Arbëri

Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Po flet gjëra pa fije inteligjence

Kurti-Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po flet gjëra pa fije inteligjence.

Abdixhiku komentoi deklaratën e Kurtit, i cili ka thënë se opozita po ia zgjat mandatin në Qeveri.

E kryetari i LDK-së u shpreh se Kurti po rri në pozitë ekzekutive pa mandat.

“Mos i dëgjoni të gjithë njerëzit që flasin gjëra pa fije inteligjence, ‘si po ja zgjasim mandatin Kurtit’. Është jolegjitim, pa mandat, e ka uzurpuar detyrën e kryeministrit dhe të deputetit. Nuk ka logjikë një gjë e tillë”, ka thënë Abdixhiku.

Gjatë përurimit të nisjes së punimeve për depon e re të barnave në Kosovë të martën, Kurti ka deklaruar se opozita hiç nuk është e interesuar t’ia shkurtojë mandatin meqë as pas 37 përpjekjeve nuk ka Kuvend të konstituar.

Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve nuk arriti t’i sigurojë votat për Albulena Haxhiun pas disa seancave me votim të hapur. Më pas nga kryesuesi Avni Dehari u propozua ndryshimi i mënyrës së votimit, nga i hapur në të fshehtë. Por procedura e votimit për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kryeparlamentar deri tash nuk ka kaluar, pasi partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë nuk po marrin pjesë në votim, me arsyen se nuk mund të ndryshohet procedura në mes të procesit.