 15-pikëshe për bashkëpunim.

Ai ka shtuar se Kosovës i duhet një qeveri legjitime dhe një Kuvend funksional, “ një shtet që punon – tek më pas një opozitë që kritikon”.

“Vazhdoj ta përsëris thirrjen time drejt liderëve të VV-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s që t’i kthehen propozimit tim për një Qeveri të Unitetit. Ta vlerësojnë me kujdes. Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi. Nëse e trajtojmë me guxim dhe me përgjegjësi. Natyrisht se ka zëra mjaft që na ushqejnë që të rrimë larg, por sot para vetës kjo krizë na thërret veç për përgjegjësi. Asgjë më pak. Prandaj, gjatë kësaj jave, do të shkojë dhe një hap tutje. Pas finalizimit të konsultimeve të brendshme, do të dal me një Agjendë 15 pikëshe – një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim”, ka thënë ai në Facebook.

Abdixhiku u shpreh se “të gjithë ata që e ndiejnë peshën e kësaj kohe, të bashkohen me këtë propozim”.

“Mes betejave partiake që s’përputhen askund, një e vërtetë na bërtet qartë, askush pas tre muajsh, nuk ka një shumicë. Prandaj edhe tentativa e 28-të do të përfundojë pa epilog – veç si prolog i tjetrës. Popullin, atë në të cilin thirremi se e përfaqësojmë, e kemi lënë vet. Jonormalja, mes përsëritjeve të pafundme, është urgjencë! Vazhdoj të besoj se në këtë vend ekziston ende një vetëdije politike që ndjen përgjegjësi. Për njerëzit tanë. Për shtetin tonë. Për faktin se po kthehemi në shembull të pahijshëm – brenda dhe jashtë. Shpresoj që të kuptohet qartë: uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri. Po, Kosovës i duhet një opozitë. Po, Kosovës i duhet një balanc demokratik. Por para dyjave, Kosovës i duhet një pozitë. Një qeveri legjitime, një Kuvend funksional, një shtet që punon - tek më pas një opozitë që kritikon”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se “të tallesh me një popull të tërë plot 28 herë është e rëndë”.